DYLON

Ibrahim Rugova studiues modern dhe cilësor i letërsisë

Ibrahim Rugova studiues modern dhe cilësor i letërsisë
Avatar photo Redaksia

Shkruan: Anton Nikë BERISHA

Ibrahim Rugova studiues modern dhe cilësor i letërsisë

EkoHigjiena

Përmbajtje e shkurtër:

Në punim vështrohet puna e Ibrahim Rugovës në fushën e studimit të letërsisë dhe të kritikës letrare në letërsinë tonë. Ndriçohet sidomos moderniteti i mënyrës së vlerësimit dhe të mendimit të përligjur në veprat e tij. Sillën të dhëna e fakte për kthesën që bëri ai në kritikën dhe në studimin tonë letrar, duke zbatuar qasjen dhe interpretimin modern, që zbatohej në letërsi në Evropë dhe në Amerikë. Analizohet puna e tij cilësore në vlerësimin e letërsisë si krijimtari e mëvetësishme, si diferentia specifica, në mënyrë te veçantë rëndësia që i jep tekstit të veprës letrare si përbërësit kryesor të saj. Ndriçohet edhe ndihmesa e tij në zbatimin modern dhe në pasurimin e terminologjisë në studimin tonë të letërsisë.

Në mbyllje të punimit theksohet se me veprat teorike dhe interpretuese që botoi, Ibrahim Rugova përftoi bazën cilësore dhe të ngritur të studimit modern të artit të fjalës në gjuhën tonë.

***

Me librat e natyrës teorike, kritike dhe me një varg interpretimesh, që u bëri disa veprave të shkrimtarëve tanë dhe dukurive të ndryshme të letërsisë, Ibrahim Rugova bëri një kthesë në fushën e studimeve tona letrare. Ai kishte një dije të pasur dhe të qëndrueshme për letërsinë, të vjelë nga shumë libra në një moshë kryesisht të re, të thadruar mirëfilli në një mendje të shkathët, që ishte e aftë të verë në përdorim atë dije, po dhe ta zgjerojë e ta thellojë, duke e zbatuar në studimin e veprave të artit tonë të fjalës, përkatësisht të tekstit të tyre, ta studiojë dhe ta interpretojë atë si strukturë gjuhësore shprehëse dhe si shumësi kumtesh poetike.

Rugova e vështroi letërsinë si krijimtari shpirtërore mendore, si art i fjalës, si vetë qenësi dhe vetë ekzistencë e jo si shërbëtore të veprimtarive të tjera brenda superstrukturës, siç thoshte ai . Pra, Rugova iu qas dhe e vështroi letërsinë si krijimtari të mëvetësishme – si diferentia specifica, që lind, funksionon dhe bën ndikimin e saj estetik në mënyrë të pavarur.

Letërsia dhe veprat e saj e përligjin këtë mëvetësi me mënyrën e përdorimit të gjuhës dhe të shprehurit, të shtjellimit të lëndës përkatëse, të tekstit, që jetësohet nga marrëdhënia, nga ballafaqimi dhe nga kundërvënia e fjalëve dhe e kuptimit të tyre. Nga studimet e tij del qartë që përmbajtja e një krijese letrare poetike nuk e përcakton formën e saj, po është e kundërta: forma e përcakton përmbajtjen, rëndësinë dhe vlerën e saj.

Duke qenë i vetëdijshëm për rrafshin teorik që e cilësonte kritikën dhe studimin e letërsisë në botën tonë, qoftë në Kosovë , qoftë në Shqipëri, në fillim Rugova iu përkushtua çështjeve teorike në mënyrë që të hapeshin shtigje për qasje e interpretime të mirëfillta të dukurive e të veprave të veçanta. Pra, ai u paraqit me punime dhe me vepra në kohën kur në kritikën shqipe mbisundonte modeli i kritikës: pak për kushtet në të cilat jetoi shkrimtari (lexo: rrethanat shoqërore), pak për personazhet, pak për stilin, pak për gjuhën e pak për vlerat artistike. Rugova iu kundërvu mënyrës së këtillë të studimit, duke zbatuar njohuritë e studimit të letërsive të tjera në Evropë dhe në Amerikë. Disa nga interpretimet letrare të bëra nga ai hyjnë në punimet antologjike të kësaj natyre brenda letërsisë sonë.

