Me homazhe në Varrezat e Dëshmorëve në Gjilan ka nisur simbolikisht manifestimin kulturor mbarëkombëtar “Flaka e Janarit 2025”, i 34-ti me radhë, që organizohet në nderimin e të rënëve për liri. e që organizohet nën përkujdesjen e Komunës së Gjilanit, përkatësisht Drejtorisë për Kulturë, Rini e Sport.
Kryetari i Komunës, Alban Hyseni, që shoqërohej nga ministri i Ministrisë së Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, deputetë, bashkëpunëtorët dhe udhëheqës të institucioneve tjera, pasi bëri homazhe, ka deklaruar se gjatë janarit kjo komunë nderon të rënët për liri përmes vlerave kulturore artistike.
‘Sot po e fillojmë manifestimin mbarëkombëtar “Flaka e Janarit”, edicioni i 34-të, dhe jemi këtu në një ambient të veçantë për nga pesha e rëndësia që bart, por më e rëndësishme për nga simbolika që përfaqëson. Ndërkohë që sot me ne, është edhe Nëna Stane, një figurë që do të duhej të ishte e njohur kaherë, për publikun, ata që e shijojnë dhe e gëzojnë lirinë që e kemi sot”, ka thënë i pari i Gjilanit, Alban Hyseni.
Megjithatë, shtoi ai, në edicionin e 34-të të “Flakës së Janarit”, Akademia Përkujtimore, aktiviteti kryesor, do t’i kushtohet Nënës Stane dhe familjes Gashi, një familje që ka dhënë kontribut shumë të madh për lirinë që ne e gëzojmë sot, e veçanërisht për ushtarët e UÇK-së, për logjistikën e ushtarëve të UÇK-së, të cilët adresë të kalimit, të ndaljes, të ushqimit, e të strehimit e kishin familjen Gashi, dhe ushqimin që e kishin ngrënë në atë familje ishte e përgatitur gjithnjë nga Nëna Stane, nga vajzat, por edhe nga djemtë e saj.
“Jam shumë i lumtur që kemi mundësinë që ta presin Nënën Stane, sot për herë të parë në vizitë, te Varrezat e Dëshmorëve në Gjilan, pas 25 viteve, por përveç kësaj, ta bëjmë edhe pjesë të manifestimit mbarëkombëtar “Flaka e Janarit”, duke e vendosur si gurthemel të fuqishëm, të palëkundur, por gjithmonë, në historinë tonë kombëtare e veçanërisht, të qytetit tonë dhe këtij manifestimi.
Kryetari Hyseni ka uruar që manifestimi “Flaka e Janarit”, të shkojë mbarë e mirë, për të shtuar se është përgatitur e organizuar gjithçka, ndërkohë që më datën 17 janar, do të shfaqet edhe dokumentari, premiera për Nënën Stane, kushtuar aktivitetit të familjes Gashi, e Nënës Stane veçanërisht.
Përndryshe, agjenda e “Flakës së janarit 2025”, për ditën e sotme vazhdoi tutje me një vizitë në Kazermën e Forcave të Sigurisë së Kosovës, në Gjilan.
“Vizituam ushtarët e FSK-së, të cilët me guxim dhe përkushtim mbrojnë sigurinë dhe sovranitetin e vendit tonë. Flaka e Janarit na kujton sakrificat që na sollën lirinë dhe angazhimin për të ndërtuar një të ardhme të sigurt”, ka thënë kreu i Gjilanit, Alban Hyseni.
Aktivitetet tjera për ditën e sotme, janë vizita në shtëpinë e Rexhep Malaj dhe Nuhi Berisha, programin kulturoro-artistik për fëmijë, derisa në mbrëmje si gjithnjë, do të kemi defile dhe do të bëhet Ndezja e Flakadanëve. /2LONLINE/