Ilazi: Fryma e NISMËS për Kosovën janë në të gjithë territorin e Kosovës

Gjenerali Imri Ilazi ka lënë ushtrinë – Forcat e Sigurisë së Kosovës (FSK) për ta vazhduar misionin në politikë. Ai ka zgjedhur rrugën e përbashkët me Fatmir Limajn dhe Jakup Krasniqin, pra është bërë pjesë e themelimit të NISMA-s për Kosovën.

Në këtë intervistë për “Epokën e re”, të parën për mediet e shkruara, Imri Ilazi ka treguar arsyen pse vendosi të merret me politikë. Ai thotë se vendimi për ta lënë FSK-në nuk ka qenë i lehtë.

“Ka qenë shumë vështirë për mua të largohem nga të gjithë ata oficerë dhe nënoficerë me të cilët kemi punuar për një kohë të gjatë, mirëpo ky vendim ka ardhur si rezultat dhe si pasojë e gjendjes dhe situatës politike në Kosovë”, ka thënë Ilazi, duke shprehur bindje se NISMA për Kosovën do të jetë pjesë e Kuvendit të Kosovës.

“Zëri dhe fryma e NISMËS për Kosovën janë në të gjithë territorin e Kosovës. NISMËN s’do të mund ta ndalë askush, Mendojmë se do të dalim shumë të fuqishëm nga këto zgjedhje. Nuk dëshiroj të kalkuloj me shifra, numra dhe renditje, mirëpo duke pasur parasysh punën që po zhvillojmë në terren në të gjitha komunat e Kosovës, mendoj se është një lloj zgjimi, ngaqë një shtresë e qytetarëve është e përgjumur”, është shprehur Ilazi.

Ai ka treguar se NISMA për Kosovën do ta kthejë besimin e qytetarëve në vendimmarrjet politike. “Pra, sot Kosova ka nevojë për ngritje të besimit tek vendimmarrja politike sepse ka humbur ky besim. Për shumë të rinj politika është gënjeshtër dhe ky është perceptimi i tyre të cilin na kanë thënë gjatë punës në terren”, ka thënë Ilazi.

Imri Ilazi është anëtar i kryesisë qendror të NISMËS për Kosovën, njëkohësisht është udhëheqës i projektit të NISMËS për Kosovën në Ferizaj. Ai ka thënë se do të ofrojë kuadro të fuqishme që do t’i bashkohen NISMËS në Ferizaj. “Siç edhe e dini, jam anëtar i kryesisë qendror të NISMËS për Kosovën, njëkohësisht jam edhe udhëheqës i projektit të NISMËS për Kosovën në Ferizaj. Jam duke i kryer me shumë përkushtim këto dy detyra. Edhe më tutje do të angazhohem të ofroj kuadro të fuqishme të cilat mund të jenë pjesë e NISMËS për Ferizajn. Do të ofroj kuadro sa më të fuqishme dhe sa më të ndershme dhe të guximshme që dinë t’i thonë jo së keqes”, ka thënë Ilazi.

KOMENTE