Kthesën kryesore Rugova e bëri me futjen dhe zbatimin e mendimit modern në mendimin tonë kritik dhe teorik. Pikërisht ky veprim solli rezultate të pamohueshme prandaj mund të thuhet se asnjë studiues yni i periudhës, kur ai i botoi frytet kryesore të punës së vet, nuk pati një përgatitje teorike moderne dhe nuk e zbatoi atë dije në interpretimin e veprave e të dukurive tona letrare, ku u dëshmuan mundësitë e shumta të analizës së tekstit poetik, përkatësisht të gjuhës poetike e të ndikimit estetik në marrësin. Kjo ndodhi dhe në përdorimin dhe pasurimin e sistemit përkatës terminologjik, pa të cilin nuk mund të mendohet studimi cilësor modern dhe bashkëkohës. Gjithë kjo i jep veprës së Rugovës një vlerë dhe rëndësi të veçantë. Kështu, duke e lënë anash terminologjinë tradicionale e pozitiviste, Rugova i dha përparësi asaj moderne e bashkëkohore, kur thotë, fjala vjen, “Termi estetikopoetik, që u atribuohet elementeve, këtu merret si një nocion në vete, jo në vështrim të veçantë të estetikës dhe të poetikës, por si përbërës, që përmban elemente të këtyre dy fushave të studimit të letërsisë, si një përbërës i përbashkët në funksionin e tij ndërveprues dhe ndërkushtëzues. Një trajtim i këtillë i këtij termi është i arsyeshëm dhe i mundshëm, kur kemi parasysh korrespondimin reciprok të poetikës me estetikën. Kështu mund të argumentojmë se poetika i afrohet estetikës, meqë nuk e studion vetëm mjeshtërinë e shkrimit, respektivisht konvencionet e shprehjes, por edhe bazat e vlerave letrare dhe elementeve të tjera, që letërsinë e cilësojnë si art ”.

Rugova iu qas dhe e vështroi veprën letrare si krijesë artistike, si formësim artistik, që e objektivon botën, jetën e një kohe të caktuar, të dhënë përmes subjektit e të konstituuar në botën e fjalës e që ekziston dhe komunikon si e tillë në planin e një thurjeje, të një gërshetimi që quhet tekst artistik. Në fakt vepra është një krijim artificial, një vepër shpirtërore-intelektuale e njeriut, si veprimtari specifike e tij, e që mund të pohohet kështu vështruar në aspektin e përbërjes dhe të formimit .

Pra, Rugova ishte i bindur se studimi i artit të fjalës, letërsisë duhet të bëhet në bazë të vlerave të tekstit e të cilësive të tij poetike, e jo t’i qasemi atij për qëllime jo artistike ose me paragjykim: “Të jemi pa kompleks – duhet të zhvillojmë mendimin, t’i zgjerojmë vazhdimisht hapësirat e tij krijuese. Kuptimi i drejtë historik i pranisë të sjell në krijimin teorik, të lidhë me kohën, me problemin. Apo siç do të thoshte Brechti përmes Barthesit: duhet të teorizojmë e të shmangim (likuidojmë). Kjo është dialektika e mendimit dhe e krijimit ”.

Nga punimet dhe veprat e Rugovës del qartazi se vepra letrare poetike duhet të vështrohet në ndërliqësinë teorike dhe të realizimit praktik, në tërësinë e funksionimit, të pranimit e të ndikimit estetik të saj në marrësin.

Duke e parë dhe studiuar veprën letrare si fenomen të hapur e shumësor, Rugova hulumtoi aspektin konotativ – kuptimor, si rezultat i strukturimit të veçantë gjuhësor – poetik, pra vrojtoi çka mund të thotë teksti i një vepre letrare, sidomos formën dhe mënyrën si thuhet ajo në tekstin përkatës. Brenda këtij përimtimi të sajesës letrare dhe procesit të formësimit, Rugova zbatoi sistemin e vet të qasjes, të interpretimit dhe të konkretizimit. Ai e vështroi edhe qenësinë estetike të tekstit, po dhe prapësimin (refuzimin) estetik si përbërës të karakterit të lirë e të gjerë të të shprehurit poetik dhe garanci për veprimin më të madh dhe jetën më të gjatë të një vepre , sidomos në rastet e imponimit të jashtëm. Së këndejmi, refuzimin estetik, shkruan Rugova, e konsiderojmë si qenësi të letërsisë, sepse sipas ligjeve të natyrës, e madje edhe të atyre sociale, çdo gjë që krijohet duhet edhe të mbrohet dhe të mbahet në jetë .

