Sot mësuam se aktivistit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Trim Gashit, pasi është mbajtur në paraburgim për tre muajt e shkuar, i është vazhduar masa e paraburgimit edhe për dy muajt e ardhshëm. Efektiviteti i Departamentit për Krime të Rënda i Gjykatës Themelore në Prishtinë që të shqiptojë masat represive ndaj kundërshtuesve të themelimit të Zajednicës dhe shkelësve të Kushtetutës së Republikës, nuk mund të jetë fakt tjetër vetëm se një padrejtësi sistematike e drejtuar ndaj persekutimit të aktivistëve, thuhet në komunikatën e Lëvizjes Vetëvendosje.
Pushteti, duke liruar prej arrestit të shtëpisë disa aktivistë e duke dërguar prej paraburgimit në arrest shtëpie disa aktivistë të tjerë, po përpiqet të përmirësojë imazhin e çizmes së diktaturës policore.
Por ky pushtet mbetet i dhunshëm, dhe nuk ka strategji marketingu që mund ta mbulojë këtë.
Paraburgimet, përndjekjet, përgjimet, të gjitha këto po bëhen pa patur asnjë person të shpallur fajtor nga gjykatat. Pra dhuna policore dhe burgjet po përdoren politikisht kundër opozitës. Të gjitha këto masa janë duke u ndërmarr krahas integrimit të strukturave kriminale të Serbisë ndaj të cilave deri më sot nuk është nisur asnjë hetim, e lëre që të shqiptohet një aktgjykim me të cilin do të vërtetohej fajësia e rrënuesve të shtetit të Kosovës dhe rendit kushtetues të saj.
I bëjmë thirrje pushtetit dhe instrumenteve të tyre që ta lirojnë aktivistin Trim Gashi dhe aktivistët e tjerë, sepse po vjen koha që edhe diktatura policore, prokuroriale dhe gjyqësore ta gjejë fundin e vet të natyrshëm, thuhet në komunikatën e Lëvizjes Vetëvendosje.