DYLON

IKD kërkon nga Presidentja Shiroka-Pula që mandatin ta ushtrojë me pavarësi, transparencë dhe në mbrojtje të rendit kushtetues

IKD kërkon nga Presidentja Shiroka-Pula që mandatin ta ushtrojë me pavarësi, transparencë dhe në mbrojtje të rendit kushtetues
Avatar photo Redaksia

Prishtinë, 8 tetor 2026 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), pas zgjedhjes së znj. Justina Shiroka-Pula Presidente e Republikës së Kosovës, rikujton se Presidentja ka një rol të rëndësishëm në garantimin e funksionimit kushtetues të institucioneve dhe në përfaqësimin e shtetit brenda e jashtë vendit. Kushtetuta ia beson asaj kompetenca të rëndësishme në raport me ligjet, drejtësinë, sigurinë, politikën e jashtme dhe institucionet e pavarura, përfshirë rolin e Komandantes Supreme të FSK-së.

Presidentja duhet të jetë zë i të gjithë qytetarëve, mbi interesat partiake dhe llogaritjet e shumicave të përkohshme politike. Për këtë arsye, IKD kërkon nga Presidentja Shiroka-Pula që, në fillim të mandatit, të paraqesë publikisht qëndrimet dhe angazhimet e saj lidhur me këto dhjetë çështje kryesore:

EkoHigjiena

1. Kushtetuta dhe funksionimi demokratik i institucioneve

Si do ta ushtrojë Presidentja detyrën kushtetuese për të garantuar funksionimin kushtetues të institucioneve? A do të reagojë publikisht dhe në kohë kur cenohen ndarja e pushteteve, mandatet e institucioneve, procedurat kushtetuese apo kur vendi përballet me bllokada të institucioneve?

2. Dhomat e Specializuara, personat e zhdukur dhe drejtësia për viktimat

Cili është qëndrimi i saj lidhur me zhvillimet e fundit për Ligjin për Dhomat e Specializuara, të drejtat e të akuzuarve, të drejtat e viktimave dhe respektimin e pavarësisë gjyqësore? A do ta trajtojë zbardhjen e fatit të personave të zhdukur dhe dokumentimin e krimeve të luftës si prioritet të përhershëm shtetëror?

3. Partneriteti me SHBA-në, BE-në dhe integrimi euroatlantik

Si do ta udhëheqë politikën e jashtme për rinisjen e dialogut strategjik dhe forcimin e partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për avancimin e statusit të Kosovës në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian dhe NATO, si dhe për zgjerimin e njohjeve ndërkombëtare të Kosovës? A do të garantojë koordinim të institucioneve në çështjet e politikës së jashtme dhe sigurisë?

4. Pavarësia nga partitë politike dhe përfaqësimi i të gjithë qytetarëve

Çfarë standardi do të vendosë për ta dëshmuar se nuk do të jetë përfaqësuese e interesave të subjekteve politike që e kanë mbështetur zgjedhjen e saj? Si do të sigurojë komunikim dhe konsultim të barabartë me opozitën, shoqërinë civile, komunitetet dhe qytetarët?

5. Kthimi i ligjeve për rishqyrtim dhe mbrojtja e interesit publik

Si do ta përdorë kompetencën për kthimin e ligjeve në Kuvend për rishqyrtim, kur vlerëson se ato janë të dëmshme për interesat legjitime të Republikës? A do të vendosë një praktikë transparente për arsyetimin publik të dekreteve të saj për shpalljen apo kthimin e ligjeve?

6 . Sundimi i ligjit, drejtësia dhe emërimet në sistemin gjyqësor e prokurorial

Si do të sigurohet që kompetencat e saj lidhur me emërimin dhe shkarkimin e gjyqtarëve, prokurorëve, Kryetarit të Gjykatës Supreme dhe Kryeprokurorit të Shtetit të ushtrohen me integritet, pa ndikim politik dhe me respekt të plotë për pavarësinë e sistemit të drejtësisë?

7. Lufta kundër korrupsionit dhe mbrojtja e institucioneve të pavarura

Si do të reagojë Presidentja ndaj përpjekjeve për kapjen e institucioneve, emërimeve jomeritore, nepotizmit dhe konfliktit të interesit? A do ta përdorë autoritetin e saj kushtetues për të kërkuar llogaridhënie dhe respektim të standardeve të integritetit në institucionet publike?

8. Dialogu me Serbinë, sovraniteti dhe marrëveshjet ndërkombëtare

Cili është vizioni i Presidentes për dialogun Kosovë-Serbi dhe arritjen e njohjes reciproke? A do të sigurohet që çdo marrëveshje ndërkombëtare të respektojë sovranitetin, integritetin territorial, rendin kushtetues dhe funksionalitetin e shtetit të Kosovës?

9. Siguria kombëtare, FSK-ja dhe veriu i Kosovës

Si Komandante Supreme, çfarë prioritetesh do të ketë Presidentja për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës, bashkëpunimin me aleatët dhe KFOR-in, si dhe mbrojtjen e sigurisë dhe rendit kushtetues në çdo pjesë të territorit të Republikës?

10. Të drejtat e njeriut, komunitetet, mirëqenia sociale dhe llogaridhënia para qytetarëve

Si do ta udhëheqë Këshillin Konsultativ për Komunitete dhe si do të angazhohet për mbrojtjen nga diskriminimi, barazinë gjinore, të drejtat e komuniteteve joshumicë dhe integrimin e tyre në jetën institucionale? Si do ta përdorë autoritetin e saj për të nxitur konsensus institucional për arsimin, shëndetësinë, mundësitë për të rinjtë, punësimin, uljen e varfërisë dhe adresimin e emigrimit? A do të krijojë praktikë të rregullt të konferencave për media, shpjegimit të vendimeve, transparencës së dekreteve dhe raportimit publik për punën e saj?

IKD vlerëson se Presidentja duhet të sqarojë publikisht edhe qëndrimin e saj për procesin nëpërmjet të cilit është zgjedhur. Në veçanti, ajo duhet të deklarohet nëse vlerëson se zgjedhja e saj është zhvilluar në pajtim të plotë me Kushtetutën, aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese dhe procedurat parlamentare, si dhe nëse do të respektojë çdo vlerësim juridik e kushtetues lidhur me këtë process nw qoftw se do tw iniciohet rast nw Gjykatwn Kushtetuese.

Mandati pesëvjeçar i znj. Shiroka-Pula nuk do të matet përmes deklaratave, por me gatishmërinë për të mbrojtur Kushtetutën edhe atëherë kur kjo kërkon kundërshtimin e shumicës që e ka zgjedhur Presidenten. IKD do ta monitorojë ushtrimin e këtij mandati në raport me Kushtetutën, sundimin e ligjit, interesin publik dhe përgjegjësinë ndaj qytetarëve. /2LONLINE/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.