Të veçantën e studimit të letërsisë dhe të veprës letrare Rugova e shihte në përligjjen e përbërësve poetikë – estetikë, përmes të cilëve përftohet dhe funksionon krijesa poetike, realiteti poetik: “Një argumentim më i arsyeshëm sa i përket artit dhe letërsisë, qëndron në estetikën objektive – ontologjike, e cila, në të përmendur, studion objektin estetik dhe qenien e objektivuar estetike, dhe kjo qenie, si e tillë ekziston në veprën artistike, si realitet. Kjo estetikë është në gjendje ta studiojë letërsinë në aspektin e drejtë – estetik, që merret funksion primar i saj, vepra artistike, letrare ekziston në pavarësinë e vet dhe në këtë ajo bën jetën e saj bashkë me njeriun si qenie shoqërore ”.

Në bazë të studimit që u bëri disa veprave të letërsisë sonë Rugova theksoi se në kritikën letrare mbipeshojnë dukuritë që nuk lidhen mirëfilli me poetikën dhe estetikën “Te ne deri tash më tepër është bërë studimi jashtëletrar, meqë edhe letërsia u gjend më shumë në shërbim e nuk ekzistoi për veten dhe si e tillë të jetë më afër njeriut, siç ka filluar të jetë tash. Duhet të orientohemi edhe në studimin e letërsisë si model, si produkt i veçantë, si realitet i veçantë i modeluar me efekt të duhur estetik, ta studiojmë teknologjinë e saj, që përmes kësaj arrin efektin e ri estetik, e jo atë të dikurshmin pasqyrues, po këtë, të sotmin prodhues artistik ”.

Dukuritë jashtëletrare Rugova i vërejti sidomos në kritikën letrare, që, sipas Rugovës, ishte kryesisht impresioniste, didaktike e pozitiviste: “Kritika impresioniste – didaktike, lidhet ngushtë me momentet letrare, nuk e ka pavarësinë e vet, nuk mund të lirohet nga gjykimet dhe vlerësimet e marra shpesh apriori e subjektive dhe i trajton më shumë çështjet jashtëletrare; u zhvillua në fillim të formimit të mendimit mbi letërsinë. Me dukjen e kritikës impresioniste-sociologjike, mund të themi se nis themeli i mendimit letrar, por pa një sistem të formuar mirë dhe pa kritere të qëndrueshme e konsekuente. Kjo kritikë, qëndrimet dhe interpretimet e veta i mbështet pak në teoritë bashkëkohëse dhe nuk komunikon sa duhet me mendimin teorik. Termat e saj themeltohen kryesisht në ‘teorinë e pasqyrimit’: pasqyrim i denjë, pasqyrim besnik, pasqyrim subjektiv i realitetit objektiv etj. Si dhe në termat e kritikës impresioniste: i madh, madhështor, entuziast, emocional, i pakrahasueshëm etj., që mban anën e një kritike të konceptit të pakontrolluar. Në këtë përvijim del edhe kritika sociologjike-humaniste, e cila nga letërsia i kërkon dhe thekson vlerat sociologjike dhe humaniste e etike si dhe domethënien e tyre në ekzistimin e njeriut, në formimin e tij të përgjithshëm të kushtëzuar ”.

Duke zbritur në rrafshin e konkretizimit dhe të ndriçimi të kësaj dukurie Rugova do ta përmendë njërin nga ata që këtë kritikë e zbatoi në punimet dhe veprat e veta: “Që në shkrimet e para kritike dhe më tutje R. Qosja do të vërë në interesimin e vet kritik çështjen e angazhimit, si njërën nga premisat teorike për vështrimin e letërsisë. Si dhe kritikët e tjerë të kësaj kohe do të kërkojë që problemin e angazhimit ta kuptojë më gjerë. Kështu kur bën fjalë për autorë të ndryshëm, poezinë do ta quajë “si akt të angazhimit” (E. Mekuli) , apo në shkrimin për Mjedjen thotë se ka “angazhim moral e artistik ”.

