Huruglica: Drejtoria për Zhvillim Ekonomik pjesë e “Anamorava Economic Forum 2026”
Drejtori i Drejtorisë për Zhvillim Ekonomik, në Komunën e Gjilani, Haki Huruglica tha se Drejtoria që e drejton ai mori pjesë në “Anamorava Economic Forum 2026”, mbajtur në Vali Ranch Resort, një ngjarje e rëndësishme ekonomike që bashkoi përfaqësues të institucioneve publike, bizneseve, investitorëve, odave ekonomike dhe përfaqësuesve të diasporës.
Sipas tij, pjesëmarrja në këtë forum përbën një mundësi të rëndësishme për promovimin e potencialeve ekonomike të Komunës së Gjilanit, prezantimin e mundësive për investime dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve lokale dhe sektorit privat.
Drejtori Huruglica ka thënë se gjatë forumit u diskutua për mundësitë e zhvillimit ekonomik të rajonit të Anamoravës, potencialet për investime, përkrahjen e bizneseve, zhvillimin e sektorit privat, si dhe rëndësinë e bashkëpunimit me investitorët vendorë dhe të diasporës.
Sipas tij, Drejtoria për Zhvillim Ekonomik, përmes pjesëmarrjes në aktivitete të tilla, synon të promovojë Gjilanin si një destinacion të përshtatshëm për investime, të krijojë kontakte të reja me komunitetin e biznesit dhe të kontribuojë në krijimin e mundësive të reja për zhvillim ekonomik dhe punësim.
“Bashkëpunimi ndërinstitucional, partneriteti me sektorin privat dhe angazhimi i diasporës janë elemente të rëndësishme për një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm të Gjilanit dhe të gjithë rajonit të Anamoravës”, ka thënë Haki Huruglica, drejtor i Drejtorisë për Zhvillim Ekonomik, në Komunën e Gjilani. /2LONLINE/
