Nga Isak N. Bilalli
Rajoni i Anamoravës, nga gjiri i vet, ka nxjerrë intelektualë të shumtë në lëmi të ndryshme, por pa dyshim, Hysen Këqiku është një nga figurat me trashëgiminë më të pasur si intelektuali më i kompletuar, i cili ndër vite ka arritur të jetë një enciklopedi që ecën – kur merret për bazë krijimtaria e tij letrare dhe artistike.
Ky shkrim vjen në vigjilje të botimit të tij të 50-të, të cilën e botoi para sa ditësh, ndaj ky botim jubilar, përfshirë dhe krijime të shumta të tjera letrare, i dedikohet në shenjë falënderimi dhe mirënjohje për kontributin që gjeneratat e tashme dhe të ardhme po përfitojnë dhe do të vazhdojnë të përfitojnë nga puna e tij.
Emri i tij është simbiozë e një krijimtarie që pothuajse prek të gjitha disiplinat letrare, duke filluar nga veprat shumë të pëlqyera për të rritur dhe veçanërisht për fëmijë që nuk janë specialiteti i vetëm, si në prozë po ashtu edhe në poezi, por ai ka shkruar me shumë delikatesë edhe: drama, panorama letrare, monografi, kritika letrare, është marrë me mbledhje të folklorit popullor, si dhe ka dramatizuar romane te shumta. Për të vënë në kandar sado pak çmueshmërinë e këtij thesari që mban emrin Hysen Këqiku, për lexuesin është e nevojshme të nënvizohet se profesioni i parë i tij është mësuesia, respektivisht përgjatë gjithë jetës se tij ka ushtruar funksionin e mësimdhënësit të gjuhës dhe letërsisë shqipe, por jo vetëm… Përveç se ishte mësues e shkrimtar nga me të pasionuarit që kam njohur, Hysen Këqiku është marrë me veprimtari të ndryshme arsimore edukative, kulturore, humanitare, shoqërore sindikale, aktor e regjisor shfaqjesh teatrale deri në pajtues gjaqesh.
Por, kjo nuk është e gjitha, sepse për të shtjelluar gamën e veprimtarive dhe aktiviteteve që ka realizuar, deri më tani dhe fakti që edhe në këtë moshë të shtyrë vazhdon të jetë hiperaktiv në krijimtari do të duhet një format tjetër për të elaboruar më gjerësisht rreth krijimtarisë dhe aktiviteteve të tij. Jo për t’u shprehur ne formë komplimentimi për punën gjigande të realizuar ndër vite por radiusi i këtij kontributi përfshinë Maqedoninë e Veriut, Kosovën dhe Luginën e që vazhdon me përfshirje aktive edhe në kohën e tashme.
Me pak fjalë, çfarëdo analize a përshkrimi t’i bëjmë figurës së Hysen Keqikut minimumi që duhet bërë është që të vendosim emrin e tij në listën e personaliteteve kombëtare që i dhuruan kombit gjënë më te shtrenjtë-shërbimin jetësor.
Para se të shtjellojmë më në thelb, shumëfijëshmërinë e angazhimeve të mësuesit me ditar në dorë që ndër-gjenerata arriti t’u mësojë fëmijëve gjuhën e bukur shqipe, ai arriti të bëjë të njëjtën gjë me fëmijët, duke u dhënë kulturë në angazhimin e tyre në aktivitete ekstra-kurrikulare, respektivisht i mësoi të hedhin hapat e parë në artin dramatik, por e rrugës është që ne sot, të mësojmë se si u dashurua me skenën profesori jonë i nderuar.
Si shumica e artistëve edhe Këqiku, shkëndijat e para të dashurisë me dërrasat e teatrit i ndjeu në shkollë të mesme, në të cilën kohë iu bashkua teatrit të Preshevës pa trokitur në derë sepse e dinte që aty do të gjendej vend për te. Fal dashurisë që kishte për letërsinë dhe artin skenik nuk mund të refuzohej dashuria e tij e pakushtëzuar ndaj dhe iu dhane role të rëndësishme në dy shfaqjet me tekst të Jusuf Kelmendit, “Hakmarrja” dhe “Vrasja e errët”.