Në vijim të vëzhgimit dhe të vlerësimit të kritikës integraliste të njëjtit autor, Rugova shkruan: “Qasjen e vet që i bën letërsisë, konkretisht veprës letrare do ta thotë me një rast se duhet të kihet parasysh “integraliteti i veprës”. Në të vërtetë në analizën e veprës dhe të letërsisë do të niset nga ky integralit ”; kur kërkohet që për letërsinë të “shkruhet në mënyrë artistike ose që kritika të ketë edhe imagjinatë e figuracion dhe emocionalitet. Deridiku lidhet me pikëpamjen e kritikës si art për veprën, si reagim i rrëmbyer për problemet e ndryshme, që shpesh është veti e kritikës praktike aktuale . Duke e ndriçuar më tej natyrën e kësaj kritike letrare Rugova vë në dukje sa vijon: “Pastaj gjatë punës kritike, për arsyetimin apo mbështetjen teorike të pikëpamjeve të veta, ai bën përpjekje të inkuadrojë argumentin. Të shumtën e rasteve këtë e gjen me vend, po shpesh e sjell në kuadër të diversitetit nga aspekte të ndryshme teorike, që nuk përkojnë me problemin që e shqyrton. Edhe në rastet kur i shqyrton çështjet e ndryshme letrare, përkundër argumenteve që i sjell, më shumë del me qëndrim të caktuar duke i mohuar vetë argumentet e sjella. Madje edhe në vlerësimet e ndryshme, si për autorët e traditës, ashtu edhe për ata bashkëkohës, nuk mundi të çlirohet plotësisht nga çështja e dualizmit vlerësues, që ishte e pranishme në kritikën e mëparshme, edhe pse e kundërshtonte mjaft atë kritikë ”.

Rugova mendonte se në qendër të kritikës që bëhej ndër ne mbipeshonin sidomos qasjet dhe vlerësimet sociologjike “Nga kjo paraqitje e shkurtër e mendimit mbi letërsinë, del se në qendër të kritikës sonë qëndron elementi vlerësues sociologjik, i cili nuk po thellohet dhe jepet në studimin e drejtë sociologjik bashkëkohës, prandaj shpesh po shndërrohet në sociologjizim, që po e pengon zhvillimin edhe të orientimit tjetër, të studimit shkencor konsekuent dhe atë të sistemit të brendshëm të letërsisë ”.

Rugova theksonte po ashtu se disa nga studiuesit tanë të letërsisë, përkatësisht kritikë letrarë kishin bërë hapa të rëndësishëm dhe kishin ndikuar në ndryshimin e gjendjes së studimit dhe të kritikës sonë letrare duke u përqendruar te teksti poetik, përkatësisht te vepra letrare si krijesë tërësore gjuhësore shprehëse poetike: “Në gjashtë-shtatë vitet e fundit nis të zhvillohet një kritikë më ambicioze, më e matur, e cila mundohet të bëjë lidhjen me mendimin bashkëkohës teorik e letrar. Së pari kjo kritikë e bën ndërlidhjen e rëndësishme të kësaj letërsie me letërsinë e përgjithshme shqiptare. E bën këtë duke marrë për objekt vështrimi dhe interpretimi krejt letërsinë shqiptare, me përpjekje për studimin historik të letërsisë për t’i vënë në sprovë vlerat e traditës dhe të së tashmes. Janë përpjekje të një kritike integrale, që veprën letrare, letërsinë e merr në prirje me faktorët jashtë letrarë. Parimi i saj kryesor i qasjes është sintezë-analizë dhe anasjelltas, parim përgjithësues ”.

Si u tha edhe më parë, punën e vet në fushën e kritikës dhe të studimit Rugova e përqendroi në tekstin e veprave letrare si përbërësin kryesor nga se ai (teksti) ka qenë dhe do të jetë objekt shqyrtimesh të përhershme nga fakti se është krijesë, shtjellim gjuhësor shprehës i menduar, që përbëhet nga një tërësi marrëdhëniesh të ndryshme të fjalëve, të frazave e të pjesëve më të mëdha tekstore, të cilat të përligjura përmes gjuhës poetike cilësohen gjithmonë me shumësi kuptimore. Kjo dëshmon për natyrën e ndërliqshme të tekstit letrar, duke lënë përherë mundësinë për qasje e për interpretime të tjera deri në pafund. Ngushtë lidhur me këtë Jurij Lotman theksonte me të drejtë se “Teksti artistik është mendim shtjellues i ndërliqshëm. Të gjitha elementet e tij janë elemente kuptimore […] çdo detaj dhe i gjithë teksti në tërësi janë të përfshirë në sisteme të ndryshme marrëdhëniesh dhe njëkohësisht arrijnë si rezultat më tepër se një kuptim “. Duke e studiuar me përkushtim e dije tekstin artistik Lotmani shpreh edhe këtë mendim, që meriton të kihet kurdoherë parasysh kur merret në vështrim teksti artistik dhe synohet të përcaktohen veçantitë e tij: “Tashmë moti është futur në përdorim krahasimi i artit me jetën. Mirëpo, vetëm tash po bëhet e qartë sesa shumë të vërteta ka në këtë krahasim, i cili dikur ka tingëlluar si metaforë. Me siguri mund të thuhet se midis gjithë asaj që ka krijuar dora e njeriut teksti artistik në masën më të lartë ka ato cilësi, të cilat kibernetistin e nxisin të merret me indin e gjallë “.

