DYLON

Ibrahimi: Kësmet sivjet me krejt familjen po e kryejmë klasën e dytë!

Avatar photo Redaksia

/2L ONLINE/ – Familja e Vehid Ibrahimit nga fshati Muqibabë, prej se ku iu dogj shtëpia, në korrik të vitit 2014, vazhdon të banojë në shkollën e fshatit, ku ka përvetësuar dy klasa, që i ka shndërruar në dhoma banimi, ani se në klasat tjera ngjitas, mësimin e ndjekin nxënësit e kësaj shkolle fillore, që është paralele e ndarë e shkollës “Mulla Idriz Gjilani” në Velekincë.

Kryefamiljari Vehid Ibrahimi shpeshherë, prej zori, ngushëllimin në mungesë të një shtëpie ku ta fus kokën, e gjen në humorin e tij. Ai thotë se komplet me familje, gruan dhe tre fëmijët, më të voglin, mbi 18 vjet, tani në qershor presin ta kryejnë klasën e dytë dhe në shtator të nisin klasën e tretë. “Na klasat po i kryejmë rend, veç që mësuesit nuk po na pyesin për notë. Sigurisht po na kalojnë me të njohshëm, sepse komuna nuk po na bënë çarën, e vet nuk mundemi për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike dhe ja viti i dytë shkoi, ne akoma jemi në këtë shkollë kah jetojmë”, vazhdon Vehid Ibrahimi, me humorin e tij, që e quan “humor të zorit”.

EkoHigjiena

Në këtë fshat të Komunës së Gjilanit që ndodhet në brezin kufitar jetojnë rreth 20 familje, shumica e tyre janë shfrytëzues të skemës sociale, përfshirë edhe Vehid Ibrahimin, si lider i kësaj ane të kufirit, pasi ai tani së fundi është zgjedhur edhe kryetar i Këshillit të fshatrave Muqibabë, Burincë e Lipovicë.

“Njeriu prej zori po bojka edhe hajgare me veten”, thotë Ibrahimi, për Portalin 2LONLINE, për të shtuar se e kupton që prania e tij në shkollë është e pakuptimtë, madje është pengesë për nxënës, sikurse edhe ata janë pengesë për një jetë normale të familjes së tij, por nuk ka zgjidhje tjetër dhe derisa nuk i ndërtohet një shtëpi në fshat, ose nuk i gjendet një zgjidhje tjetër, ata do të jetojnë aty.

Ai madje shkon tutje me humorin e tij, duke thënë se për shkollarët e asaj shkolle është edhe një e mirë, që nëse mësuesi i nxjerrë nga orët, për ndonjë problem, ata nuk kanë nevojë të sorollatën korridoreve, por thjesht mund të futën në një klasë, tjetër, që në fakt është dhomë ku jeton familja e tij, e ai do t’i pret si mysafirë, siç edhe i ka pritur shpesh me bukë e qaj, ose së paku janë ngrohur nxënësit kur ka qenë ftohtë.

Përndryshe, ai ripërsëritë edhe njëherë atë që e ka thënë disa herë edhe publikisht se kurrë në jetë, nuk e lëshon fshatin e tij të lindjes që është në kufi.

“Nuk i marr kur lakmi gjermanit, apo ndonjë toke tjetër, po tokës teme shqiptare”, thotë Ibrahimi, që pret e shpreson se megjithatë Komuna e Gjilanit do t’ia bëjë një çare dhe do t’ia ndërtojë, siç thotë ai, “një kafshore shpi”, në Muqibabë, e deri atëherë, sërish duke përdorur humorin e tij,  shprehet se po i dashka ta kryejnë edhe njëherë filloren me krejt familjen e tij, sepse prej shkolle nuk ka ku shkon. 

Përndryshe, Vehid Ibrahimi së bashku me gruan dhe tre fëmijët e tij, janë bërë banorë të shkollës, prej se shtëpinë e tyre e gëlltit zjarri, një natë të korrikut të vitit 2014, dhe e bëri shkrumb e hi. Ai dyshon se zjarri erdhi nga rryma elektrike. /2L ONLINE/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.