Hyseni: Të hapura urat e bashkëpunimit me Bujanocin
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, gjatë vizitës në Luginën e Preshevës, ka qëndruar edhe në Bujanoc, ku është takuar me kryetarin e kësaj komune, Arbër Pajaziti, me të cilin ka diskutuar për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet dy komunave.
Hyseni ka bërë të ditur se në takim është biseduar për hapat konkretë drejt një bashkëpunimi të ri institucional, me fokus në realizimin e projekteve dypalëshe në fusha me interes të përbashkët dhe koordinimin e politikave që lehtësojnë jetën e qytetarëve.
“Si dy komuna fqinje me lidhje të ngushta, ndajmë të njëjtat sfida, por edhe mundësi të mëdha për të krijuar një perspektivë më të mirë zhvillimore”, ka deklaruar Hyseni.
Ai ka ritheksuar përkushtimin e Gjilanit për vazhdimin e komunikimit dhe mbështetjes së ndërsjellë me Bujanocin, ndërsa ka falënderuar kryetarin Arbër Pajaziti për mikpritjen dhe gatishmërinë për bashkëpunim.
“Gjilani mbetet plotësisht i përkushtuar për të mbajtur urat e komunikimit dhe mbështetjes, të hapura me Bujanocin”, ka theksuar Hyseni. /2LONLINE/