Studimet letrare të Rugovës shtrihen në gjithë letërsinë shqipe, nga veprat e shkrimtarëve tanë të vjetër e deri tek ato bashkëkohore. Po përmend këtu disa nga punimet e tij për disa nga veprat më të rëndësishme të letërsisë sonë, si ato të Xoxes, Kadaresë, Podrimjes, etj. Thellësia dhe ngjeshësia e mendimit të tij përligjen nga konceptimi, organizimi, shkoqitja – analizimi i fenomeneve që i merr në shqyrtim.

Po përmend se në studimet e veta Ibrahim Rugova nuk i shprehu mendimet në mënyrë të prerë, po si rrjedhojë e studimit dhe e analizës paraprake përkushtuese dhe përherë la dhe mundësinë e vështrimit të dukurive edhe nga pikë vështrime të tjera, madje edhe të ndryshme nga ato që i bën ai. Kjo ndodh ngase vepra letrare është krijesë që secili e lexon dhe vë komunikim në mënyrën e vet, varësisht nga niveli i përgatitjes teorike dhe i njohjes së praktikës letrare, estetikës receptive, por edhe më gjerë. Për këtë arsye nëse me të drejtë thuhet se kritika dhe interpretimi objektiv dhe thellësisht kreativ e zgjeron dhe e thellon kuptimin e ekzistimit e të ndikimit, shpalos strukturimin e botës poetike të veprës letrare, pra të ekzistencës dhe qenësisë së saj, atëherë një gjë e tillë përmbushet në mënyrë të ndjeshme dhe të veçantë në veprat e Rugovës.

Mund të thuhet se çdo libër i Rugovës i botuar paraqiti një çast të shënuar brenda mendimit tonë letrar teorik e kritik.

Kështu në veprën e parë teorike interpretuese Prekje lirike (1971) me një qasje dhe gjuhë të veçantë poetike ai depërtoi thellë në qenësinë lirike e kuptimore të poezisë së disa poetëve më të njohur botërorë e shqiptarë si, fjala vjen, Bodlerit, Jeseninit, Lorkës, Preverit, pastaj Nolit, Migjenit, Serembes etj. Nëpërmjet gjuhës poetike – shprehëse autori thellohet në tiparet dhe cilësitë artistike e estetike të teksteve të poezive të shqyrtuara dhe arrin një identifikim të plotë me forcën lirike e komunikuese të krijimeve – si mundësi e përjetësisë poetike të artit. Me veprën Kah teoria (botimi i parë më 1978) , letërsia vështrohet si diferentia specifica dhe problemet e saj qenësore i ndriçon në rrjedhën e përgjithshme të mendimit teorik e kritik botëror, pra sjell një dije të rëndësishme, të drejtpërdrejtë nga kulturat dhe letërsitë e tjera . Libri është një përmbledhje e punimeve rreth natyrës dhe të veçantës të artit të fjalës, ku vështrohen dukuri të ndryshme të teorisë së letërsisë, të poetikës e të estetikës. Në fjalën paraprake të librit Rugova shkruan: “E të bësh një libër – përmbledhje, përmbledhje të gjërave, të shkrimeve të shkruara në rrjedhën e disa vjetëve, që të shumtën lidhen me aktualen, do të thotë të gjendesh para një vështirësie edhe më të madhe. Në momentin kur i përmbledh, i inkuadron, i inkorporon në tërësi – del një gjë tjetër – libri; del një imazh tjetër – një tërësi në ide më shumë koherente, e dendur – një vizion i shkuar nëpër të cilin ndien praninë tënde; e në realizim: ngritje e rënie, që të sjellin në një rivlerësim, në një punë të rëndë ”.

