DYLON

Ideja për shkelje të sovranitetit si mburojë e frikës nga drejtësia

Avatar photo Redaksia

Afërdita Morina-Biffar

/2L ONLINE/ – Është fare e lehtë të shqyhet një cope letër ( projektligji për gjykatën speciale) në publik, por është e vështirë të argumentohet frika prej Drejtësisë. Me argumentin se po shkelet sovraniteti i shtetit vështirë që opozita mund të bind popullin se ka të drejtë. Kosova, edhe 16 vite pas luftës, me gjithë angazhimet e fundit, ende nuk po arrin ta kthej sovranitetin shtetëror në mbarë hapësirën e saj gjeografike, si rezultat dhe pasojë e paaftësisë edhe të akterëve që aq shumë po e trumbetojnë mbrojtjen e sovranitetit shtetëror të vendit. Ku ishin këta patriote tash e sa vite, këta që në vitin ’99 dështuan ta mbrojnë e ruajnë sovranitetin edhe në veriun e shtetit të Kosovës. A janë të sinqertë kur e shqyejnë copën e letrës, apo e bëjnë nga frika, të cilës mburojë ia vënë shkeljen e sovranitetit.

EkoHigjiena

– Drejtësisë i frikësohen vetëm ata që janë në faj. Për më tepër qe populli i Kosovës i ka të freskëta të gjitha rastet e dështuara për të vënë drejtësi në Gjyqësorin e Kosovës. Vrasjet dhe eliminimet misterioze në Kosovë, asnjëherë nuk u zbardhën edhe pse disa nga to ndodhen në pikë të ditës, e në mes të lagjeve të banuara, madje edhe në prag të shtëpive të të vrarëve, e në sy të familjarëve.

Ekrem Rexhaa-Komandant Drini , është një nga të vrarët në derë të oborrit të shtëpisë, në një lagje të banuar. Nuk guxoi kush të dëshmojë e të flas për vrasjen ! Pse?

Sepse u përballën me kërcënime e madje ndodhen edhe vrasje që përfliten si dyshime se kanë të bëjnë pikërisht me frikën se do të mund të ishin dëshmitar kyç për këtë vrasje makabre!

Enver Maloku, u vra gjithashtu në pikë të ditës, në lagje të banuar. Banorët e kanë pare ngjarjen nga dritaret e ballkonet e tyre. Asnjë nga dëshmitarët nuk ka patur guximin të dëshmoj rreth asaj se çfarë ndodhi atë ditë. Pse ?
Ndoshta Donika dhe opozitarët që po e kundërshtojnë Gjykatën Speciale kanë ndonjë përgjigje inteligjente në këtë pyetje.

Smajl Hajdaraj, Tahir Zemaj, Xhemajl Mustafa, Shaban Manaj, Ismet Rraci, Haki Ymeri, Shefki Popova dhe shumë e shume të tjerë u vranë në mënyra të ngjashme. Dikush po i frikësohet drejtësisë. A janë të frikësuarit këta që e shqyejnë letrën?

Është më se normale të frikësohen ata që shtinë mbi 66 aktivistë të LDK-së e veprimtarë të devotshëm për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, të cilët sot nuk janë më në mesin e familjeve të tyre, nuk janë në mesin tonë.

Askush nuk ka guxim t’ i denoncoj e të dëshmoj për këto raste ? Pse dhe nga kush kanë njerëzit frikësohen ta flasin të vërtetën e dhimbshme, të parë me sytë e tyre ?!

Prandaj, nëse ka nga opozita dikush që mund të na thotë se pse në Kosovë, Drejtësia nuk funksionon dhe pse askush nuk ka guxim të dëshmoj në këto raste, atëherë ndoshta edhe mund t’u besojmë se dhimbja e tyre e vetme për Gjykatën Speciale, është shkelja e sovranitetit të shtetit.

Nëse kjo opozitë dhe individë nga pozita, që me ngulm janë kundër Gjykatës Speciale, do të ishin bërë të sinqertë njëherë në jetën e tyre dhe të na thonë se këtu dështuam, se Gjyqësorin në Kosovë e sakatosëm dhe nuk e lamë ta bëjë punën që duhet, atëherë ndoshta edhe ne do të ngriheshim kundër Gjykatave të huaja sepse më mirë do të ndjeheshim të shihnim gjykime nga organet tona të drejtësisë.

Por, e vërteta është, se të gjithë e dimë e të gjithë jemi dëshmitarë të një të vërtete të dhimbshme, se këtu të fortit nuk lejojnë të bëhen gjykime të drejta, se këtu dëshmitarët, o frikësohen e shantazhohen e ju mbyllet goja, o vriten …

Se ishim dhe jemi engjëj dhe se të gjithë të vrarët pas lufte i mbyti rrufeja apo dora e Serbisë , këtë përrallë nuk na e beson kush më, as brenda në Kosovë dhe as jashtë saj .. prandaj spektakle të tilla me shqyerje të projekt -ligjit për Gjykatën Speciale, me çjerrje zëri e britma se sa të padjallëzuar jemi ne, vetëm sa i shndërrojnë këto personazhe në karikatura qesharake e të mjera, në sy të opinionit publik vendor dhe ndërkombëtarë.

Shteti nuk bëhet me folklorizma patetikë. Sovranitetin nuk mund ta shtrijmë në gjithë vendin duke e kundërshtuar segmentin kryesor të shtetndërtimit e sovranitetit-drejtësinë, por me marrje të përgjegjësive edhe në raste të rënda e të vështira. Vetëm në këtë mënyrë mund të dëshmojmë se jemi të gatshëm të vëmë themelet e forta për të ecur përpara vendi ynë. Këtë mund ta bëjmë duke treguar se jemi të përgjegjshëm karshi të ardhmes së vendit, për hir të së ardhmes së fëmijëve tanë dhe brezave që nuk meritojnë të ua lëmë për barrë, peshën e rëndë të së kaluarës së errët dhe të pandriçuar.

Gjaku i askujt nuk humbet, herët a vonë e drejta ngadhënjen. Me apo pa Gjykatën Speciale e vërteta shpërfaqet e merr dhenë…Sa me herët që do të ndodhe ky proces aq më mirë për të gjithë ne, për të ardhmen e brezave të rinj, për të ardhmen e shtetit të Kosovës pa faje e borxhe nga e kaluara! /2L ONLINE/