DYLON

Huruglica viziton Qendrën për Aftësim Profesional në Gjilan, në fokus rritja e punësimit

Huruglica viziton Qendrën për Aftësim Profesional në Gjilan, në fokus rritja e punësimit
Avatar photo Redaksia

Drejtori i Drejtorisë për Zhvillim Ekonomik (DZHE) në Komunën e Gjilanit, Haki Huruglica, ka vizituar Qendrën për Aftësim Profesional (QAP) në Gjilan, ku është njohur nga afër me punën dhe programet që ofrohen në këtë Qendër për përgatitjen e qytetarëve për tregun e punës.

Gjatë vizitës, Huruglica vlerësoi rolin e kësaj qendre në zhvillimin e aftësive profesionale, duke theksuar rëndësinë e trajnimeve praktike për të rinjtë dhe të papunët.

EkoHigjiena

“Kjo qendër luan një rol shumë të rëndësishëm në përgatitjen e qytetarëve për tregun e punës, duke ofruar trajnime konkrete që rrisin mundësitë për punësim”, ka deklaruar Huruglica.

Qendra për Aftësim Profesional në Gjilan ofron trajnime në disa fusha të rëndësishme, si kontabiliteti, dizajni grafik, kuzhinieria, metalpunimi, zdrukthëtaria dhe rrobaqepësia, duke u mundësuar pjesëmarrësve të fitojnë aftësi praktike dhe të kërkuara në treg.

Në kuadër të kësaj vizite, drejtori Huruglica zhvilloi takim edhe me udhëheqësin e qendrës, Mujedin Zylfijaj, ku u diskutua për thellimin e bashkëpunimit dhe krijimin e mundësive të reja për punësim në rajonin e Anamoravës.

“Me udhëheqësin e qendrës diskutuam për bashkëpunimin në të ardhmen dhe për mënyrat se si mund të rrisim mundësitë për punësim në Anamoravë. Do të vazhdojmë bashkëpunimin në projekte konkrete që lidhen me aftësimin profesional dhe lidhjen më të mirë të kandidatëve me tregun e punës”, ka shtuar ai.  /2LONLINE/