Floyd Mayweather mposhti më 2 maj Manny Pacquiaon në të ashtuquajturën “betejë të shekullit”, duke fituar titullin e kampionit të botës në kategorinë WBO. Por, tashmë boksierit amerikan i është hequr ky titull.
Duke qenë se WBO nuk lejon që boksierët të mbajnë titujt në kategori të ndryshme të peshave, ai në datën 3 korrik duhet të dorëzonte titujt e tij të mëparshëm ose në të kundërt të paguante një tarifë prej 200 mijë dollarësh. Por Floyd Mayweather nuk zgjodhi të bëjë as njërën dhe as tjetrën e për këtë arsye federata ka lëshuar njoftimin për vendimin e marrë, duke i hequr titullin.
Duket e pabesueshme se si boksieri, i cili u zgjodh edhe si sportisti më i pasur në botë, nuk pagoi 200 mijë euro, kur ai nga ndeshja e 2 majit arriti të fitonte 220 milionë dollarë.
Por duket se ky veprim i 38-vjeçarit amerikan ishte i qëllimshëm, drejt tërheqjes nga sporti. Në muajin maj ai kishte deklaruar: “Boksierët e tjerë kanë nevojë të kenë shanse…Nuk jam lakmitar…Është koha t’i lë të tjerët të luftojnë për titullin”.
“Komiteti i kampionatit botëror WBO nuk ka zgjedhje tjetër përpos të njoftojë se Floyd Mayweather nuk është më kampioni i botës në këtë kategori, për shkak se nuk i është përmbajtur rregullave të kampionatit”, thuhet në njoftimin e WBO-së.
Mayweather mposhti me pikë Pacquiaon pas 12 raundesh, në sfidën për titullin botëror të peshave të lehta më 2 maj.
Sfida e zhvilluar në “MGM Grand Garden Arena” të Las Vegasit tërhoqi një vëmendje të jashtëzakonshme, për të cilën biletat ishin shitur deri në 350 mijë dollarë, ndërkohë që amerikanët që e kanë parë nga televizori atë mund të kenë paguar rreth 100 dollarë. Mayweather, 38 vjeç, mbetet ende i pamposhtur në 48 ndeshje si boksier profesionist, duke koleksionuar ndër to 26 triumfe me “knock out”.
Mayweather ka 14 ditë afat për t’u ankuar për vendimin, por kjo nuk pritet që të ndryshojë edhe nëse ankohet. Ai ka fituar 11 tituj botërorë në 5 kategori gjatë karrierës së tij 19-vjeçare.