Idrizi: Lamtumirë PDK

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Nijazi Idrizi, nga radhët e PDK-se, ka dhënë dorëheqje nga të gjitha pozitat që ka ushtruar në kuadër të partisë.

Në një letër njoftuese ai ka njoftuar se ka vendosur që të largohet nga PDK-ja që nënkupton edhe dorëheqjen.

Largimin e tij nga PDK-ja, ai  e ka konfirmuar edhe për Indeksonline. Ai nuk ka dashur të shtoj diçka më shumë përveç asaj që e ka thënë në letrën njoftuese.

Më poshtë letra e plotë e deputetit Idrizi:

Ju njoftoj se kam vendosur që të largohen nga Partia Demokratike e Kosovës, që nënkupton edhe dorëheqjen time nga të gjitha pozitat e deritashme që kam ushtruar në kuadër të partisë.

Duke marrë parasysh rrethanat objektive dhe subjektive, kam konsideruar të pamundur vazhdimin e aktivitetit tim politik, partiak e institucional në kuadër të Partisë Demokratike të Kosovës.

Ngjarjet në Partinë Demokratike të Kosovës, përkatësisht Degën e PDK-së në Gjilan, rrodhën në atë mënyrë saqë e ngushtuan shumë, hapësirën e veprimit tim politik.

Prandaj këtu dhe në kuadër të kësaj dege, (të cilën e kam pasur edhe bazën time të veprimit dhe angazhimit politik), e ndiej vetën të tepërt dhe të panevojshëm.

Dëshiroj të ju falënderoj për punën dhe bashkëpunimin e deritashëm që kam pasur me ju, duke mbetur me bindje se na ndajnë konceptet e idetë politike, por jo edhe synimi. Megjithatë synimi mbetet i përbashkët.

KOMENTE