DYLON

IKSHPK: Vaji i palmës/efektet në shëndet

IKSHPK: Vaji i palmës/efektet në shëndet
Avatar photo Redaksia


Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHOK)

Vaji i palmës, i cili përftohet nga frutat e palmës së vajit (Elaeis guineensis), është një nga vajrat bimore më të prodhuara dhe të përdorura në botë, për shkak të kostos relativisht të ulët, rendimentit të lartë dhe qëndrueshmërisë së mirë gjatë përpunimit industrial. Ai përdoret gjerësisht në industrinë ushqimore për prodhimin e biskotave, ëmbëlsirave, çokollatave, margarinës, produkteve të furrës, ushqimeve të skuqura, ushqimeve të gatshme dhe formulave për foshnja. Përdorimi i tij është i lejuar në Bashkimin Evropian dhe në shumicën e vendeve të botës. Megjithatë, literatura shkencore dhe institucionet ndërkombëtare të shëndetit publik theksojnë se konsumimi i tepërt i tij, veçanërisht në kuadër të një diete të pasur me ushqime ultra të përpunuara, mund të ketë pasoja të rëndësishme për shëndetin.

EkoHigjiena

Nga pikëpamja ushqyese, vaji i palmës përmban rreth 50% acide yndyrore të ngopura, kryesisht acid palmitik, ndërsa pjesa tjetër përbëhet nga acide yndyrore mono-të pangopura (MUFA) dhe poli-të pangopura (PUFA). Përmbajtja relativisht e lartë e yndyrave të ngopura është arsyeja kryesore pse konsumimi i shpeshtë i tij lidhet me rritjen e rrezikut për sëmundje kronike jo-ngjitëse.

Studimet epidemiologjike dhe metaanalizat kanë treguar se marrja e lartë e yndyrave të ngopura mund të rrisë përqendrimin e kolesterolit LDL (“kolesteroli i keq”), të favorizojë zhvillimin e aterosklerozës, të rrisë rrezikun për sëmundje koronare të zemrës, infarkt të miokardit dhe goditjes në tru. Gjithashtu, konsumimi i shpeshtë i ushqimeve që përmbajnë vaj palme shoqërohet shpesh me marrje të lartë kalorike, duke kontribuar në zhvillimin e mbipeshës, obezitetit dhe diabetit mellitus tip 2. Megjithatë, duhet theksuar se rreziku nuk lidhet vetëm me vetë vajin e palmës, por me modelin e përgjithshëm ushqimor, veçanërisht me konsumimin e tepërt të ushqimeve ultra të përpunuara, të pasura me yndyra të ngopura, sheqer dhe kripë.

Një aspekt me rëndësi të veçantë për shëndetin publik lidhet me procesin industrial të rafinimit të vajit të palmës. Gjatë rafinimit në temperatura të larta (zakonisht mbi 200°C), mund të formohen ndotës kimikë si 3-monochloropropane-1,2-diol estere (3-MCPD estere), 2-MCPD estere dhe glycidyl estere (GE). Gjatë tretjes, glycidyl esteret mund të çlirojnë glycidol, një substancë e klasifikuar nga Agjencia Ndërkombëtare për Kërkime mbi Kancerin (IARC) si Grupi 2A – “potencialisht kancerogjen për njerëzit”. Për këtë arsye, reduktimi i ekspozimit ndaj këtyre ndotësve konsiderohet një prioritet i rëndësishëm për sigurinë ushqimore.

Është e rëndësishme të theksohet se vetë vaji i palmës nuk klasifikohet si substancë kancerogjene. Shqetësimi shkencor lidhet me ndotësit që mund të krijohen gjatë përpunimit industrial dhe me konsumimin afatgjatë të sasive të mëdha të ushqimeve të rafinuara që e përmbajnë atë. Bazuar në vlerësimet shkencore, grupet më të rrezikuara nga ekspozimi ndaj konsumit të lartë të vajit të palmës ose ndotësve të tij përfshijnë:

•Foshnjat, veçanërisht ato që ushqehen me formula me bazë vajrash bimore.

•Fëmijët e vegjël, për shkak të konsumit më të madh të ushqimit në raport me peshën trupore.

•Personat me hiperkolesterolemi.

•Pacientët me sëmundje kardiovaskulare.

•Personat me diabet mellitus tip 2.

•Personat me obezitet ose sindromë metabolike.

•Të moshuarit, veçanërisht ata me faktorë të shumtë të rrezikut kardiovaskular.

•Gratë shtatzëna dhe gratë gjatë periudhës së laktacionit, tek të cilat rekomandohet një dietë e larmishme, e sigurt dhe ushqyese, me kufizim të yndyrave të ngopura dhe preferencë për burime të yndyrave të pangopura.

Autoriteti Evropian për Sigurinë Ushqimore (EFSA), në opinionin e tij shkencor të vitit 2016, arriti në përfundimin se ekspozimi ndaj glycidyl estereve është veçanërisht shqetësues për foshnjat dhe fëmijët e vegjël, pasi këto grupe marrin sasi më të mëdha ushqimi në raport me peshën trupore. Si rezultat i këtyre vlerësimeve, Bashkimi Evropian ka vendosur kufij maksimalë të lejuar për glycidyl estere dhe 3-MCPD në vajrat bimore, veçanërisht në formulat për foshnja.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (WHO) rekomandon që marrja e yndyrave të ngopura të mos kalojë 10% të energjisë totale ditore, ndërsa për përfitime edhe më të mëdha shëndetësore sugjeron që kjo përqindje të jetë më e ulët. Duke qenë se vaji i palmës është relativisht i pasur me yndyra të ngopura, konsumimi i tij duhet të jetë i moderuar dhe, kur është e mundur, të zëvendësohet me burime të yndyrave të pangopura, si vaji i ullirit, vaji i kanolës ose vajrat me përmbajtje të lartë të acidit oleik.

Edhe Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO) thekson se vaji i palmës mund të jetë pjesë e një diete normale, por konsumimi i tij duhet të jetë i balancuar dhe i kombinuar me një model ushqimor të shëndetshëm, të pasur me fruta, perime, drithëra integrale dhe burime të yndyrave të pangopura.

Nga perspektiva e shëndetit publik, nuk rekomandohet eliminimi i plotë i vajit të palmës nga dieta, por kufizimi i konsumit të ushqimeve ultra të përpunuara që përmbajnë sasi të larta të tij. Masat më efektive për mbrojtjen e shëndetit përfshijnë promovimin e një diete të balancuar, leximin e etiketave ushqimore, uljen e konsumit të yndyrave të ngopura, si dhe monitorimin e vazhdueshëm të ndotësve kimikë në produktet ushqimore nga autoritetet kompetente.

Në përfundim, bazuar në provat aktuale shkencore, vaji i palmës nuk paraqet rrezik të menjëhershëm për shëndetin kur konsumohet në sasi të moderuara dhe në kuadër të një diete të ekuilibruar. Megjithatë, konsumimi i shpeshtë i produkteve të përpunuara që përmbajnë sasi të mëdha vaj palme dhe yndyrash të ngopura lidhet me rritjen e rrezikut për sëmundje kardiovaskulare, obezitet, diabet mellitus tip 2 dhe çrregullime të tjera metabolike. Vëmendje e veçantë duhet t’u kushtohet foshnjave, fëmijëve të vegjël, grave shtatzëna, personave me sëmundje kronike dhe të moshuarve, ndërsa monitorimi i vazhdueshëm i sigurisë së produkteve ushqimore dhe promovimi i një ushqyerjeje të shëndetshme mbeten elementë kyç për mbrojtjen e shëndetit publik.

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.