IKD nis mbledhjen e nënshkrimeve për ndryshimin e Kodit Penal
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka filluar zyrtarisht mbledhjen e nënshkrimeve për nismën legjislative qytetare për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Përmes kësaj nisme, IKD propozon dy ndryshime konkrete në Kodin Penal. Propozimi i parë ka të bëjë me parashikimin shprehimisht si vepër penale të moszbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Propozimi i dytë ka të bëjë me sanksionimin penal të përdorimit të parasë publike me qëllim përfitimin elektoral gjatë periudhave zgjedhore dhe parazgjedhore, thuhet në komunikatën e këtij Instituti.
Në nisjen e procesit të mbledhjes së nënshkrimeve, hulumtuesi i lartë në IKD, Naim Jakaj, tha se këto dy propozime kanë për qëllim forcimin e llogaridhënies, mbrojtjen e rendit kushtetues dhe rritjen e besimit të qytetarëve në institucionet e Republikës së Kosovës.
Duke folur për përdorimin e parasë publike, Jakaj theksoi se qytetarët e Kosovës meritojnë politika sociale, mbështetje nga shteti, shtesa për fëmijët, pensione dinjitoze, mbështetje për lehonat dhe punëtorët. Megjithatë, sipas tij, këto politika duhet të ndërtohen mbi ligj, të jenë të qëndrueshme dhe të parashikueshme, e jo të varen nga afërsia e zgjedhjeve.
“Në dy palët e fundit të zgjedhjeve kemi parë vendime për ndarjen e mjeteve publike vetëm pak ditë para votimit. Këto veprime, me të drejtë, ngrenë dyshime dhe debat publik nëse buxheti i shtetit po përdoret për politika sociale apo për përfitim elektoral”, tha Jakaj.
Ai theksoi se demokracia nuk duhet të lërë hapësirë për dyshime të tilla dhe se paraja publike është e qytetarëve, prandaj duhet të përdoret për interes publik dhe jo për interesa partiake apo elektorale.
“Pikërisht për këtë arsye propozojmë që përdorimi i parasë publike për përfitim elektoral të sanksionohet si vepër penale”, tha Jakaj.
Duke folur për ndryshimin e dytë, Jakaj theksoi se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë përfundimtare, të detyrueshme dhe duhet të zbatohen nga të gjitha institucionet.
Sipas tij, në Kosovë janë evidentuar raste kur vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk janë zbatuar. Si një nga shembujt më të qartë, ai përmendi aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për Ligjin për Pagat në Sektorin Publik.
Jakaj tha se Gjykata Kushtetuese e kishte obliguar Kuvendin që, brenda gjashtë muajve, ta harmonizonte Ligjin për Pagat, por kjo nuk kishte ndodhur. Si rezultat, sipas tij, mbi 94 mijë zyrtarë publikë vazhdojnë të mos i kenë përfituar pagesat që burojnë nga ky aktgjykim.
“Kur nuk zbatohen vendimet e Gjykatës Kushtetuese, nuk cenohet vetëm një aktgjykim. Cenohet autoriteti i Kushtetutës”, tha Jakaj.
Për këtë arsye, IKD propozon që moszbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të ketë pasoja të qarta penale.
Jakaj theksoi se kjo nismë nuk është kundër asnjë partie politike, asnjë qeverie apo individi, por është një nismë në mbrojtje të Kushtetutës, të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe të shtetit të së drejtës.
Për procedimin e kësaj nisme në Kuvend nevojiten të paktën 10 mijë nënshkrime të qytetarëve.
IKD e ka filluar procesin e mbledhjes së nënshkrimeve në Prishtinë, ndërsa në javët në vijim do të jetë e pranishme edhe në komunat e tjera të Kosovës për t’i informuar qytetarët dhe për t’i ftuar që të bëhen pjesë e nismës.
Në fund, Jakaj u bëri thirrje qytetarëve që të informohen për përmbajtjen e nismës dhe, nëse besojnë se askush nuk duhet të jetë mbi Kushtetutën dhe se paraja publike duhet t’u shërbejë qytetarëve, ta mbështesin atë me nënshkrimin e tyre.
“Demokracia nuk mbrohet vetëm në ditën e zgjedhjeve. Ajo mbrohet edhe duke kërkuar përgjegjësi”, përfundoi Jakaj. thuhet në fund të komunikatës së IKD-së. /2LONLINE/