Angazhimi i tij në skenë në këto dy shfaqje është i ngjashëm me nisjen e fluturimit të aeroplanit respektivisht shkëputjes nga toka për të ngjitur horizontet e reja dhe për të mësuar fluturimin hapësinor të zejës së artistit. Këto dy role, ishin motiv i shkëlqyer që nga pozicioni i nxënësit të fillonte me këmbë të mbarë rrugëtimin e tij artistik si aktor dhe e bëri së pari duke themeluar Shoqërinë Kulturoro-Artistike “Drita” ne Vaksincë të Kumanovës në kuadër të së cilës drejtonte Grupin Dramatik. Gjatë kësaj kohe në vitin 1966/1967 merr role kryesore në komeditë “Akraballëku” dhe ”Vëllazëri e interes” duke i vënë themelet e sektorit të Dramës bashkë me kolegun e tij Bejadin Kosumi nga Vaksinca.
Pas transferimit me punë të përhershme si mësues në Gjilan, ai nuk kishte pse të hezitonte që bashkëpunimin dhe angazhimin ta shtrinte me Teatrin e Qytetit të Gjilanit si pjesë e trekëndëshit me Preshevën dhe Kumanovën. Ne Teatrin e Gjilanit ka qenë sporadikisht aktiv për një kohe të gjatë, si aktor, duke ju vënë në ndihmë regjisorëve dhe producentëve të cilët realizonin shfaqje teatrale me numër të madh aktorësh në një kohë që kishte mungesë të theksuar aktorësh.
Asnjëherë në asnjë instancë nuk ka refuzuar ndonjë rol në teatër edhe pse agjenda e mësuesit që nuk bëri asnjë mungesë në shkolle ishte e ngjeshur edhe me aktivitete tjera në mirëmbajtjen e menaxhimin e bibliotekës, organizimin e orëve letrare që kapin shifrat gati katër-shifrore, krijimin dhe menaxhimin e grupeve teatrale në shkollë etj.
Rolet e tija që mbahen mend nga publiku janë në shfaqjet: “Kurrë s’është vonë”, “Gjergjezi”, “Aradha qiellore”, “Dasma pa nuse” etj.
Hysen Këqiku e trajtonte si kënaqësi mundësinë që i jepej për të shërbyer si aktor në teatër të qytetit, në baza vullnetare, sepse vërtetë edhe sot e quan privilegj që krahas mësimdhënies ai po ndikonte në ngritjen e vetëdijes kulturore dha lulëzimit të jetës artistike tek shqiptaret të bënte edhe aktorin në teatër.
Por profesori aq sa dha për teatrin po aq edhe mësoi nga teatri sepse duke qenë se në venat e tij bashkë me gjakun qarkullonte edhe kreativiteti artistik, ai nuk u kursye aspak të vetë-sfidohej me dramaturgji dhe regjisurë. Dramatizimi i romanit të Anton N. Berishës, “Motra kërkon vëllezërit” dhe romanit të Riza Grejçevcit “Ylberja” shënon edhe fillimin e punës së tij si dramaturg fushe në të cilën akoma vazhdon të jetë fabrikë prodhimi. Gjithashtu vënia në skenë e këtyre dy shfaqjeve me nxënësit e shkollës “Musa Zajmi” u vlerësua me nota të larta për invencion regjisorial ishte një e arritur tjetër për të cilën profesori ndjehet shumë i nderuar.
Qershia mbi tortë, është realizimi i dramës autoriale “Kufij që preken” e tij nën regjinë e Muharrem Sylejmanit në vitin 1997 sukses që aq sa e bënë sot krenar e bënë po aq të mallëngjyer kur e kujton bashkëpunim me regjisorin e ndjerë. Lidhjet e tij me teatrin e skenën janë të natyrës përçuese dhe afatgjata sepse në sirtarët e profesorit ka edhe dy dosje respektivisht dy tekste në dorëshkrim (një komedi dhe një monodramë) qe se shpejti do t’i shtohen arsenalit artistik te tij.
Teatri e skena një dashuri e hershme dhe e paharruar e tij …
Forca dhe motivi i tij ka qenë edukimi dhe emancipimi kulturor i moshave të reja përmes njohjes se artit…
Rrugëtimi i përshkruar i Hysen Këqikut është paksa disproporcional me volumin e arritjeve dhe rezultateve artistike të tija sepse njësia matëse në këtë rast nuk është numerike por i takon cilësisë por pavarësisht kësaj te profesori i gjejmë të dyja. Me forcën e tij motivuese, ai ka arritur që të njëjtën frymë të përcillte tek nxënësit, të cilët veçse ju pëlqente shfaqja për ta shijuar si spektatorë, t’i bënte ata/ato të kalonin pragun dhe t’i bashkoheshin aradhës së aktorëve të rinj. Këtë punë e bënte më shumë pasion edhe pse gjithçka që bënte ishte vullnet artistik i tij për të mbjellur ngritje kulturore tek ata.
