Ia numërojnë dështimet qeverisjes në Gjilan

Ia numërojnë dështimet qeverisjes në Gjilan

Këshilltarët komunal të Lëvizjes Vetëvendosje! në Gjilan, në një konferencë për media, ku folën për keqqeverisjen një vjeqarë të Komunës. Shefi i grupit të këshilltarëve Nevzad Isufi dhe asambleistët e tjerë, trajtuan çështje të ndryshme që kanë kaluar gjatë vitit që kemi lënë pas, e që në një anë flasin për dështimin e qeverisjes lokale të Lutfi Hazirit, e në anën tjetër pasqyrojnë një vit jo të mbarë për qytetarët e Gjilanit.

“Të gjithë ne, por edhe qytetarët e dinë që ky mandat qeverisës i LDK-së, ishte vazhdim i qeverisjes dhe në vend se të kishim një efikasitet më të madh me fillim të menjëhershëm të saj, ajo ishte ndër qeverisjet e fundit komunale të formuara në Kosovë”, tha Isufi.

“Këtë vit qeverisës Lutfi Haziri e nisi me pesë muaj vonesë, sepse tek në maj doli me emrat e drejtorëve, për të cilët filloi ti paralajmëronte qysh nga muaji mars. Ndërsa, menjëherë më 8 qershor organizoi takimin e parë publik me qytetarë, i cili ishte njëri nga shumë dështimet e dëgjimeve publike, siç na rastisë ti shohim çdo herë. Ai madje e dekoroi veten me disa mirënjohje, të cilat i nxori në forma të ndryshme, kinse për të bindur qytetarin se po punon mirë dhe drejt, por që më vonë e kuptuam se si i nxori ato mirënjohje në pah. Pra, vitin 2018 e lëmë pas me një gjendje tejet shqetësuese dhe serioze në zyrën e prokurimit, ku çdo herë e më shumë po hasim në kontrata me “lëshime” dhe manipulime nga më të ndryshmet, ndërsa si zyre vet funksionon me axhën e kryesueses së Kuvendit si shef, i cili në fakt nuk ka as licencë të prokurimit dhe me një staf me kontrata në vepër dhe aktakuza”, ka thënë shefi i grupit të asambleistëve Nevzad Isufi.

Asambleisti Xhelal Hajrullahu, foli për punimet ilegale që u nisën në oborrin e ambulantës së fshatit Zhegër, nga kryetari i Këshillit të fshatit, i cili nuk pati as edhe një dokument të vetëm që ta arsyetonte punën e tij.

“Drejtoria e inspekcionit në verën e vitit të kaluar ka ndërprerë punimet ilegale në oborrin e ambulancës në Zhegër, personave përgjegjës bashkë me dënimin e shqiptuar ju është dhanë një afat kohor prej 30 ditësh të kthehet në gjendjen e mëparshme, por kjo nuk ka ndodhur. Deri me tani asnjë kallëzim penal nuk e kemi nga komuna. E pos kësaj, në vitin 2016, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, së bashku me komunën e Gjilanit, kishin premtuar se do të nisin punimet për ndërtimin e palestrës sportive në Zhegër. Kryetari Haziri ka nënshkruar kontratën me vlerë rreth 2 milionë euro. Fshati Zhegër akoma nuk e ka të finalizuar Palestrën e Sporteve, e cila as afër finalizimit nuk është”, ka thënë Hajrullahu.

Për premtimet e Lutfi Hazirit për investime në fushën e arsimit, në vecanti përmirësimet e kushteve në përgjithësi nëpër shkolla, ka folur asambleistja Arbëreshë Kryeziu Hyseni, e cila solli pamje të xhamisë në fshatin Haxhaj, në bodrumin e së cilës nxënësit e këtij fshati vijojnë mësimet, edhe pse kryetari Lutfi Haziri iu kishte premtuar atyre që shtatori që lam pas, do ti priste në shkollën e re. Ajo solli pamje edhe të shkollës së fshatit në Uglar dhe gjendjes së mjerueshme të saj.

“Lutfi Haziri, gjatë fushatës zgjedhore, gjithashtu premtoi ofrimin e shujtave për nxënës të ciklit të parë të shkollave fillore. Premtoi vendosjen e kamerave në të gjitha shkollat, premtoi terrene të përshtatshme sportive në të gjitha shkollat, premtoi më shumë bursa për nxënës dhe student, premtoi ndërtimin e hapësirave të banimit për student, por a e dini cfarë bëri në fakt? Nuk ka shujta për nxënës të ciklit të parë fillorë, por ka shtëpinë e tij private të rrethuar në kamera, ka terrene sportive dhe argëtuese brenda oborrit të shtëpisë së tij, ka shkollim të kategorive më të shtrenja për vajzat e veta dhe ka banim luksoz dhe komod për vajzat e veta. Sepse këto premtime, nuk i ka përmbushur për studentët e Gjilanit, as përmirësime dhe as lehtësime nuk bëri për ta”, tha Kryeziu Hyseni.

Problemet në shëndetësi dhe atë me pronat e uzurpuara, e ka trajtuar asambleistja Arijeta Rexhepi, problem ky për të cilin asnjëherë nuk morëm as emra dhe as raporte se cfarë ka ndodhur me ato prona.

