Ibrahim Rugova s’ka qenë antiamerikan!

Ibrahim Rugova s’ka qenë antiamerikan!

Pas legalizimit të sistemit shumëpartiak në ish Jugosllavi, partia e parë politike që u themelua atëbotë ishte Lidhja Demokratike e Kosovës.

Kryetar i kësaj partie politike të shqiptarëve të Kosovës, ishte Ibrahim Rugova, ndërsa themelimin e saj e ndihmuan fuqishëm diplomatët amerikan.

Ishte kjo parti politike me në krye doktor Rugovën, si e quanin të huajt në ato kohë, ajo që do të jetë bartëse e pothuajse të gjitha zhvillimeve dhe përparimeve politike të shqiptarëve të Kosovës në dekadën e fundit të shekullit të kaluar, deri te dy tri vitet e fundit të saj dhe fillimi i luftës së armatosur.

Në këtë etapë të rezistencës joviolente të popullit Shqiptar të Kosovës nuk munguan përparimet në rrugën e tij të gjatë për liri dhe pavarësi. Kësaj periudhe dhe kësaj elite politike i takojnë meritat për organizimin shembullor politik dhe orientimin euroatlantik të popullit shqiptar si dhe merita e ndërkombëtarizimit të çështjes së të drejtave të tyre politike në ish Jugosllavi në përgjithësi dhe në Kosovë në veçanti.

Në këtë periudhë kur Serbët, Kroatët dhe Boshnjakët zhvillonin luftë të madhe të armatosur, për ti zgjidhur mospajtimet e tyre politike, dikush duke bërë agresion e dikush duke u mbrojtur, në Kosovë nuk kishte akoma fronte të luftës së armatosur dhe impenjimet serioze të politikës ndërkombëtare bëheshin për të ndalur gjakderdhjen në Bosnje e Hercegovinë dhe në Kroaci.

Përderisa në Kosovën e atëhershme nuk bëhej luftë e armatosur, nuk kishte as intervenime të sforcuara politike të faktorit ndërkombëtar për zgjidhjen e problemeve serbo-shqiptare.

Disa propozime të amerikanëve dhe evropianeve për lehtësimin e problemeve politike në Kosovë, sikur ai i daljes së shqiptarëve të Kosovës në zgjedhjet e Serbisë, nga politika e atëhershme kosovare e udhëhequr nga Ibrahim Rugova nuk do të pranohen, sepse nuk përputheshin me platformën politike të shqiptarëve dhe e reduktonin aspiratën e tyre nacionale.

Është e pasaktë të thuhet se këto refuzime të ofertave politike nga ana e shqiptarëve të Kosovës ishin manifestim i ndonjë antiamerikanizmi ose antieuropianizmi të tyre. Shqiptarët dhe elita e tyre politike ishin të vetëdijshëm për epërsinë kolosale ushtarake të Serbisë dhe shpresën kryesore për lirinë e tyre e mbështesnin në ndihmën euroatlantike dhe amerikane posaçërisht.

Diplomacia europiane dhe amerikane nga ana tjetër, të angazhuara më ngutshëm dhe më intensivisht në vatra tjera krizash rajonale dhe botërore, përderisa në Kosovë nuk kishte luftë të armatosur, nuk shqetësohej shumë për refuzimet e ofertave politike nga ana e shqiptarëve paqësor, të pa armatosur dhe pa alternativa të tjera të mbështetjes politike përveç asaj euroatlantike.

Kosovarët edhe kur kanë refuzuar oferta euroamerikane, në të tjera dyer nuk kanë trokitur. Përderisa ende nuk i kishin rrokur armët për liri ata nuk e rrezikonin ndjeshëm stabilitetin politiko-ushtarak rajonal dhe këto gjëra amerikanët dhe europianët i kanë ditur dhe i kanë përcjellë.

E kur krisën armët e UÇK-së, atëherë krisi seriozisht ekuilibri rajonal shqiptaro-serb, dhe tek pastaj faktori politik ndërkombëtar u involvua më seriozisht dhe më energjikisht në problemet tona ekzistenciale.

Edhe para luftës, edhe gjatë saj e edhe pas saj, kosovarët e rreshtuar në krahun politiko-ushtarak euroatlantik dhe dukshëm të varur nga ai, sikur që vazhdojnë të jenë edhe sot, as nuk do të munden dhe as nuk do të duan asnjëherë të bëhen, as antiamerikan e as antieuropian

Në këtë aspekt edhe mosmarrëveshjet aktuale europiano-amerikane shpresojmë të mos e fragmentojnë pandreqshëm korpusin e përgjithshëm politik shqiptar në vendin tonë – në Republikën e Kosovës të krijuar me shumë sakrificë shqiptare e me ndihmën e madhe amerikane.

Ibrahim Rugova, kryetari ynë historik asnjëherë antiamerikan s’ka qenë, as Shqiptarët kurrë jo! Deri sa t’a kemi memorien historike, kthjelltësinë e gjykimit dhe mirënjohjen njerëzore që e zbukuron çdo popull e çdo njeri – ANTIAMERIKANË JO!

Arsim Kastrati
Mjek nga Gjilani

Ky artikull nuk pasqyron qëndrim editorial të redaksisë! Për më tepër, ju lutem lexoni kushtet e përdorimit.

KOMENTE