Studimin e letërsisë Rugova e pasuroi dhe me librin Strategjia e kuptimit , që është një verifikim i ri i aftësisë së tij që të merret me çështje konkrete të studimit dhe të interpretimit të veprës letrare e të dukurive të saj, ku sintetizohet e realizohet praktika letrare – vështrimi dhe interpretimi i veprës letrare si unitet formësor, kuptimor e artistik. Vepra dëshmon për cilësinë dhe vetëdijesimin e mendimit tonë teorik dhe estetik; shpreh përbashkimin e teorisë dhe të praktikës letrare – një artikulim dhe interpretim modern të problemeve të artit të fjalës në përgjithësi e sidomos të veprës letrare në veçanti. Për herë të parë brenda mendimit tonë kritik letrar dhe estetik përligjet njohja e thellë e teorisë në shqiptimin dhe analizimin e dukurive të veprës letrare si shtjellim dhe kuptimësi, ku shprehet veçanërisht saktësia e konceptimit të objektit të shtruar, i të shprehurit dhe i të menduarit nëpërmjet metagjuhës; një kohezion i logjikës vetëzotëruese, funksionale e nxitëse, një siguri për të komunikuar me probleme ontologjike të letërsisë dhe të veprës letrare, pa e imponuar çështjen e shtruar, por duke e shprehur nëpërmjet kuptimësisë sintetizuese individuale dhe gjithnjë duke e ndërlidhur atë në një kontekst më të gjerë. Në mënyrë të vijueshme Rugova gjakon kuptimin në veprën letrare në një varshmëri e kushtëzim të ndërsjellë me përbërësit e tjerë qenësorë si, fjala vjen, shtresat e rrëfimit artistik, imazhet, figuracionin etj. Ai vë në dukje se vepra artistike është fakt artistik, ku vërtetohen një apo disa ide dhe pikëpamje, të mënyrës shtjelluese artistike, çka shpreh baraspeshën e një të vërtete që kërkohet të theksohet e të bëhet e njohur.

Çështjen e shpalimit të kuptimit në veprën letrare autori e zhvillon në mënyrë aplikative dhe vë në dukje se është i domosdoshëm cilësimi i kuptimit dhe i cilësimit të kuptimit, domethënë i kuptimit të zbatuar në veprën letrare dhe i atij që ia japim ne. Rugova thekson se kuptimi nuk mund të zëvendësohet me përmbajtjen e forma me strukturën, as anasjelltas, sepse vetë ky është finalitet i këtij organizimi organik që quhet vepër e realizuar përmes shkrimit.

Studimin e dukurive teorike, estetike dhe interpretuese Rugova e pasuroi edhe me librin Refuzimi estetik (1987), ku arti letrar, sidomos vepra letrare dhe mundësia e komunikimit dhe e ndikimit të saj në lexuesin vështrohet në një këndvështrim sa të ndërliqshëm, aq dhe modern, duke e parë atë si një tërësi shumësore përbërësish dhe mesazhesh poetike e jo si porosi dhe këshillë, siç e parapëlqente dhe e shprehte studimi pozitivist. Rugova ngrihet kundër imponimit në studimet letrare, kundër përcaktimeve politike e ideologjike dhe i jep përparësi qasjes dhe interpretimit të lirë e kompleks të përbërësve poetikë të tekstit letrar dhe rëndësisë së ndikimit estetik: “Refuzimi estetik realizohet në formë të drejtpërdrejtë me mjete letrare që njihen prej kohësh, siç janë satira, sarkazmi, grotesku apo ironia e angazhimi në kohën modeme, e në formë tjetër fondamentale realizohet, kur letërsia me vetë praninë e realitetit në vete dhe të realitetit të vet refuzon imponimin ”.

Pra, përmes prapësimit estetik letërsia dëshmon se është një krijimtari artistike e mëvetësishme dhe e qëndrueshme dhe se artin e ka përbërësin kryesor përmes të cilit ekziston dhe e dëshmon cilësinë dhe aftësinë e saj, aftësinë për t’iu kundërvënë dhe për të prapësuar çdo synim dhe përpjekje që e zbret dhe e zhvlerëson rëndësinë dhe qenësinë e saj. Pikërisht përmes prapësimit estetik “[…] letërsia ndikon në vetëdijen kulturore të kohës, e kjo në vetëdijen dhe në aksionin politik, apo të pushtetit, duke krijuar inferioritetin e tij ndaj saj ”. Kështu, ndodh edhe përballë politikës, e cila për qëllime ditore ose kohësisht të kufizuar, ndonjëherë synon ta shndërrojë atë në mjet të vetin, ta përdor për qëllime të veta, siç ndodh, fjala vjen, në sistemin komunist: “Dhe sa herë që politika e kufizon letërsinë, ajo përmes refuzimit estetik dhe realizimit të qenësisë së vet, e refuzon politikën. Dhe gjithmonë politikë apo pushtet më i mirë ka dalë ai pushtet që nuk e ka kufizuar dhe nuk i është mbivënë letërsisë, sepse dihet se letërsia, për nga natyra e vet, ka vlerë mbijetuese e politika vlerë aktuale dhe merret si dëshmi e veprimit në momente të caktuara historike ”.

