Ikin me shpresë për një jetë më të mirë!
Mirsad JERLIU
(2L ONLINE) – Qytetarë të shumtë, të dëshpëruar me udhëheqësit e tyre që prej pas lufte e këndej, si duket janë lodh më dhe shpëtimin po e gjejnë duke ikur nga vendi. Kjo ka ardhur në shprehje sidomos gjatë muajve të fundit ku shumë qytetarë ia kanë mësyer shteteve të Bashkimit Evropian.
Arsyet e ikjes nga vendi i tyre janë të shumta si: papunësia, varfëria e skajshme, korrupsioni, nepotizmi, krimi i organizuar si dhe për shkak të një pasigurie ekonomike, sociale dhe politike që mbretëron në vend tonë. Sidomos të rinjtë e Kosovë të ardhmen e shohin jashtë vendit. Ata thonë se kushtet me të mira janë atje, punësimi, rroga më të larta e shumë gjëra të tjera që në Kosovë nuk ekzistojnë.
Zyrtarët e Qeverisë të Kosovë kanë deklaruar se koha e migrimit të paligjshëm ka përfunduar dhe Kosova është në proces të liberalizimit të vizava për lëvizje të lirë në shtetet anëtare të Bashkimit Evropian. Sidoqoftë të rinjve të Kosovës pavarësisht deklaratave të zyrtarëve qeveritar për të mos migruar jashtë vendit ilegalisht, qytetarët e Kosovës sidomos të rinjtë por edhe shumë familjarë nuk po i marrin në konsideratë deklaratat e tyre duke thënë se janë mësuar me premtime të parealizuara si për punësim, liberalizim të vizave e shumë premtime tjera që kurrë nuk i realizuan.
Dy familje kosovare njëra nga Prizreni e tjetra nga Kamenica rrëfyen se si i kaluan kufijtë ilegalisht me vështirësi e gjithashtu me pak para, vetëm që të ikin nga Kosova. N. Sertolli me bashkëshorten G. Sertolli nga Prizreni thanë: “Ne jemi mërzitë më nuk po mundem më me jetue me këto kushte të vështira, shkurt e shqip ne nuk shohim të ardhme në Kosovë a nuk e patë ju që sa muaj nuk munden me formua një Qeveri. Çka prit, mu bë ma mirë këtu, s’ka punë s’ka sen qysh me jetue, këta janë tu punue veç për interesa të tyre personale e janë ba milionera, politika për ta është biznes, për popull ju bjen ndërmend veç ne fushat zgjedhore”.
Më tej Sertolli shton edhe: “Unë me bashkëshorten kemi vendosur që një vit e më shumë me ikë prej ktuhi njëherë me do viza po nuk na lëshojke Ambasada pastaj me lidhje tjera po me lypshin nga 2000 ero për person e nuk kishim mundësi t’i bëjmë. E tash shyqyr zotit erdhi koha me dal me pak para s’di çka u bë veç shumë mirë u ba kemi pshtue.”
Ndërsa, kryefamiljari i familjes nga Kamenica I.Pireva me bashkëshorten V.Pireva dhe dy fëmijët e tyre vendosën të ikin nga Kosova. I.Pireva u shprehen: “Unë jetoj me një social pre 75 euro, çka me ba me to përpara, bashkëshorten e kam të sëmur qe 5 herë është operuar dhe tash këto barna nuk më dalin as për terapi, e çka me ba pastaj me ushqim e sene tjera qe nuk e di as vet si po mbijetojmë, un kërkojë çdo ditë punë, por nuk gjej një ditë punoj e 10 rri në shpi”.
E bashkëshortja e tij V.Pireva tha se vendosi me shit arin e martesës që t’i bëjnë parat e të nisen sa ma shpejtë se më lirë.
“Ari mu dhimbtë shumë se e kam shit edhe 5-lirëshen që ma pat dhënë nëna ime para se me vdekur, por nuk kisha zgjidhje tjetër që ti bëjmë parat. Siç tregoi edhe bashkëshorti im unë jam shumë e sëmurë dhe vuaj nga një sëmundje e rëndë, por edhe ne qoftë se vdes nesër se kam dert veç që fëmijët e mijë t’i la me një shtet te sigurt”.
