DYLON

IKD kërkon nga KPK të mos cenojë funksionalitetin e PSRK-së

IKD kërkon nga KPK të mos cenojë funksionalitetin e PSRK-së
Avatar photo Redaksia

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka pranuar me shqetësim informacionin se Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka thirrur për sot, në ora 15:00, takim të jashtëzakonshëm, me pikë të rendit të ditës diskutimin lidhur me performancën e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK).

IKD thekson qartë se llogaridhënia nuk duhet dhe nuk mund të përdoret si arsyetim për vendimmarrje me procedura të shpejta dhe të paqarta ndaj një kryeprokurori, me theks të vecantë në kohën kur kjo prokurori është duke trajtuar lëndë që ndërlidhen edhe me luftën kundër krimit të organizuar dhe krimit transnacional dhe në bashkëpunim me shtetet mike të republikës së Kosovës.

EkoHigjiena

IKD rikujton se reformat në sistemin prokurorial duhet të promovojnë besimin e publikut në këtë sistem dhe të garantojnë pavarësinë e këtij sistemi nga cfarëdo perceptimi për ushtrim të ndikimit politik në sistemin prokurorial.

KPK para se të ndërmarr cfarëdo veprimi lidhur me kryeprokurorin e PSRK, duhet të marr për bazë faktin se tanime kemi një precedent serioz që ndërlidhet me vendimmarrje të shpejtë dhe të pabazuar nga ana e KPK e që do të duhej të shërbejë si mësim institucional. Në fund të vitit 2025, KPK kishte shkarkuar Besim Kelmendin nga pozita e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit përmes një procedure të shpejtë dhe të kontestuar. Në dhjetor 2025 vet Gjykata Supreme e anuloi këtë vendim si të kundërligjshëm. KPK duhet të marr mësime nga rasti në fjalë dhe të shmangë përsëritjen e praktikave të vendimmarrjes së ngutshme.

IKD ri thekson se çdo proces i vendimmarrjes që mund të prek pozitën apo mandatin e një kryeprokururori të një prokurorie të caktuar duhet të jetë në pajtim me Kushtetutën, ligjin e aplikueshem dhe praktikën gjyqësore. Për më tepër, cdo vendimmarrje duhet të marr për bazë specifikat dhe mandatin e PSRK, andaj çdo vlerësim i performancës së Kryeprokurorit të PSRK-së duhet të jetë profesional, i drejtë, i paanshëm, objektiv dhe i bazuar në indikatorë të matshëm, duke respektuar njëkohësisht pavarësinë e prokurorëve në trajtimin e rasteve individuale.

Kërkesa për llogaridhënie nuk duhet të përdoret si instrument apo mënyrë për ndërhyrje në pavarësinë funksionale të një zyre prokuroriale, sikurse pavarësia nuk mund të shfrytëzohet si arsyetim për mungesë të llogaridhënies. Këto dy standarde duhet të zbatohen në praktikë në mënyrë të drejtë, transparente dhe të balancuar.

IKD nuk e kupton urgjencën e një takimi të tillë pa përfunduar dhe pa u shtjerrur të gjitha mjetet juridike në dispozicion. Andaj, IKD kërkon nga KPK që të siguroj proces të drejtë dhe të pavarur të mos marr asnjë veprim i cili do të cenonte parimet e sigurisë juridike, funksionalitetin e PSRK dhe më e rëndësishmja, besimin në KPK dhe perceptimin për pavarësinë e sistemit prokurorial. /2LONLINE/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.