Sipas Ibrahim Rugovës domosdoja që letërsia ta mbrojë vetën dhe qenësinë e vet poetike ndodh në të gjitha kulturat dhe se secila prej tyre e përligj aftësinë dhe vlerën për ta prapësuar atë që nuk i përket asaj dhe që e zvogëlon rëndësinë dhe vlerën që ka: “Do thënë, se edhe në kulturat e mëdha, e edhe në ato më të vogla, sot është bërë legjitime vetëdija se imponimit të jashtëm që i bëhet artit dhe letërsisë duhet kundërvënë me refuzimin estetik. Pra duhet krijuar letërsi të mirë, të qëndrueshme me qenësi të fortë estetike, në mënyrë që të mbahet zhvillimi i saj, se ky është rezultat më i rëndësishëm në aktualitetin e një kohe dhe në rendin historik kulturor. Ky do të ishte efekti praktik i refuzimit estetik kundër çdo veprimi dhe diskursi represiv. Vetëm kështu letërsia mbetet letërsi dhe ndikon në pushtet dhe në shoqëri. Çdo formë tjetër mbetet diçka tjetër, me veprim tjetër ”.

Në rrafshin e interpretimit të veprave konkrete të shkrimtarëve tanë të vjetër, të cilat deri vonë u morën vetëm si përkthime ose përshtatje dhe lëndë gjuhësore e fetare, studimi monografik Vepra e Bogdanit 1675 – 1685, dëshmon aftësinë dhe dijen e lartë të Rugovës të ballafaqohet dhe të vërë komunikim dhe me tekste të ndërliqshme siç është Cuneus Prophetarum (Çeta e profetëve) e Pjetër Bogdanit, e shkruar në gjuhën shqipe qysh më 1675 dhe e botuar në shqip dhe e përkthyer në italisht më 1685 (në Padovë) .

Nga studimi që i bëri Cuneus-it të Pjetër Bogdanit dëshmohet se ajo është një vepër monumentale e letërsisë sonë të vjetër, por edhe e letërsisë sonë në përgjithësi, ku për herë të parë në gjuhën shqipe, në një nivel, me një gjerësi e me kompetencë të lartësuar, shtrohen, theksohen e shkoqiten probleme të rëndësishme teologjike, filozofike, letrare, estetike, kosmogonike etj. Ato nuk janë shtruar dhe konceptuar rastësisht dhe dosido, sepse, si thekson autori, Çeta “[…] nuk është (vepër) thjesht speciale, që i kushtohet vetëm një problemi të veçantë. Për kah ideja themelore mund të konsiderohet si e tillë, po për nga problemet e shumta, marrë në planin metodologjik, është vepër universale, sepse përfshin dhe përmban në vete, në objektin e vrojtimit dhe të shqyrtimit të vet, disa klasematika problemesh e çështjesh rreth një apo disa ideve qendrore e esenciale, prandaj e gjithë vepra është një praktikë filozofike, një filozofim i pasur dhe i thelluar me argumente mbi krijimin, marrë në kuptimin më të gjerë dhe mbi jetën dhe përvojën njerëzore në planin e vendosjes dhe të shqyrtimit”. Të gjitha këto, vijon Rugova, përligjen në këtë vepër me “Një ligjërim intelektual e energjik në krijim dhe në formulim”.

Rugova i qaset dhe e zbërthen konceptin teologjik në veprën e Bogdanit, historinë e ekzistencës së njeriut – qenien e pavarur (ente independente) – Zotin, por edhe çështje të filozofisë së Mesjetës, me të cilat teologjia (në kohën e Bogdanit) ishte në lidhje të ngushtë; ato bashkëjetonin dhe bashkëvepronin me njëra – tjetrën.

Në veprën Cuneus Prophetarum Rugova sheh edhe fillet e prozës shqiptare të shkruar – si dëshmi ekzistimi dhe formimi të gjuhës shqipe si gjuhë poetike dhe të aftësisë së saj komunikuese dhe të ndikimit estetik.

