Hoxha: PDK – LDK koalicion i hershëm në korrupsion
Lëvizja Vetëvendosje mbajti një konferencë për media rreth arrestimeve të fundit për korrupsion. Anëtari i Kryesisë, Ylli Hoxha tha se rrjeti i krimit të organizuar, ai që u arrestua ditë më parë i drejtuar nga deputetit i PDK-së Azem Syla, e dëshmon qartë sistemin se si funksionon Republika e Kosovës dhe si është e kapur ajo.
SIpas tij, në këtë rrjet të udhëhequr nga një deputet i PDK-së, njëherit njeri me ndikim në kreun e kësaj partie dhe i afërt me Hashim Thaçin e Kadri Veselin, pjesëmarrës ishte edhe një drejtor komune i Isa Mustafës, dhe të gjithë së bashku ishin të lidhur me ish officer të MUP famkeqe të Serbisë.
Sikur në rrafshin politik e institucional ku i kemi bashkë Isa Mustafën e LDK-së, Hashim Thaçin e PDK-së, Kadri Veselin e ShIK-ut, dhe këta bashkë me Vuçiqin e Daçiqin, ashtu edhe në nëntokën e organizuar për shpronësim toke, janë bashkë eksponentë të të njëjtave grupe.
Kjo politikë e shtetshkatërrimit dhe e kapjes së shtetit nuk mund të funksionojë ndryshe përveç me një bashkëpunim të ngushtë në mes të kamuflazhës institucionale dhe nëntokës reale të krimit. Bashkimi në institucione në këtë rast paraqet bashkimin në krim të organizuar. Njëra pa tjetrën nuk funksionojnë dot, dhe secila është kusht i ekzistimit të tjetrës. Pa
krim të organizuar nuk do të bëheshin bashkë, por edhe pa u bërë bashkë nuk do të mund të organizonin krim, ka thenë Hoxha.
Sipas tij, e tërë kjo qartazi në dëm të Republikës (institucionalisht) dhe në dëm të qytetarëve. Këta të fundit tash e 17 vite shpronësohen dhunshëm dhe kriminalisht, privohen nga e drejta e tyre në pasuri dhe shërbime publike, u shkurtohen mundësitë kolektive nga uzurpatorët dhe keqpërdoruesit e parasë publike. Krahas këtij lëndimi të rëndë të së tashmes dhe së ardhmes, këta qytetarë ofendohen përditë nga krerët e krimit të cilët njëkohësisht kanë në dorë edhe aparatin shtetëror që do të duhej ta luftonte këtë krim.
Nesër bëhen dy vite që kur Grupi jonë i asambleistëve, në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës kishte çuar një lëndë në prokurori për një rast identik me rastin të cilin e ngriti prokuroria dje ndaj Azem Sylës dhe krimit të organizuar. Ne kemi dyshime se në Sofali janë tjeërsuar mbi 60 hektarë të pronës komunale, thotë Hoxha.
Ne dokumentonim pretendimet tona , përmes rastit të Mefail Cakollit i cili prentendonte se kishte marrë një pronë prej 16 ari, mu në parkun e Gërmisë dhe pretendonte ta ndërronte atë pronë me një pronë tjetër të Komunës. Prona në fjalë ishte përkthyer me dokumente të jashtëligjshme, duke kaluar në filtrin e gjyqësisë së pari, Komunës së Prishtinës, për t’u shndërruar më tej pronë e njeriut të cilit pretendonim se është falsifikator. Kontrata e nënshkruar për këtë pronë ishte e vitit 1986, kurse ishte e shtypur me printer laserik, dhe ishte vërtetuar në Gjykaten e Graçanicës në vitin 2001. Në këtë lëndë ishin të përfshirë edhe Sami Hamiti dhe Sharr Pllana. Rasti në fjalë (Mifail Cakolli) ilustron mënyrën se si kjo zonë e Prishtinës është rrjepur nga prona publike përmes dokumenteve të falsifikuara dhe bashkëpunimit të institucioneve gjyqësore e komunale në krimet e shpronësimit.
Por, prokuroria, saktësisht prokurorja Sevdije Morina i kishte kthyer përgjigje Komunës duke thënë se nuk ka bazë të mjaftushme për të hapur hetime me pretendimin se veprat penale ishin të parashkruara. Duke qenë të bindur se prokurorja Sevdie Morina ka neglizhuar detyrën e saj kërkojmë nga komisioni disiplinor pranë Këshillit Prokurorial që të merr masa ndaj prokurores Morina. Poashtu, kërkojme nga prokuroria që bazuar ne rastin “Azem Syla” të fillojë hetimin gjithëpërfshirës për tjetërsimin e jashtëligjshëm të dhjetëra hektarëve tokë në Komunën e Prishtinës, duke përdor si pikënisje, por jo edhe pikembarim, faktet e depozituara për zonën kadastrale të Sofalisë, thotë yll Hoxha i Vetëvnedosjes. /2L ONLINE/
