Identifikohet shoferi që drejtonte automjetin me shpejtësi 135 km/h në zonën ku kufizimi ishte 40 km/h
Zyrtarët policorë të Nënstacionit Policor në Pozheran nga Drejtoria Rajonale e Policisë Gjilan, kanë identifikuar një person i cili shihet në një video-incizimi të publikuar në rrjetet sociale duke drejtuar automjetin e tij në një zonë ku me shenjë të trafikut shpejtësia e lëvizjes është e kufizuar në 40 km/h, ndërsa automjeti po lëvizte me shpejtësi prej 135 km/h.
Ndaj të njëjtit në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi janë ndërmarrë masat përkatëse ligjore duke i shqiptuar gjobë në vlerë prej katërqind (400) euro, katër (4) pikë negative si dhe masën mbrojtëse të ndalimit të përkohshëm të drejtimit të mjeteve motorike në afat prej nëntë (9) muajsh.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan apelon te të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të respektojnë kufizimet e shpejtësisë dhe shenjat e trafikut, pasi tejkalimi i shpejtësisë së lejuar dhe mos respektimi i rregullave të trafikut rrezikon drejtpërdrejt jetën dhe sigurinë e të gjithë pjesëmarrësve në trafik. /2LONLINE/
