/2L ONLINE/ – Komiteti për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale (KMSHMS) i ka dhënë përkrahje të plotë nismës së punëtorëve shëndetësorë të të dy niveleve në Gjilan, për emërtimin e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) me emrin e mjekut Nagip Rexhepi.
KSHMS e ka rekomanduar këtë propozim për procedurë të mëtejme, me votat e të gjithë anëtarëve, përfshirë edhe opozitën (PDK e VV).
Jashar Jashari, kryesues i KSHMS, ka thënë se nisma për këtë emërtim ka ardhur nga punëtorët shëndetësorë të QKMF-së dhe Spitalit Rajonal, duke nënvizuar faktin se Nagip Rexhepi ka dhënë kontribut të madh në shëndetësi dhe çështjet humanitare, për tri dekada, si në kohën e okupimit dhe të luftës, po ashtu edhe në këto 15 vite liri, sa jetoi.
Rexhepi ka qenë nënshkrues edhe i Apelit të 215 intelektualëve shqiptarë, për të drejta politike të shqiptarëve në Kosovë, ka thënë Jashari.
Anëtarët e KSHMS thanë se emri i mjekut Nagip Rexhepi i bën nder QKMF-së dhe shëndetësisë në Gjilan, në përgjithësi. /2L ONLINE/