Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj gjatë raportimit në Komisionin Parlamentar për Politikë të Jashtme nuk e ka përjashtuar mundësinë që në një të ardhme të afërt pesë vendet e BE-së ta marrin vendimin historik për njohjen e Kosovës.
“Përfshirja e Kosovës në dialogun me Serbinë duke fuqizuar pozitën tonë ndërkombëtare dhe nga kontaktet dhe vizitat e mija të shpeshta në disa prej këtyre vendeve të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën – ka prodhuar një disponim dhe momentum të ri politik të këtyre vendeve karshi njohjes së Kosovës. Ka një disponim për të lëvizur drejt njohjes së Kosovës”, ka thënë Hoxhaj, transmeton RTK.
Ministri i Jashtëm iu është përgjigjur pyetjeve të shumta të anëtarëve të Komisionit Parlamentar për Politikë të Jashtme, duke rikapitualuar punën e Ministrisë, të arriturat dhe prioritetet e politikës së jashtme në vitin 2014. Raportimi i sotëm i ministrit Hoxhaj është i treti me radhë dhe i fundit për këtë vit para Komisionit për Politikë të Jashtme.