(2L ONLINE) – Autoritetet policore të Rajonit të Gjilanit kanë bërë të ditur për një aksident fatal që ka ndodhur te ura e fshatit Dragancë të komunës së Novobërdës, ku një qytetar ka humbur kontrollin mbi automjetin e tij dhe duke u shkëputur nga rruga bie në një humnerë të thellë. Si pasojë e përplasjes nga plagët e marra ndërron jetë. Në momentin kritik, bashkë me vozitësin, tani më të ndjerë, në veturë kanë qenë edhe bashkëshortja e tij dhe tre fëmijët e tyre, të cilët pësojnë lëndime trupore dhe janë ndalur për tretman mjekësor në spitalin regjional në Gjilan. Sipas raportit të mjekut fatmirësisht gjendja e të gjithëve është stabile dhe jashtë rrezikut për jetë.
Duke folur për rastin, Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës (PK), në Drejtorinë Rajonale në Gjilan ka thënë se me datën 11.1.2015 rreth orës 22:55, Policia e Kosovës ka pranuar një informatë se në rrugën Novobërdë –Gjilan ka ndodhur një aksident trafiku. Njësitet e Policisë së Kosovës nga stacioni i Novobërdës me urgjencë kanë dalë në vendin e ngjarjes.
“Nga hetimet e para mësohet se derisa vozitësi H. K. (1972) (tashmë i ndjerë) duke drejtuar automjetin e tipit Mercedes, duke lëvizur nga drejtimi i Novobërdës, me të arritur te ura e fshatit Dragancë komuna e Novobërdës, besohet që duke mos e përshtatur shpejtësinë e automjetit me kushtet e rrugës me borë dhe lagështi humb kontrollin mbi automjet dhe shkëputet nga rruga, ku bie në një humnerë të thellë dhe si pasojë e përplasjes nga plagët e marra vozitësi ndërron jetë, vdekja është konfirmuar nga mjeku kujdestar i QMF në Gjilan”, ka thënë zëdhënësi Hashani.
Ai tha se në momentin kritik bashkë me vozitësin në veturë kanë qenë bashkëshortja dhe tre fëmijët e tij. Lëndime trupore pësojnë të gjithë pasagjerët, të cilët janë ndalur për tretman mjekësor në spitalin regjional në Gjilan. Sipas raportit të mjekut fatmirësisht gjendja e të gjithëve është stabile dhe jashtë rrezikut për jetë.
“Në vendin e ngjarjes ka prezantuar prokurori i shtetit i cili ka urdhëruar që trupi i pajetë të dërgohet në IML në Prishtinë për obduksion. Në vendin e ngjarjes po ashtu kanë dalë Policia e Kosovës njësitet e trafikut rajonal, si dhe ka asistuar dhe shërbimi i zjarrfikësve. Hetimet rreth rastit janë duke vazhduar”, ka thënë toger Ismet Hashani. /2L ONLINE/
/fotoilustrim/