DYLON

Hyseni: Partneriteti me GIZ-in i fuqishëm dhe afatgjatë

Hyseni: Partneriteti me GIZ-in i fuqishëm dhe afatgjatë
Avatar photo Redaksia

“Sot në takim me përfaqësuesit e organizatës gjermane GIZ, i diskutuam dy shtylla kryesore për transformimin mjedisor dhe urban të Gjilanit”, ka thënë Alban Hyseni, kryetar i Komunës së Gjilanit.

Ai tha se ky takim shënon vazhdimin e një bashkëpunimi të suksesshëm, derisa tash e 3 vite po punojnë intensivisht me GIZ-in për këto projekte të mëdha mjedisore.

EkoHigjiena

“Sot prezantuam punën tonë disavjeçare dhe morëm vendimet e rëndësishme për të vazhduar tutje drejt realizimit të tyre. Në qendër të diskutimit ishte “Plani Ndërkomunal për Menaxhimin e Integruar të Mbeturinave” për regjionin tonë”, ka thënë kryetari Hyseni.

Sipas tij, kjo nismë tashmë është e buxhetuar dhe e aprovuar nga Qeveria Kurti, ku pas dy votimeve të suksesshme në Kuvend, në korrik pritet të dalë për votim edhe plani final.

Hyseni tha se ky projekt jetik përfshin ekonominë qarkore, riciklimin e mbeturinave si dhe ndërtimin e Qendrës Rajonale të Kompostimit. Po ashtu, shtjelluan edhe Masterplanin e Hapësirave Publike, i cili do të sjellë ndërtimin e parqeve të reja me fokus te ndërlidhja, kontinuiteti dhe ndërveprimi i zonave të gjelbra në qytet.

“Falënderojmë GIZ-in për këtë partneritet të fuqishëm dhe afatgjatë. Me mbështetjen e nivelit qendror dhe me hapat e sigurt që po hedhim për të vazhduar tutje, po i japim Gjilanit një pamje moderne dhe një mjedis plotësisht të qëndrueshëm”, ka thënë i pari i Gjilanit, Alban Hyseni.  /2LONLINE/