IKSHPK arrin rezultate të sakta në vlerësimin ndërkombëtar të cilësisë për diagnostikimin e etheve hemorragjike virale
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), përmes Laboratorit të Mikrobiologjisë Molekulare në Departament të Mikrobiologjisë, ka marrë pjesë me sukses në programin ndërkombëtar të Vlerësimit të Jashtëm të Cilësisë (EQA) për diagnostikimin e Etheve Hemorragjike Virale për vitin 2026.
Ky program, i mbështetur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe i organizuar nga Royal College of Pathologists of Australasia Quality Assurance Programs (RCPAQAP), mundëson vlerësimin e pavarur të performancës së laboratorëve në analizimin e mostrave me rezultate të përcaktuara paraprakisht.
Rezultatet e raportuara nga IKSHPK-ja kanë qenë në përputhje me rezultatet e pritshme të panelit, duke dëshmuar saktësinë e analizave të kryera dhe performancën e suksesshme të metodave diagnostike të përdorura në këtë vlerësim.
Pjesëmarrja në këto programe ndërkombëtare është pjesë e rëndësishme e sigurimit dhe përmirësimit të vazhdueshëm të cilësisë së shërbimeve laboratorike. Ajo mundëson verifikimin e aftësive diagnostike dhe identifikimin e nevojave për përmirësim, duke mbështetur forcimin e kapaciteteve për zbulimin e agjentëve infektivë me rëndësi për shëndetin publik.
“IKSHPK-ja mbetet e përkushtuar në avancimin e kapaciteteve laboratorike dhe zbatimin e standardeve të cilësisë, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë. Këto angazhime kontribuojnë në forcimin e gatishmërisë për zbulimin në kohë dhe përgjigjen ndaj kërcënimeve infektive, në funksion të mbrojtjes së shëndetit publik në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftiin e këtij Instituti. /2LONLINE/