Unë kam patur fatin e madh të isha nxënës i tij dhe një nga fëmijët qe u dashurova në art e letërsi fal mësimeve të marra dhe angazhimit në shfaqjet e realizuara nga profesori Këqiku.
Sot kur u kthehem gjerave në retrospektive, matematikisht me del llogaritje e pamundur që një mësues i gjuhës e letërsisë te bashkojë afër vetes një grup aq të madh nxënësish dhe të filloje t’i mësojë nga e para artin skenik dhe t’ i bëj ata të dashurojnë skenën. Por jo vetëm kaq sepse nën drejtimin e tij të gjithë këta fëmijë jo që vetëm luajtën në skenë për herë të parë por u vlerësuan nga juritë profesionale si nxënës/aktorë me potencial të lartë artistik. Kjo përgatitje që i është bërë fëmijëve në kohë të hershme është për tu admiruar dhe për këtë kontribut prof. Këqiku meriton diçka më shumë se faleminderit sepse regjisorët apo art-bërësit kanë marrë aktorë të rinj të gatshëm dhe të përgatitur nga profesori, për të ndërtuar role në skenë. Sot edhe regjisorët me përvojë të gjatë, e kanë te vështirë ta mendojnë të vënë në skenë një shfaqje me aktorë jo profesionistë 30+ sosh, të moshës jomadhore dhe te ëndërrojnë që një gjë e tillë është e realizueshme por profesor Këqiku këtë ëndërr e kishte bërë realitet madje jo vetëm njëherë.
Ky është Hysen Këqiku mësuesi, edukatori e udhërrëfyesi i nxënësve që i nxiti të dashurojnë letërsinë, artin, poezinë, teatrin, skenën dhe në këtë formë të jenë në shërbim të ngritjes dhe emancipimit kulturore e njerëzor. Ky objektiv që në vetvete ishte mision për profesor Këqikun ishte i realizueshëm për dy arsye sepse së pari rrugëtimi i tij artistik kishte kaluar përmes teatrit, ku kishte mësuar nga aktorë e regjisorë të shquar dhe dinte si realizohej një shfaqje. Se dyti ai njihte nga afër natyrën e fëmijëve, të cilët i afronte për t’ i përgatitur për skenë ngaqë të gjitha këto elemente kishin një emërues të përbashkët që quhej dashuri.
Profesori dashuronte teatrin, i donte fëmijët, dinte të bënte regjisurë me pasion e dashuri, donte t’i shihte nxënësit e tij të fortifikuar me art e kulturë kombëtare dhe është nga të rrallët që ka përmbushur këtë mision. Personalisht, nuk njoh një mësues, shkrimtarë apo gjuhëtar nga trojet shqipfolëse, të ketë arritur t’ i pajis me edukatë qytetare dhe dashuri për artin e skenën me shumë se çfarë ka arritur Hysen Këqiku me nxënësit e tij.
Duke qenë se profesori, për punën dhe kontributin e tij në teatër dhe me edukimin e gjeneratave për artin dramatik ka lënë gjurmë të pashlyera duhet të ndalemi pak te karakteri i tij për të kuptuar më drejt si ka arritur ai të mobilizojë masat (nxënësit) në shërbim të avancimit kulturor. Ai, as me pak, as më shumë trajtohet si gjeneral i ushtrisë se teatrit që rekrutoi aktorë, regjisorë të rinj si dhe dashamirës të panumërt të skenës përgjatë gjithë karrierës sa ishte ne kontakt me nxënësit dhe kjo nuk është e arritur e vogël, për të mos thënë që askush nuk ka arritur dimensionin e tij.
Këto suksese jetësore i ka arritur duke qenë njeri i urtë, i zellshëm deri në skajshmëri, person qe nuk ka pushuar as edhe një ditë të vetme pa lexuar dhe pa bërë një punë të mirë. Ai vazhdon të bashkëjetojë ngushtë me modestinë duke i salutuar dhe i buzëqeshur gjithmonë i pari, edhe fëmijët e lagjes.
