I apasionuar për ruajtjen e traditës
/2L ONLINE/ – Oborrit të rregulluar bukur, Shefik Thaçit nga fshati Muqiverc, përveç gjelbrimit dhe pemëve, hijeshinë e bukurinë ia kanë shtuar shumë eksponatet e shumta të trashëgimisë.
Muri rrethues i shtëpisë dhe oborri i gjelbëruar janë të mbushura me lloje të ndryshme të gjetjeve etnografike si dhe disa gjetjeve të pakta arkeologjike si: vegla të punës, enë të ndryshme, vegla bujqësore, vegla për endje, shpata, vegsha të ndryshëm, gypa të vjetër qeramike etj. Pothuajse të gjitha këto i ka të trashëguara nga të parët e familjes së tij e disa i ka grumbulluar nga shokë, miq e dashamirë. Kryesisht, siç na rrëfen Shefik Thaqi, janë të fshatit të tij dhe të rrethinës. I ka grumbulluar me pasion të madh. Për këto koleksione kujdeset shumë duke i mirëmbajtur dhe duke i ruajtur me xhelozi. Po ashtu në mur ka improvizuar oxhakun e ndezur me kusi bakri të varur në verigë, sikurse edhe pranë shtëpisë, pusin të mbuluar me qeramidhe.
Mund të themi se ka bërë një minimuze ku ekspozohen këto vlera të trashëgimisë. Shefik Thaçi , na tregon se këtu vijnë shpesh qytetarë për ta vizituar, sikurse edhe historianë, etnologë e ekspertë të fushës së trashëgimisë. Disa edhe ia kanë kërkuar ndonjë, por ai nuk ua ka dhënë , as nuk do t’ia jap askujt. Për muze, ndonjë që i ka të dyfishuara, mund edhe t’ua jap, pas marrëveshjes që do të bëjë me institucionin ose individin përkatës.
Ndër eksponatet e vjetra, thotë se ka gyp qeramike të cilin e ka gjetur aty afër, përkatësisht te vendi ku ka qenë e ndërtuar një kishë e vjetër që tani nuk ekziston, por nëse gërmohet, sigurisht se, do të dalin në sipërfaqe muret e kësaj kishe e cila është kishë Dardane.
Eksponate tjera me vlerë janë edhe disa shpata, njëra prej të cilave është mjaftë e gjatë dhe paksa e lakuar me një vijë të gravuar në mes, që sipas mendimit të historianëve, ka vjetërsinë 500 vjeçare, rrëfen Shefik Thaçi. Shpata me dorezë ka gjatësinë 1 m. ndërsa gjerësia e tehut është 4 cm. Pastaj një shpatë tjetër më e shkurtër, rreth 300 vjeçare. /Ismet TAFILI/

8.png)
12.png)
20.png)
34.png)
