DYLON

Hyseni: Ky fillim mandati po konfirmon përkushtimin tonë për t’i çuar proceset përpara me efikasitet dhe transparencë

Hyseni: Ky fillim mandati po konfirmon përkushtimin tonë për t’i çuar proceset përpara me efikasitet dhe transparencë
Avatar photo Redaksia

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka bërë të ditur se qeverisja lokale po vijon me intensitet të shtuar, duke u fokusuar në reforma, projekte infrastrukturore dhe realizimin e zotimeve të mandatit të ri.

Sipas tij, në një takim të rregullt pune me drejtorët komunalë, u analizua progresi i deritashëm dhe u diskutuan prioritetet kryesore për periudhën në vijim. Sipas Hysenit, ky fillim mandati po reflekton angazhimin për një qeverisje më efikase dhe transparente.

EkoHigjiena

“Së bashku me ekipin e drejtorëve, zhvilluam takimin e rregullt të punës për të analizuar progresin e deritashëm të qeverisjes tonë lokale. Ky fillim mandati po konfirmon përkushtimin tonë për t’i çuar proceset përpara me efikasitet dhe transparencë”, ka deklaruar Hyseni, transmeton 2LONLINE.com.

Gjatë takimit, drejtorët raportuan për reformat në sektorin e kadastrës, ku synohet thjeshtimi i procedurave dhe përmirësimi i shërbimeve për qytetarët. Po ashtu, u diskutua për projektet e mëdha infrastrukturore që janë në fazën përfundimtare.

Në fokus ishte edhe përcaktimi i hapave konkretë për realizimin e zotimeve të mandatit të ri, si dhe mbikëqyrja e vazhdueshme e punimeve në terren për të garantuar cilësi dhe respektim të afateve.

Kryetari Hyseni theksoi se qeverisja lokale po vendos standarde të reja të llogaridhënies, duke synuar zhvillim të qëndrueshëm dhe mirëqenie për qytetarët.

“Qeverisja jonë, edhe në këtë mandat, po dëshmon një standard të ri të llogaridhënies. Punët që po bëjmë sot janë baza e ndryshimit të madh që kemi premtuar, me fokus të plotë në zhvillimin e qëndrueshëm dhe mirëqenien e secilit banor. Vazhdojmë me ritëm të shtuar!”, ka përfunduar kreu i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni.   /2LONLINE/