Atë e dallon dukshëm puna e tij e palodhur në fusha të ndryshme të krijimeve letrare dhe artistike si dhe durimi i hekurt që e shoqëron në çdo punë apo aktivitetet që përfshihet. Në mesin e shumë virtyteve që u përmendën duhet të nënvizohet domosdoshmërisht aspekti human, sepse kam përshtypjen që u gëzohet në raste më shumë sukseseve të të tjerëve se për veten e tij apo për fëmijët e tij biologjikë. Për të përmbledhur më me pak fjalë, profesori është i zhveshur totalisht nga xhelozia apo lakmia që mund ta kenë evidente në masë të caktuar edhe krijues e artistë të tjerë ndaj në këtë perspektivë edhe konkurrencën e ka parë me syze paqësore dhe më shumë e perceptonte si nxitje për krijime të tjera më cilësore.
Janë te shumtë, kolegë e krijues, që kanë dhënë vlerësimet profesionale për të, dhe si duket të gjithë njëzëri vërtiten rreth vlerësimit se veçantia kryesore e tij është puna, modestia dhe sinqeriteti që i japin epitetin si një nga intelektualet më të denjë të zonës se Anamoravës.
Si shumë artistë e shkrimtarë te tjerë Hysen Këqiku krijon dhe ka krijuar me së shumti për ngritjen kulturore, atdheun dhe vendlindjen, brenga të cilat edhe në kohën që po flasim e trazojnë shpirtin kreativ të tij. Kujtoj që përshkrimin më të sakte dhe me adekuat për profesorin e ka dhënë kolegu e shkrimtari Nexhat Rexha, i cili në një shkrim të tij citon:“Hysen Këqiku ka gdhendur fjalën në dashuri e dhembje, për të cilën jeton deri në pikën e fundit. Ai arsyeton shkreptimën e fjalës artistike në shkreptimën e botës reale. Të dyja këto vezullojnë në mesazhin dhe korpusin artistik, si baraspeshim me kohët e dhembjeve…“
Me shume meritë, ai njihet në mesin e kolegëve si intelektual i kalibrit të lartë qe gëzon respekt dhe nderim maksimal që i bëhet nga të gjitha shtresat e shoqërisë, dhe kjo konsideratë prek si të shkuarën edhe të tashmen ngaqë dihet kontributi i tij në të kaluarën por edhe tani ai është si ujë burimi që rrjedh gjithmonë sepse ai aktualisht vazhdon të ushtrojë detyrën më të rëndësishme te karrierës së tij si Kryetar i Lidhjes së Shkrimtareve e Kosovës, Degën e Lidhjes në Gjilan.
Po aq sa ishte enigmatike dhe e pashpjegueshme mobilizimi i një armate nxënësish për tu marr me art dramatik nën drejtimin dhe udhëheqjen e profesorit një enigmë tjetër që vështirë t’i jepet interpretim të saktë është se si ia ka dalë, me aktivitetet e tij gjatë viteve ’90-ta, kohë në të cilën punonjësit e arsimit dhe kulturës nuk merrnin asnjë metelik për punën e bërë por përkundër vështirësive kryenin te gjitha detyrimet që nevojiteshin për të funksionuar si institucion e si shtet.
Hysen Keqiku, jo që ishte njeri prej tyre, por ishte bajraktar i këtyre proceseve.
Në këto rrethana kur rrezikohej ekzistenca, profesori ishte një nga më aktivët në strukturat udhëheqëse si kryetar i aktivit të mësimdhënësve të gjuhës shqipe të Komunës se Gjilanit, si drejtues i Shoqatës së Pavarur për Kulture, si themelues e drejtues i klubeve letrare të qytetit dhe nëpër shkolla të ndryshme, si redaktor e botues i revistave shkollore: “Dielli”, Gëzimi”, “Mimoza”, “Venera” dhe “Gazeta e pionierëve” Por, kjo nuk është e tëra, barrën më të madhe që e ka bartur ne kurriz ishte pozita kryetar i SHHB „Nëna Tereze“ në Gjilan të cilën e kreu me ndershmërinë dhe pergjegjësinë më të lartë deri ne kohen kur Kosova fiton mëvetesinë nga zgjedha serbe.