“Mjafton ti vizitojmë qendrat e mjekësisë familjare për të parë se në cfarë kushtesh punohet aty. Jemi dëshmitarë edhe të 11 punësimeve që së fundi u bënë në këtë fushë, e që ishin që të gjitha punësime të familjarëve, të të afërme e militantëve partiak. Ndërsa,kur jemi te uzurpimet, drejtori i gjeodezisë, pronës dhe kadastrës thotë se janë 36 prona komunale të uzurpuara ndërsa kryetari i komunës thotë se janë 56 prona. Me mos paraqitjen e emrave të uzurpatorë tregojnë se po i mbrojnë uzurpatorët. Për këtë cështje kryetari i komunës ka thënë se pronat e uzurpuara dhe borxhet publike do të jenë prioritet për tu trajtuar, ne do të marrim vendime konkrete për lirimin e tyre, për të cilin problem asnjëhere deri më tash nuk kanë marrë asnjë hap. Gjithashtu edhe drejtori i Gjeodezisë , kadastrit e pronës në kuvend ka sjellë kërkesa të ndryshme që kanë të bëjnë me këmbim të pronave, dhënie në shfrytëzim të pronave komunale për nevoja të ndryshme në shërbim të qytetarëve por, gjatë dhënies së pronave komunale në shfrytëzim apo këmbim në dy raste kemi hasur në prona komunale të cilat veqse janë të uzurpuara siq ishte rasti konkret në Zhegër dhe Velekincë . Se drejtorët e Komunës nuk punojnë sa duhet dhe japin deklarata të pasakta, në rastin konkret drejtorin e administratës duke thënë në një konferencë se E-kioskat do të mirëmbahen dhe aktivizohen gjithnjë e më shumë që të jenë me produkte shtesë për qytetarët në çdo kohë 24 orë. Por, këto kioska ka një kohë të gjatë që nuk punojnë fare”, ka thënë Rexhepi.

Lutfi Haziri, prioritet për vitin 2018 e konsideroi zgjidhjen e problemit me kanalizimin dhe ujësjellësin, çështje këto që i trajtoi asambleisti Arianit Sadiku.

“Lutfi Haziri prioritet të fushatës së tij zgjedhore pati zgjidhjen e problemit me ujërat e zeza në Komunën e Gjilanit. Premtoi ndërtimin e impianteve dhe kolektorëve, por ne realitet probleme serioze me kanalizimin akoma edhe sot kanë Zhegra, Velekinca, Uglari, Shillova, Poneshi, Mireshi, Llashtica, Livoqi i Ulët, Livoqi i Epërm, Cernice, e në mesin e tyre edhe disa lagje në qytet kanë probleme me kanalizimin sic janë: Tregu i Gjelber, Rruga e Prishtinës, Reshat Ymeri, Ramiz Cernica, Dheu i Bardhe, Dardania I. Të njëjtat vende nuk kanë qasje në rrjetin e ujësjellësit, tjetër premtim i Hazirit, i cili poashtu mbeti në sirtarin e premtimeve të fushatës zgjedhore. Biles, pikë konkrete e premtimeve të tij ka qenë funksionalizimi i gjithë ujësjellësve nëpër fshatra ku nuk janë të lidhur me burimin e ujit, si dhe zgjerimi i rrjetit të ujësjellësit në të gjitha vendbanimet rurale. As kjo nuk u bë në 2018-tën. Një tjetër skandal i 2018, mund të konsiderohet edhe dhënia e tenderit për sanimin e ndriqimit publik në qytet, tender ky i cili u përcollë me një numër manipulimesh, ankesash nga ana e operatorëve ekonomik, shkoi si lëndë për shqyrtim në OSHP, u ritenderua dhe në fund prapë iu dha të njejttit operatorë ekonomik për të cilën këmbëngulte komuna sepse aty e kishte interesin. I njejti operatorë ekonomik, ishte më i shtrenjti në mesin e 8 operatorëve konkurues, me një vlerë totale sa gjysma e biles pak më shumë se aq, krahasuar me konkurentët e tjerë. Për plot një vit, qyteti i Gjilanit, ka qenë pothuajse në terr, si pasojë e mungesës së ndriqimit publik nëpër lagje dhe mos mirëmbajtjes së saj, ndërsa pavarësisht asaj që tani kemi një operatorë ekonomik që është i ngarkuar me këtë, terri vazhdon ta përcjellë edhe më tej pothuajse cdo lagje të qytetit, e mos të flasim për fshatrat”, ka thënë Sadiku.

Konferencën e përmbylli nënëkryetari i Lëvizjes dhe asambleisti Nehat Osmani, i cili tha se në një qeveri ku bartësit e institucioneve në të vërtetë janë kryebartësit e krimeve dhe krerët e keqpërdorimeve, nuk ka mundësi të jenë njëkohësisht dhe bartësit e ideve dhe ideatorët e zhvillimit ekonomik, kulturor, shoqëror të komunës. Mund të jenë, siç edhe ishin, vetëm uzurpuesit, degraduesit, shpërdoruesit e parasë publike, pronës publike, mendjes publike.

Në një qeverisje të kundërthënieve e kontradiktave, kur mirëqenia e qytetarëve matet me numrin dhe madhësinë e mirënjohjeve personale të kryetarit Haziri nga organizata e personalitete fantome, enigmatike, të trumbetuara në mënyrë pompoze, që dalin sheshazi më vonë të jenë të porositura, të jenë të blera, të jenë të manipuluara, s’ka se si të mos kishin nxitur me të drejtë reagimet e subjekteve opozitare dhe të shumë qytetarëve të Gjilanit. Madje kishin detyruar dhe demantimin e vet ambasadës amerikane si lajm manipulativ dhe i pa vërtetë, i dënuar nga një ish zyrtari i saj intrigues. Kur prosperiteti i qytetit të Gjilanit matet me proklamimet false të Gjilanit si “Qytet i bardhë”, “Qytet i paqes”, e ndërsa qytetarët e saj helmohen dhe nuk hetohen, nga ushqimet e prishura dhe të pakontrolluara, .e ndërsa kaosi urbanistik i qytetit reflektojnë gjendjen reale të qytetit dhe jo gjendjen çfarë pushtetarët dëshirojnë ta shfaqin.

KOMENTE