DYLON

IKD: Linçimi dhe kërcënimet ndaj gazetarëve kërkojnë reagim të shpejtë dhe të qartë institucional

IKD: Linçimi dhe kërcënimet ndaj gazetarëve kërkojnë reagim të shpejtë dhe të qartë institucional
Redaksia

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) dënon linçimin publik, kërcënimet dhe presionin ndaj gazetarëve Fidan Jupolli dhe Lirim Mehmetaj. Këto zhvillime cenojnë sigurinë e gazetarëve, lirinë e shprehjes dhe të drejtën e qytetarëve për t’u informuar. Institucionet kanë përgjegjësi që gazetarët ta ushtrojnë profesionin pa frikë dhe pa presion për t’u tërhequr nga qëndrimet e tyre.

Në rastin e Fidan Jupollit, vien si rezultat i qëndrimeve të tij publike për zhvillimet në vend. Shqetësimi i ngritur nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës për integritetin fizik të tij dhe të familjes kërkon trajtim urgjent dhe serioz institucional. Etiketimi i gazetarit si i lidhur me interesa armiqësore, për shkak të qëndrimeve të tij, rrezikon sigurinë e tij dhe të familjes së tij.

EkoHigjiena

Në rastin e Lirim Mehmetajt, gazetari ka deklaruar se është kërcënuar pas refuzimit për ta larguar një postim kritik ndaj deputetit Fatos Geci. Ndalimi i Gani Gecit për 48 orë nën dyshimin për kanosje duhet të pasohet nga hetim i plotë dhe i paanshëm, duke respektuar prezumimin e pafajësisë.

Nenet 40 dhe 42 të Kushtetutës garantojnë lirinë e shprehjes dhe të mediave. Neni 10 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut mbron edhe shprehjet që shqetësojnë, kritikën e ashpër dhe satirën politike, brenda kufijve të përcaktuar nga Konventa. Mospajtimi me një gazetar nuk krijon të drejtë për ta kërcënuar apo për t’ia diktuar përmbajtjen. Gazetarët kanë përgjegjësi profesionale dhe puna e tyre mund të kritikohet. Pretendimet për shpifje ose cenim të reputacionit adresohen përmes mjeteve ligjore.

IKD kërkon nga Qeveria e Kosovës që të distancohet menjëherë nga këto veprime, duke i dënuar publikisht dhe të kërkojë ndaljen e tyre. IKD e vlerëson heshtjen e Qeverisë përballë një situate të tillë si qëndrim që ushqen perceptimin e tolerimit dhe u jep shtysë atyre që ushtrojnë presion ndaj gazetarëve. Qeveria duhet të japë mesazh të qartë se kërcënimi i gazetarëve është i papranueshëm, pavarësisht autorit dhe qëndrimeve të gazetarit.Kjo përgjegjësi vlen edhe për subjektet politike, të cilat duhet të distancohen nga kërcënimet dhe fushatat linçuese të mbështetësve të tyre.

IKD kërkon edhe nga Presidentja e re e Republikës së Kosovës, znj. Justina Shiroka-Pula, që të reagojë publikisht dhe pa vonesë ndaj kësaj situate të krijuar. Kemi të bëjmë me të drejta të njeriut të garantuara me Kushtetutë. Në ushtrimin e rolit të saj për garantimin e funksionimit kushtetues të institucioneve, sipas nenit 84.2 të Kushtetutës, Presidentja duhet të dënojë këto veprime dhe të kërkojë nga institucionet përgjegjëse mbrojtjen efektive të gazetarëve.

IKD kërkon nga Policia dhe Prokurori i Shtetit hetim të shpejtë, të pavarur dhe efektiv të kërcënimeve, vlerësim të rrezikut dhe masa mbrojtëse sipas nevojës, përfshirë familjarët e gazetarëve të ekspozuar. Reagimi institucional duhet të parandalojë përsëritjen dhe të sigurojë përgjegjësi sipas ligjit. /2LONLINE/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.