Hulumtimi Akademik i QSU-së i prezantuar në Forumin Ndërkombëtar për Paqe, Siguri dhe Prosperitet 2025, vlerësohet si një nga më të mirët e forumit
Hulumtimi Akademik i Qendrës për Studime Universitare, i prezantuar në Forumin Ndërkombëtar për Paqe, Siguri dhe Prosperitet 2025, i mbajtur në Itali, vlerësohet si një nga më të mirët e forumit.
Qendra për Studime Universitare, e përfaqësuar nga Komandanti i QSU-së, major Mimoza Budeci, rreshter shtabor Kushtrim Çeku dhe kadetët Betim Hoti, Melos Ramushi, Ylli Syla dhe Denis Berisha, morën pjesë në Forumin Ndërkombëtar për Paqe, Siguri dhe Prosperitet 2025 në Palermo të Italisë. Në këtë forum morën pjesë 300 pjesëmarrës nga 140 akademi ushtarake dhe universitete.
Ky forum adresoi shqetësimet në rritje për sigurinë njerëzore në një botë gjithnjë e më të paqëndrueshme, të pasigurt, komplekse dhe të paqartë. Diskutimet u përqendruan në sfida të shumanshme, si konfliktet e armatosura, terrorizmi, ndryshimet klimatike, pandemitë dhe tronditjet teknologjike, me synimin për të ndërtuar paqe të qëndrueshme.
Temat kryesore të forumit përfshinë: Lufta hibride; Fëmijët dhe lufta; Qasjet ndaj sigurisë njerëzore.
Kadetët patën mundësinë të prezantojnë hulumtimin akademik me temën “Siguria njerëzore përmes edukimit kibernetik të të rinjve” përpara një audience të gjerë, përfshirë kadetë nga akademi të tjera ushtarake dhe ekspertë të fushës. Hulumtimi akademik i prezantuar nga kadetët u dallua për qasjen analitike, duke u vlerësuar si një nga më të mirët e forumit, ku morën pjesë akademi ushtarake nga shtete si SHBA, Britania e Madhe, Gjermania, Italia, Zvicra dhe shumë universitete të tjera, të cilat prezantuan hulumtimet e tyre.
Pjesëmarrja në këtë forum ishte një mundësi e jashtëzakonshme për të rritur bashkëpunimin ndërkombëtar dhe shkëmbimin e ideve të reja mes akademive ushtarake. Njëherazi, kjo pjesëmarrje është treguesi më i mirë i avancimit që Qendra për Studime Universitare po shënon në ngritjen e kapaciteteve të saj si një institucion akademik ushtarak, kapacitetet dhe vlerat e të cilës po pranohen dhe vlerësohen shumë lartë nga përfaqësuesit më të lartë të akademive më të njohura ushtarake në botë. /2LONLINE/
