(2L ONLINE) – Këtu ikin ditët sikur mos të kishe kaluar fare nëpër to, e kujtimi nuk shlyhet aq lehtë edhe sikur mos të ta kishin shkrepur fare asnjë foto. Nuk ka se si të mos impresionohesh nga bukuria dhe detajet ekzotike kur i sheh me syrin e një vrojtuesi kontinental!
Edhe këtu njerëzit kanë hallet dhe brengat e tyre dhe sikur nuk e vërejnë se në çfarë bukurie jetojnë. Ndoshta nga që përditshmëria rutinore dhe vrapi për të i shfrytëzuar sa më mirë këta muaj piku veror për ta siguruar normalitetin në pjesën tjetër të vitit për faktin se edhe këtu ka një papunësi të konsiderueshme.
Është kjo një pikë ku ngjasojnë të gjitha viset tona njëra tjetrës.
E pranoj nuk kisha qenë ndonjëherë më parë këtu edhe pse ndoshta jo më shumë por një çerek Evrope jam i sigurt se kam kaluar dhe jetuar. Prandaj ndoshta mund të jem pak jo objektiv por sa i përket vrojtimeve të mija lirisht mund të them se nuk ka një tjetër qytet shqiptar, bregdetar më të bukur se ky, ndoshta me përjashtim Sarandën.
Por prapë po e them, unë jam i impresionuar me këtë qytet nga më të vjetrit ndër ne. Ulqinin! Këtu ka shqiptarë të mrekullueshëm me sjellje të mrekullueshme. Edhe ata nga pjesa rurale e edhe nga ajo urbane! Këtu ka një traditë e me sa duket edhe një identitet të formuar ndër shekuj. Ekzotikë pure për ne.
Nga të arrijnë sytë! Fiq, mandarina, palma, shegë , drunj lulesh ose si ta themi lule shumë të bukura dhe te llojllojshme me trup peme! Shumë furra buke,markete, pika shitjeje të ujnikut (shalqi,bostan) dhe pjepri, shumë ranë e plazh nga më i vogli tek i madhi si dhe shumë të tjerë plazhe të bukur dhe te pastër.
Pak pompa benzine, jo sikur te ne ku në çdo lagje ka nga dy e më shumë! po ashtu ndryshe nga se te ne,pak barnatore. Dhe asnjë universitet në gjuhen shqipe. Gjë që duhet të preokupoj dikë! Kalldrëme dhe një kala e bukur dhe shumë shitore suvenirësh. Pamje e veçantë shtëpish të ndërtuara një sipër tjetrës që ngjajnë si shkallë gjigante që shpiejnë në maje mali.
Në përgjithësi pamje të mrekullueshme mesdhetare ndoshta të vetmet shqiptare që u ngjasojnë atyre nga Spanja, Greqia, Portugalia e vende tjera, të gërshetuara edhe me një mentalitet të tillë.
Bukur dhe shëndetshëm jetohet andej pari!
/Xhelil ARIFI /2LONLINE/