DYLON

Identifikimi i pronës para se të realizohet një projekt, është puna më e mirë që mund të bëjë Kadastra

Avatar photo Redaksia

/2L ONLINE/ – Komiteti për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë ka miratuar të premten raportin e punës së Drejtorisë së linjës, për periudhën janar-mars të këtij viti, të cilin e ka paraqitur drejtori Sadudin Berisha. Ai ka thënë se Drejtoria për Gjeodezi, Kadastër, Pronë (DGJKP), gjatë kësaj periudhe ka pranuar 6.703 lëndë. Janë kryer 6.629 lëndë, 13 janë refuzuar, ndërsa 61 të tjera janë në procedurë. Numri më i madh i lëndëve – 3.659, kanë qenë kërkesa për certifikata pronësie, pastaj për kopje të planit dhe të tjera, ka thënë Berisha.

Ndersa, Nevzad Rushiti, kryesues i Komitetit, ka thënë se kjo drejtori ka bërë punë të madhe me matjet dhe definimin e pronës në terren, sepse u ka hapur rrugë procedurave tjera për realizimin e projekteve. “Kjo është mënyra më e mirë si duhet vepruar në terren, para se të fillojë një projekt”, ka thënë Rushiti.

EkoHigjiena

Përndryshe, Sadudin Berisha ka thënë se përveç punëve të kryera sipas kërkesave të ndryshme, DGJKP-ja ka kryer edhe punë tjera sipas detyrës zyrtare, për nevoja të qytetarëve dhe të institucioneve. Në Cërnicë, me kërkesë të Këshillit vendor, është kryer incizimi dhe definimi i kufijve të lumit, i cili kalon nëpër fshat. Me këtë rast është definuar prona publike dhe punët rreth pastrimit të shtratit të lumit mund të vazhdojnë pa pengesa të natyrës pronësoro-juridike.

Berisha ka thënë se është bërë matja dhe incizimi i rrugës nga xhamia e Deremahallës, deri te Stacioni i Autobusëve, me qëllim të eliminimit të pengesave gjatë shtruarjes së këtij segmenti me kubëza. “Është përkushtim yni që të gjitha kërkesave t`iu përgjigjemi me kohë”, ka thënë Berisha.

Për nevoja të përmbylljes së procedurave të shpronësimit të rrugës Gjilan-Prishtinë, të vitit 1974, janë identifikuar të gjitha ngastrat si dhe pronarët, të cilët duhet të shpronësohen. Gjatë kësaj periudhe janë krijuar 303 lëndë të shpronësimit, të cilat janë klasifikuar sipas zonave kadastrale Gjilan, Koretishtë, Livoç i Epërm, Bresalc, Parallovë. Të gjitha këto lëndë janë në procedurë të azhurnimit grafik – parcelimit të sipërfaqeve të shpronësuara dhe pas kësaj do të bëhen ndryshimet e titullarëve në librat kadastral.

Në fshatin Bresalc është bërë incizimi i rrugës ekzistuese te lagja e Uruqëve. Njëri nga pronarët ka shpreh gatishmërinë që të heq dorë nga kompensimi për pronën e tij, e cila është shpronësuar për interesa publike, ka thënë Berisha.

Ai ka thënë se po ashtu është kryer identifikimi i ngastrave kadastrale, të cilat preken nga projekti i rrugës në fshatin Përlepnicë, e cila shkon në drejtim të kompleksit “Vali Ranch”.

Ndërkaq, duke u përgjigjur në interesimet e anëtares së Komitetit, Arjeta Rexhepi (VV), rreth uzurpimeve, Berisha ka thënë se në këtë tremujor, gjatë punës në terren, nuk kanë hasur ndonjë rast ku është cenuar prona publike.

Arben Maliqi (LDK), ka thënë se në Gjilan duhet të fillojë një aksion për kthimin e pronave të uzurpuara, meqë nga një raport i mëhershëm dihet se ka uzurpime të pronës publike që janë identifikuar. Ai beson se uzurpime do të hasen edhe përgjatë shtretërve të përroskave, në rastet kur bëhen matjet për nevoja të rregullimi të shtretërve.

Fadil Hajdari (PDK) ka kërkuar që nga elaborati i shpronësimeve për rrugën Gjilan-Prishtinë të hiqen zonat kadastrale Koretishtë dhe Parallovë, sepse i përkasin komunës së Artanës, me çka ishte dakord edhe drejtori Sadudin Berisha, por duke sqaruar se ato ekzistojnë në këtë elaborat për shkak se në kohën kur është ndërtuar rruga kanë qenë territor i komunës së Gjilanit. Përndryshe, ka thënë ai, këto dy lëndë nuk zgjidhen në Drejtorinë e Kadastës në Gjilan.

Komiteti ka aprovuar dhe rekomanduar për procedurë të mëtejme edhe dy kërkesa, atë të Nexhemdin Behlulit për shpronësimin e një ngastre që i është marrë në vitin 2009 për nevoja të rrugës së deponisë, përmes kompensimit tokë-tokë, sipas vlerës së tregut si dhe kërkesën e Bashkësisë Islame, për dhënien në shfrytëzim të një parcele publike prej 643 m/2, në “Zabel” për nevoja të xhematit dhe qytetarëve të lagjes. Hapësira është kërkuar për një parkim veturash. /2L ONLINE/