Padyshim që kjo kohë si për të gjithë shqiptarët ka qenë me e vështira dhe më sfiduesja jo për shkak të vështirësive në funksionimin jetik por para se gjithash për shkak të rrezikshmerisë së lartë që njerëzit janë përballur nëse do ushtronin aktivitet publik në ndihmë njëri-tjerit për të cilën kauzë profesor Hysen Keqiku nuk ndaloi punën as edhe një sekonde. Pozitat drejtuese në shërbim të aktiviteteve kulturore, ishin cak i ushtrimit te presionit nga regjimi i Millosheviqit për të cilin aktivitet profesori e mbrojti si me penë poashtu edhe me dëshmi kurajoze sa herë që është ftuar në të ashtuquajturat biseda informative.
Në gjykimin tim, regjimi pushtues serbosllav e dinte fare mirë se profesor Hysen Këqiku punonte me planprogramin e tij vetanak mësimor dhe edhe pse në ditar orën e shënonte, po themi “Lulezimi i partisë nën udheheqjen e shokut Tito“, ai në të vërtetë nxënësve ju fliste per rrënjët arbërore të kombit tonë, ju fliste për veprat e rilindasve kombëtarë, ju fliste për Gjergj Elez Alinë, mbretëreshën Teutë e për Princeshen Argjiro si dhe i mobilizonte nxenësit të merrnin pjesë në shfaqje tatrale dhe të ndiqnin rrugën e ngritjes dhe avancimit kombetar.
Regjimi e dinte mirë kush ishte katalizatori i zhvillimeve kulturore të shqiptarëve në rajonin e Anamoraves, ata e dinin fare mirë se kush ishte Hysen Këqiku e të tjerët si Ai…
Krijimtaria letrare e Hysen Keqikut nuk ka ndaluar edhe pas pensionimit ndaj dhe kurba zhvilimit intelektual e kreativ si shkrimtar shënon rritje dhe dëshmi për këtë janë botimet e shumta, trajtesat publicistike në letërsi e art,aktivitetet e ngjeshura të tij si pjesë e Shoqatës së shkrimtarëve të Kosovës e shumë të tjera të cilat po i përmendi (veprat) në mënyrë përmbledhëse: Monografi 10, poezi për të rritur 13, poezi për fëmijë 13, panorama letrare 5, kritikë letrare 3, drama 4, roman 1 që gjithësej bëjnë 50 vepra të botuara deri në përfundim të vitit 2024.
Lidhja e tij me teatrin mbetet e pashkeputur dhe siç e thotë edhe vetë profesori është dashuria e tij e parë ndaj dhe nuk mund të jetë ndryshe veçse e fortë dhe e përjetshme. Kjo dëshmohet me faktin se profesorin e gjen çdo herë në rresht të parë sa herë që hapen perdet e skenës për të parë se në çfarë nivele po ngritet artbërja, gjë që e bën të jetë i lumtur dhe në rastet kur ndjek një shfaqje të bukur, ai arrin të gëzohet pa masë.
Perveç ngazëllimit dhe ekzaltimit kur e sheh skenën me talentë të shumtë e profesionalë, ai thotë se çdo herë që sheh shfaqje arrin të përjetojë në publik ethet e skenës sikur të ishte vetë para publikut dhe kjo ndodh për shkak se ai gjithmonë ka qenë pjesë e pandarë me përjetimet që i kanë aktorët e regjisorët kur jepet një shfaqje.
Shpeshherë, tani kur takohemi me profesorin në ndonjë premierë, festival të teatrove apo në ndonjë shfaqje teatrale, e i them me shaka, po takohemi ne “vendin e krimit“, ne vendin ku i hodha hapat e parë në skenë falë ndihmës tënde dhe vazhdoj ta “akuzoj“ që profesor Hysen Këqiku është shkaktari kryesor që unë u dashurova në letërsinë dhe artin, ai është “fajtori“ që unë u brumosa me ndjenja kombëtare të çiltërta, ai është “fajtor“ që unë u dashurova në teatrin dhe realizova role në teatër.
Në linja të përgjithshme e gjykoj që profesor Hysen Këqiku është një nga figurat më poliedrike të letrave shqipe në rajonin e Anamoravës dhe kontributi i tij për artin e skenën e teatrin është i një vlere të pallogaritshme, kontribut jetësor që meriton të vendoset në piedestal të lartë si një personalitet e intelektual i rangut kombëtar.
Jete të gjatë profesor i nderuar …