/2L ONLINE/ – Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), me zgjedhjen e anëtarëve të kryesisë ka përmbyllur procesin e saj zgjedhor brenda partiak. Ndërkohë që në komunën e Gjilanit, ditë më parë është konfirmuar vazhdimi i koalicionit i bashkëqeverisjes së LDK-së, me partnerë të saj, ku më i madhi ndër ta, është edhe AAK. Tani mund të pritet më në fund që kreu i komunës Lutfi Haziri ta bëjë edhe formatizimin e qeverisë lokale, të përmendur qysh nga 15 qershori i vitit 2014, i ripërsëritur disa herë, madje duke dhënë edhe afate kohore kur do të ndodhë një gjë e tillë, por që nuk u bë deri më tani, ani pse në disa drejtori kemi ushtrues detyre që sa kohë.
Por, ajo që ka të bëjë me AAK-në, në këtë rast, janë përfoljet e mëdha se këto dy procese mund të reflektojnë edhe me shpërthime të pakënaqësisë përbrenda partisë. Ka dikush që mund të ketë mbetur i pakënaqur me zhvillimet e deritanishme në parti dhe me procesin e fundit. Po ashtu përflitet edhe për të pakënaqur edhe me koalicionin bashkëqeverisës. Ndërkohë që ka fjalë se me riformatizimi AAK-së mund t’i zvogëlohet hisja, ndërsa ka kohë që përflitet për mundësinë e lëvizjes së ndonjë anëtari të Kuvendit nga radhët e AAK-së, apo të ndonjë drejtori të drejtorisë që udhëhiqet nga kuadri i AAK-së, në drejtim të ndonjë subjekti tjetër politikë, apo të veprimit si i pavarur.
Lidhur me këtë, Ibish Ibishi, anëtar i Kuvendit komunal nga radhët e AAK-së i ka thënë Portalit 2L ONLINE, se në qoftë se partneri i koalicionit LDK tenton të zvogëlojë hisen e AAK-së atëherë sigurisht se do të ketë reagim, por se për këtë ai tha se do të vendosin organet e partisë, pasi është çështje e saj. Por, ai nuk ka mohuar faktin se edhe ai personalisht varësisht prej zhvillimeve në këtë drejtim, por edhe ato përbrenda partisë, mund të ndërmarr veprime.
“Pavarësisht reagimit të subjektit tim, nuk përjashtojë mundësinë që edhe personalisht ta shpreh pakënaqësinë time edhe me ndonjë veprim”, ka pohuar Ibishi, por pa dashtë të qartësojë se çfarë veprimi konkret mund të jetë.
Se a mund të ketë lëvizje brenda partisë së tij, Ibishi nuk ka mohuar mundësinë se nëse do të ketë pakënaqësi edhe mund të shprehet ajo në forma të ndryshme, duke mos përjashtuar as largimet e kuadrove nga AAK.
Pa përjashtuar as veten e tij nga kjo ndonëse në mënyrë indirekte, Ibishi i AAK-së tha se askush nuk ka lidh kurorë me partinë dhe në të ardhmen nëse do të ketë pakënaqësi të nivelit të lartë brenda partisë, por edhe brenda koalicionit aktual që qeverisë me Gjilanit, nuk përjashtohet mundësia të ketë lëvizje
“Nuk kemi lidh kurorë as me parti as me askënd në parti, dhe nuk do të thotë se duhet të jemi bashkë patjetër. Krejt varet prej zhvillimeve’, ka thënë Ibishi që nuk deshi të flet hapur se a do të jetë ai personalisht që mund të lëvizë i pari nga AAK.
Në vend të kësaj, Ibishi tha se çdo kush votat i ka marrë jo vetëm në emër të partisë, por edhe në emër të personaliteti të tij. Dhe, a është kjo vetëm një deklaratë “më e matur” e Ibishit si një paralajmërim i ndonjë veprimi më konkret të tij, përkatësisht i braktisjes së AAK-së, apo thjesht politikë ditore e një politikani lokal, mbetet të shihet në ditët në vijim. /2L ONLINE/