Rrëfimi i këtyre dy familjeve vazhdon tutje përmes njërit prej protagonistëve:
“Qëndruam në Gjilan ku në mëngjes në ora 06:45 minuta u nisem për Bujanoc, në Doganë te Dheu i Bardhë nuk patëm shumë problem na pyeten veç ku po shkoni, i thamë qe po shkojmë te një hallë e marton një djalë edhe na lëshuan. Pasi shkuam në Bujanoc, këtu takuam edhe dy djem të ri nga Fushë Kosova, nuk pritem shumë gjatë dhe erdhi autobusi e u nisem për Suboticë ku gjithë ditën udhëtuam, në mbrëmje mbërritëm në Suboticë ku na ndaloi policia serbe dhe na kërkuan para. Ne ju dhamë 100 euro dhe na lëshuan, dhe u nisem të gjejmë një hotel. Duke kërkuar hotel na ndalen prapë policia po këtu ishin më agresiv i kërkuan nga 40 euro për person na kërcënuan se në qoftë se nuk ua japim ju qojmë ne stacion kështu që u detyruam patjetër. Në Suboticë qëndruam në Hotel Verona dy net pasi nuk gjenim lidhje me dal ne Hungari. Pas dy netëve të qëndrimit në Suboticë e gjetëm një lidhje nga 200 euro për me dal në Hungari, ata erdhën në mbrëmje në ora 17:00 na morën me dy vetura dhe u nisem për Hungari. Pas një ore udhëtimi përafërsish, u ndalëm në një autostradë dhe na thanë se tash duhet me ec këmbë. Ata na shoqëruan nja 20 minuta duke na treguar rrugën se ka mundem me shkua në stacionin e autobusëve na dhanë edhe numrin e telefonit e na than se në qoftë se e humbni rrugën na thirrni neve ju tregojmë. Gjatë rrugës takuam qindra njerëz ku e kishin marrë edhe ata të njëjtën rrugë si ne. Kështu që ne ecë në këmbë diku 20 km dhe para mëngjesit mbërritëm në stacionin e autobusit aty afër ishte një Kishë dhe qëndruam në oborr te saj ëderi sa zbardhi dita ku edhe i nxorëm biletat për Budapest. Në Budapest menjëherë i morëm biletat për Mannheim. Pasi u nisem kontrolla e parë që hyri në tren dy djemtë që i takuam në Bujanoc policia Hungarez i ndaloi dhe i mori me vete ndërsa ne shpëtuam. Me gjithë stresin e madh që patëm me frikën se do të na kapin edhe neve deshi Zoti e shpëtuam mbërritëm ne Mannheim ku aty na pritën familjarët. Një natë qëndruam në Gjermani dhe pastaj ata na derguan në Francë ku edhe jemi pranua si azilantë, jemi vendos me një banesë shumë moderne dhe kushtet janë shumë të mira. Shpresojmë se do të na pranojnë e t’i bëjmë letrat”, thanë kryefamiljarët e këtyre dy familjeve të mllefosur me jetën në Kosovë.
Nga ana tjetër, i riu nga Lipjan student i vitit të parë i Fakultetit Filologjik –Dega e Gazetarisë, Avdush Karpuzi vendosi që t’i braktisë studimet dhe të merr rrugën e migrimit për në Gjermani, edhe pse ne nuk i dimë arsyet pse Avdushi mori këtë rrugë që të migrojë në Gjermani e nuk u përshëndetë as me kolegë. Por sigurisht edhe kolegu ynë Avdushi i ka arsyet dhe brengat e veta pse e mori këtë vendim jo te lehtë.
Kjo ikje me të madhe e qytetarëve të Kosovës duhet t’i shqetësojë institucionet tona qeveritare dhe të marrin masa urgjente, ngase ky numër kaq i madh brenda pak muajve e lëshuan Kosovën drejt shteteve të Bashkimit Evropian për një jetë më të mirë, e në qoftë se ky trend i migrimit vazhdon Kosova shumë lehtë mund të mbetet e zbrazët. /2L ONLINE/
