z. Enver Hoxhaj Ministër i Punëve të Jashtme
Qeveria e Republikës së Kosovës
Prishtinë, Kosovë
I nderuar Ministër i Punëve të Jashtme, z. Hoxhaj!
(2LONLINE) – Kam nderin dhe kënaqësinë që po Ju drejtohem sot për një cështje shumë të rëndësishme edhe për komunitetin shqiptar të Kosovës në Kanadë, por edhe për vet Ministrinë Tuaj. Si një aktivist i cështjes kombëtare, vecanërisht në sferën e kulturës dhe artit për disa dekada rradhazi, por edhe si udhëheqës i komunitetit tonë këtu në Halifax, Nova Scotia në Kanadë, unë po Ju drejtohem Juve sot duke kërkuar vëmendjen Tuaj ndaj përzgjedhjes së përfaqësuesit diplomatik të Kosovës në Otavë, Kanadë.
Së pari, Ju falëmnderojmë që më në fund edhe në Kanadë, një vend të fuqishëm botëror si politikisht ashtu edhe ekonomikisht, por edhe një aleat të palëkundur të Kosovës, po e hapni Ambasadën e Republikës së Kosovës. Sa e rëndësishme është kjo Ambasadë, aq i rëndësishme është të gjendet edhe personi adekuat që do ta udhëheq atë.
Unë dhe komuniteti ynë këtu, kemi patur fatin e mirë që në mesin tonë ta kemi edhe z. Faton Bislimi që nga viti 2009 deri më 2012, gjerësa ai ishte ligjërues universiteti i lendëve të politikës ndërkombëtare dhe zhvillimit ekonomik në dy universitete shtetërore këtu në Halifax—në Dalhousie University dhe në Mount Saint Vincent University. Gjatë kësaj periudhe, unë isha edhe kryetar i komunitetit këtu, dhe pata fatin e mirë që në kryesi ta kem edhe z. Bislimi.
Jo vetëm për mua, por për të gjithë komunitetin tonë këtu, ai ishte shembull i suksesit që shqiptarët mund të arrijnë nëpër botë. Ishte një katalizator i mirë edhe i bashkëveprimit tonë si komunitet. Ai arriti që menjëherë të bëhej i njohur dhe i nderuar jo vetëm për neve, por edhe për krerët më të lartë institucional të këtushëm – si për kryetarin e komunës, ashtu edhe për Premierin e Provincës, personalitete këto që përmes z. Bislimi tani ishin edhe më afër komunitetit tonë.
z. Bislimi po ashtu krijoi lidhje bashkëpunimi me universitetet këtu dhe dy vera rradhazi solli studentë nga Kosova në Halifax për një program studimor njëmujor në Dalhousie University. Po ashtu, në verën e vitit 2012, z. Bislimi hapi ekspozitën e parë të fëmijeve të Gjilanit në Galerinë e Artit ‘Alderney Landing’ këtu në Nova Scotia si shenjë mirënjohje për kontributin kanadez ndaj Kosovës, si dhe solli një delegacion nga Kosova që vizitoi Nova Scotia-n me në krye z. Hajdin Abazi, Zëvendës Ministër i Kulturës, për të cilin kishte aranzhuar një sër takimesh zyrtare me përfaqësuesit më të lartë të shtetit dhe provinces së Nova Scotia-s.
Edhe në dy konferenca ndërkombëtare mbi cështjet e sigurisë dhe politikave të BE-së që ishin mbajtur këtu, z. Bislimi kishte arritur që të sigurojë pjesëmarrjen edhe të disa përfaqësuesëve shqiptarë nga Ballkani, duke mundësuar kështu përfaqësim sa më të drejtë të cështjes shqiptare në Ballkan para një audience botërore akademike.
Përmes punës së tij të palodhur, ai vec është bërë një “ambasador” i denjë i Kosovës në Kanadë. Tani që po e hapni Ambasadën në Otavë, une jam i bindur se z. Bislimi eshte tejët i përgatitur dhe plotësisht meriton për të qenë udhëheqës i kësaj Ambasade. Për përgatitjen e tij profesionale e akademike, nuk dua të flasë, sepse të arriturat dhe sukseset e tij të shkollimit dhe punës me lobin shqiptar në SHBA tanimë janë të njohura botërisht.
Nuk kam dyshim se përkushtimi Juaj për një diplomaci kosovare në shërbim të shtetit dhe popullit tonë është i pacënueshëm. Andaj, kam besim të madh se edhe kjo shkresë imja se bashku edhe shumë të tjera që deri më tani kanë ardhur në adresën Tuaj, do të trajtohet si thirrje për interesin e përgjithshëm të vendit tonë dhe asgjë më shumë.
Në emër timin personal, Ju përgëzoj për punën Tuaj të deritanishme duke uruar që shumë shpejtë do ta funksionalizoni Ambasadën tonë në Otavë dhe do t’ia mundësoni shtetit tonë të përfaqësohet aty nga z. Bislimi, një ‘ambasador’ yni joformal deri më tani. Emërimi i z. Bislimi në këtë post do të mirëpritet nga të gjithë ne dhe do të jetë shembull i një ambasadori të suksesshëm të shtetit tonë. /2lonline/
Zeqirja Rexhepi,
Piktor Akademik
Halifax, Nova Scotia, Kanadë