IHMK: Përditësim i parashikimit të motit (18–20 nëntor 2026)
PËRMBLEDHJE METEOROLOGJIKE
Pas parashikimit të publikuar të dielën për javën në vazhdim, Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK), bazuar në analizën e të dhënave të reja të modeleve meteorologjike dhe monitorimin e parametrave meteorologjikë në rrjetin shtetëror të stacioneve, sjell përditësimin e parashikimit të motit për periudhën 18–20 nëntor 2026.
Moti pritet të mbetet relativisht i ngrohtë për këtë periudhë të vitit, ndërsa rënia graduale e presionit atmosferik do të ndikojë në shtimin e paqëndrueshmërisë atmosferike. Dita e enjte parashihet të karakterizohet nga erëra të forta, kryesisht nga drejtimi jugor dhe jugperëndimor.
E mërkurë, 18 nëntor 2026
Parashihet të mbajë mot relativisht i ngrohtë, me vranësira të cilat do të shtohen gradualisht gjatë ditës. Nuk përjashtohet mundësia e reshjeve shumë të lehta të shiut, me sasi nën 1 mm.
Temperaturat: Në orët e mëngjesit pritet të jenë rreth 9°C, ndërsa maksimalet e ditës do të arrijnë deri në 16°C.
Era: Do të fryjë erë e dobët deri mesatare, me tendencë të forcimit gjatë orëve të mbrëmjes.
Presioni atmosferik: Pritet të shënojë rënie graduale nga rreth 1010 hPa në 1002–1005 hPa, duke sinjalizuar afrimin e një sistemi atmosferik më të paqëndrueshëm.
E enjte, 19 nëntor 2026
Parashihet të mbajë mot i ndryshueshëm, kryesisht i vranët, me reshje të lehta shiu dhe intervale me ndërprerje. Kjo ditë pritet të karakterizohet nga paqëndrueshmëria më e theksuar atmosferike, veçanërisht nga erërat e forta.
Temperaturat: Temperaturat maksimale do të lëvizin nga 15°C deri në 18°C, vlera relativisht të larta për këtë periudhë të nëntorit.
Era: Do të fryjë erë e fortë nga drejtimi jugor dhe jugperëndimor, me shpejtësi 30–45 km/h, ndërsa gjatë rafaleve mund të arrijë shpejtësi edhe më të larta. Intensiteti më i madh i erës pritet nga mesdita deri në orët e mbrëmjes.
Reshjet: Parashihen reshje të lehta shiu, me sasi që lokalisht mund të arrijnë rreth 1 mm brenda tri orëve.
Presioni atmosferik: Pritet të zbresë deri në rreth 999 hPa. Në orët e vona të ditës parashihet kalimi i një fronti atmosferik, i cili do të ndikojë në ndryshimin e drejtimit të erës.
Kujdes: Për shkak të erërave të forta, qytetarët këshillohen të sigurojnë objektet e lehta në hapësirat e jashtme. Kujdes i veçantë rekomandohet për tabelat reklamuese, skelat e ndërtimit dhe gjatë qarkullimit rrugor, sidomos në hapësira të hapura.
E premte, 20 nëntor 2026
Pas kalimit të frontit atmosferik, parashihet përmirësim gradual i kushteve meteorologjike. Moti pritet të jetë kryesisht i thatë, me kthjellime dhe vranësira të shpërndara.
Temperaturat: Temperaturat minimale do të lëvizin rreth 8–9°C, ndërsa maksimalet e ditës pritet të arrijnë deri në 17°C.
Era: Do të fryjë nga drejtimi verior dhe veriperëndimor, fillimisht me intensitet më të lartë, ndërsa gjatë ditës pritet të dobësohet gradualisht.
Presioni atmosferik: Pritet të shënojë rritje graduale, duke arritur vlera rreth 1008–1011 hPa.
TENDENCA E MOTIT PËR DITËT NË VIJIM
Nga dita e shtunë parashihet rënie graduale e temperaturave, me vlera maksimale rreth 9–11°C. Moti pritet të mbetet kryesisht i thatë, me mundësi për reshje të lehta lokale gjatë orëve të vona.
REKOMANDIME PËR QYTETARËT
Të enjten rekomandohet kujdes i shtuar për shkak të erërave të forta, veçanërisht në hapësira të hapura.
Siguroni objektet e lehta në ballkone, oborre dhe hapësira të tjera të jashtme.
Drejtuesit e automjeteve këshillohen të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit, sidomos në rrugë të ekspozuara ndaj erës.
Për shkak të ndryshimeve të temperaturave ndërmjet mëngjesit dhe ditës, rekomandohet veshje e përshtatshme.
Qytetarët këshillohen të ndjekin njoftimet dhe përditësimet e radhës nga IHMK.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK)
