IKD takoi kryetarët e disa komunave për mbështetjen e nismës legjislative, më 1 shtator rinis mbledhja e nënshkrimeve në Prishtinë
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), në kuadër të aktiviteteve për nismën legjislative qytetare për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ka zhvilluar takime me kryetarë të disa komunave, nga të cilët ka kërkuar mbështetje për nismën dhe për procesin e mbledhjes së nënshkrimeve.
Në kuadër të këtyre takimeve, përfaqësuesit e IKD-së kanë takuar Kryetarin e Kryeqytetit, Përparim Rama, Kryetarin e Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxhiri, Kryetarin e Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, Kryetarin e Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, Kryetarin e Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, Kryetarin e Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, si dhe Kryetarin e Komunës së Kaçanikut, Sabedin Vishi.
Gjatë takimeve, IKD ka prezantuar qëllimin dhe përmbajtjen e nismës legjislative, e cila synon vendosjen e përgjegjësisë penale për moszbatimin e qëllimshëm të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, si dhe për përdorimin e parasë publike për përfitim elektoral gjatë periudhave zgjedhore dhe parazgjedhore. Kryetarëve u është kërkuar që ta mbështesin nismën, si dhe të kontribuojnë në informimin dhe mobilizimin e qytetarëve për procesin e mbledhjes së nënshkrimeve.
Kryetarët e komunave të takuar nga IKD kanë shprehur qëndrim pozitiv ndaj nismës dhe gatishmëri për ta mbështetur dhe nënshkruar atë. Mbështetja e përfaqësuesve të nivelit lokal është e rëndësishme për shtrirjen e nismës në sa më shumë komuna dhe për përfshirjen sa më të gjerë të qytetarëve në ushtrimin e të drejtës së tyre për nismë legjislative.
IKD do të vazhdojë gjatë ditëve në vijim takimet edhe me kryetarë të komunave të tjera, të cilëve do t’ua prezantojë nismën dhe do t’u kërkojë mbështetje për mbledhjen e nënshkrimeve. Synimi është që procesi të ketë shtrirje sa më të gjerë në të gjithë Kosovën dhe qytetarëve t’u krijohet mundësia që drejtpërdrejt ta mbështesin nismën.
Më 1 shtator vazhdon mbledhja e nënshkrimeve në Prishtinë
Ndërkohë, nesër, më 1 shtator 2026, IKD do të vazhdojë aktivitetin për mbledhjen e nënshkrimeve në Sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë, përballë Teatrit Kombëtar. Ekipet e IKD-së do të jenë në dispozicion të qytetarëve për t’i informuar për përmbajtjen e nismës dhe për t’u mundësuar që ta mbështesin atë me nënshkrimin e tyre.
IKD fton qytetarët e Prishtinës dhe të gjithë qytetarët që do të jenë nesër në kryeqytet që t’i bashkohen nismës dhe ta mbështesin atë. Çdo nënshkrim përbën mbështetje qytetare për forcimin e respektimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe mbrojtjen e parasë publike nga përdorimi për përfitim elektoral. /2LONLINE/