Me studimin e veprës Çeta e profetëve të Bogdanit, Rugova dëshmoi thellësinë e vrojtimit të problemeve, qoftë kur bëri fjalë për ato teologjike e filozofike, për marrëdhënien varësore dhe kushtëzuese, pra për përkimet e teorisë dhe të praktikës së teologjisë dhe filozofisë (historia e ekzistencës, triniteti, filozofia e natyrës, trupi-shpirti, natyra naturans – mimesisi, teoria e dy të vërtetave, kategoritë estetike etj.), për kategorinë e kohës e të hapësirës (koha qenësore dhe koha ekzistenciale, mitologjia etj.), qoftë për praktikën teorike letrare e poetike, për stilin, tiparet e ligjëratës etj. Interpretimin e shumë dukurive të veçanta ai nuk i bëri që të dëshmojë heterogjenitetin e veprës së Bogdanit, por të paraqitjes, të interpretimit dhe të përafrimit të saj sa më të përshtatshëm me preokupimet dhe botëkuptimin e lexuesit të sotëm. Rugova jo vetëm i shkoqiti dhe i përafroi shumë mendime të Bogdanit me ato që janë aktuale në shkencën e sotme të letërsisë, por i bën dhe një interpretim të thukët poezisë origjinale të Pjetër Bogdanit e të Lukë Bogdanit, sidomos të Sibilave, të botuara në “Çetën e profetëve”.

Nëse kemi parasysh mendimin e Albert Stratikoit, të vënë si kryemoto në librin e Rugovës, se “Cuneusi” i Bogdanit – “lë të jetë objekt vërtet i denjë për studime të mëdha jo vetëm për shqiptarët, por edhe për dijetarët e kombeve të tjera”, atëherë them me plot gojë se me veprën e vet Ibrahim Rugova vuri një gurthemel në paraqitjen dhe studimin modern të veprës së Bogdanit dhe hapi kështu rrugën për studime të tjera, që pasuan ose do të duhej të bëheshin në ndriçimin e shumë aspekteve të kësaj vepre, sepse siç pohon Rugova, “sa më shumë do ta çmojmë e vlerësojmë këtë vepër, aq më shumë do të na çmojnë të tjerët…”

Edhe vepra studimore Kahe dhe premisa të kritikës letrare shqiptare 1504 – 1983 (1986) e përligj seriozitetin dhe aftësinë e Rugovës për t’u marrë dhe për t’i ndriçuar rrjedhat e mendimit tonë teorike kritike dhe interpretuese në një periudhë kohore mjaft të gjatë.

Në fund po përmend faktin se me veprat teorike dhe interpretuese që botoi, Ibrahim Rugova përftoi bazën cilësore dhe të ngritur të studimit modern të artit të fjalës në gjuhën tonë.

Prishtinë, prill – maj 2026

_________________

LITERATURA
Ibrahim Rugova, Kah teoria. Shtëpia botuese Faik Konica, Prishtinë 2005.
Ibrahim Rugova, Refuzimi estetik. Faik Konica, Prishtinë 2005.
Ibrahim Rugova, Strategjia e kuptimit. Faik Konica, Prishtinë 2005.
Ibrahim Rugova, Vepra e Bogdanit 1675 – 1685. Faik Konica, Prishtinë 2005.
Ibrahim Rugova, Kahe dhe premisa të kritikës letrare shqiptare 1504 – 1983. Faik Konica, Prishtinë 2005.
J. M. Lotman, Struktura umetničkog teksta. Nolit, Beograd 1976.
Jurij M. Lotman, Teze uz pitanje ‘Umjetnos u nizu modelnih sustava’. Në “Strukturalizam”. Posebno izdanje. Kritika, Zvezak 4, Zagreb 1970.
Milivoj Solar, Teorije književnih rodova në librin Pitanja poetike, Školska knjiga, Zagreb, 1971.
Anton Nikë Berisha, Teksti poetik. Rilindja, Prishtinë 1985.
Anton Nikë Berisha, Çështje teorike të letërsisë. “Faik Konica”, Prishtinë 2005.
Anton Nikë Berisha, Estetika dhe estetika e letërsisë. Tekst për studentë. Bashkë me Labinot Berishën. Faik Konica, Prishtinë 2018.
Anton Nikë Berisha, “Meshari” – vepër e hartuar nga Gjon Buzuku. Fondazione Universitaria “Francesco Solano”. Comet Editore Press. Cosenza 2014.
Anton Nikë Berisha, Gjon Buzuku poeti ynë i parë. Studim. Faik Konica, Prishtinë 2016.
Anton Nikë Berisha, Pjetër Budi poet dhe prozator. Studim. Luigi Pellegrini Editore. Cosenza 2015.