IHMK: Përditësim mbi situatën meteorologjike (24 orët e ardhshme)
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës
Përditësim mbi situatën meteorologjike (24 orët e ardhshme)
NIVELI PORTOKALLI
Stuhi me bubullima
Periudha e vlefshmërisë:
22 korrik 2026, ora 00:00–23:59 (GMT+2)
Zona e prekur:
I gjithë territori i Republikës së Kosovës.
Çfarë pritet?
Gjatë datës 22 korrik 2026 priten zhvillime të fuqishme konvektive, të cilat do të sjellin stuhi lokale me bubullima, të shoqëruara në disa rajone me:
reshje intensive shiu;
breshër;
erëra të forta me karakter stuhish.
Ndikimet e mundshme:
• Rrezik i lartë nga goditjet e rrufesë, me pasoja të mundshme për njerëzit dhe kafshët.
• Dëmtime në rrjetin elektroenergjetik dhe ndërprerje të furnizimit me energji elektrike.
• Pengesa në sistemet e telekomunikacionit.
• Përmbytje të shpejta lokale në zonat me reshje intensive.
• Dëmtime në objekte, automjete, infrastrukturë dhe kultura bujqësore, veçanërisht nga breshëri dhe erërat e forta.
• Rritje e rrezikut për ndezjen e zjarreve si pasojë e shkarkimeve atmosferike.
Rekomandime për qytetarët:
Shmangni qëndrimin në ambiente të hapura gjatë stuhive.
Mos u strehoni nën pemë të vetmuara, pranë shtyllave elektrike ose objekteve metalike.
Mbroni automjetet dhe pronën nga breshëri dhe erërat e forta.
Tregoni kujdes të shtuar në komunikacion për shkak të dukshmërisë së reduktuar dhe rrugëve të rrëshqitshme.
Ndiqni njoftimet dhe udhëzimet e institucioneve kompetente deri në përfundimin e periudhës së paralajmërimit.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) do të vazhdojë monitorimin e situatës meteorologjike dhe, sipas nevojës, do të publikojë përditësime të mëtejshme.
