IKSPK: Institucionet shëndetësore fuqizojnë komunikimin digjital për sëmundjet kronike jongjitëse
“Përfaqësuesit e institucioneve të shëndetit publik në Kosovë fuqizuan kapacitetet e tyre për ta shndërruar evidencën shkencore në përmbajtje digjitale të qartë, tërheqëse dhe që nxit veprim, gjatë një trajnimi praktik dyditor të mbajtur më 3–4 shtator 2026”, thuhet në një njoftim të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK).
Trajnimi mblodhi ekspertë të IKSHPK-së, si dhe përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës. Pjesëmarrësit punuan me prioritete konkrete të shëndetit publik për të zhvilluar mesazhe të përshtatura për audiencën, përmbajtje për rrjetet sociale, infografika dhe fushata të koordinuara digjitale.
“Informacioni i saktë shëndetësor krijon vlerë më të madhe për publikun kur njerëzit mund ta kuptojnë më mirë dhe nxiten të veprojnë. Trajnimet e këtij lloji i ndihmojnë institucionet e shëndetit publik ta ndërthurin besueshmërinë shkencore me një komunikim të qartë, të qasshëm dhe me ndikim”, tha Prof. Dr. Merita Berisha nga IKSHPK-ja.
Përmes ushtrimeve praktike, pjesëmarrësit shndërruan informacionin teknik mbi sëmundjet jongjitëse në mesazhe shëndetësore dhe zhvilluan koncepte komunikimi për Ditën Botërore të Zemrës, Ditën Botërore të Diabetit, Ditën Botërore të Kancerit, Ditën Botërore të Shëndetit dhe Ditën Botërore pa Duhan. Gjatë trajnimit u prezantuan gjithashtu formate të ripërdorshme të infografikave dhe një kalendar i strukturuar për komunikimin digjital shëndetësor gjatë gjithë vitit.
Nisma kontribuon në fuqizimin e komunikimit institucional, i cili mbështet parandalimin, nxit sjellje më të shëndetshme dhe e sjell informacionin e besueshëm shëndetësor më pranë qytetarëve.
Trajnimi u mbështet nga Projekti Shërbimet Shëndetësore të Integruara (IHS). /2LONLINE/
