/2L ONLINE/ – Kryetari i komunës së Vitisë Sokol Haliti, ka inspektuar sot punimet rreth asfaltimit të rrugës “Dom Mikel Tarabulluzi” në fshatin Letnicë. Ai me këtë rast krahas interesimit për rrjedhën e punimeve, në këtë rrugë që lidh qendrën e fshatit Letnicë me objektin e shkollës, ka biseduar edhe me banorët shqiptar e kroat të këtij lokaliteti, rreth këtij projekti, si dhe projekteve tjera që do të realizohen në këtë fshat.
“Asfaltimi i kësaj rruge, është në mesin e prioriteteve të komunës, pasi që pos që i mundëson nxënësve qasje më të lehtë në shkollë, ndihmon edhe banorët që ata më lehtë të lidhen me qendrën komunale, si dhe me pjesët tjera të fshatit”, ka thënë kryetari Haliti.
Ai ka theksuar se Letnica si lokalitet, për shkak të specifikave që ka, është në mesin e vendbanimeve që kanë prioritet në implementimin e projekteve të ndryshme për të lehtësuar jetën e qytetarëve.
Shin Gjoni, kryetar i këshillit të fshatit Letnicë, ka theksuar se me këtë projekt, në një farë forme po rrumbullakohet procesi i asfaltimit të rrugëve të Letnicës, me çka banorët do ta kenë më të lehtë qarkullimin e tyre, sidomos gjatë stinëve të dimrit.
Kurse Froka Dokiq, banorë kroat, ka thënë se ka më shumë se 60 vite që banorët që jetojnë në këtë rrugë, kanë kërkuar asfaltimin e saj, por asnjë pushtet deri më tani nuk kishte gjetur mundësin që të realizoj këtë projekt jetik për qindra banorë të kësaj zone.
Ai është shprehur falënderues për pushtetin lokal në Viti, duke potencuar se me realizimin e këtij projekti, udhëheqja komunale nuk bënë dallime në mes të qytetarëve pavarësisht, etnisë apo fesë që i takojnë.
Ndërsa Marjan Uka drejtor i shkollës, ka thënë se 26 nxënës që vijojnë mësimet në objektin e shkollës së fshatit, tani e tutje do ta kenë shumë më të lehtë ardhjen dhe shkuarjen nga shkolla, pasi që më parë, sidomos gjatë sezonit dimëror u është dashur të përballen me lagështira dhe ujëra, nëpër rrugën që pothuajse ishte e pakalueshme./2L ONLINE/