IKD: Qytetarët e Gjilanit po e mbështesin nismën legjislative qytetare
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka nisur sot aktivitetin për mbledhjen e nënshkrimeve në kuadër të nismës legjislative qytetare për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Penal të Republikës së Kosovës, në Bulevardin “Ibrahim Rugova” në Gjilan.
“Që nga orët e paradites, aktiviteti është karakterizuar me interesim të qytetarëve për t’u informuar rreth përmbajtjes së nismës dhe për ta mbështetur atë me nënshkrimet e tyre”, thuhet në njoftimin e IKD-së.
Sipas këtij Instituti, mbështetje për këtë nismë kanë dhënë qytetarë të shumtë të Gjilanit, si dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, të cilët kanë vizituar stendën e IKD-së, janë informuar për përmbajtjen e nismës dhe e kanë mbështetur atë me nënshkrimet e tyre.
“Përmes kësaj nisme propozohet që moszbatimi i qëllimshëm i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të përcaktohet si vepër penale, si dhe të ndalohet përdorimi i parasë publike për përfitim elektoral gjatë periudhave zgjedhore dhe parazgjedhore, me qëllim të forcimit të sundimit të ligjit dhe mbrojtjes së integritetit të procesit zgjedhor”, thuhet në njoftim.
Pënrdryshe, mësohet se aktiviteti për mbledhjen e nënshkrimeve do të vazhdojë sot deri në ora 15:00, ndërsa IKD fton qytetarët e Gjilanit që të vizitojnë stendën informuese, të njihen me përmbajtjen e nismës dhe ta mbështesin atë me nënshkrimin e tyre. /2LONLINE/
