Hoxha: Nuk është bërë mjaft për luftimin e korrupsionit
Sot është Dita Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit. Ushtruesi i Detyrës së kryeprokurorit, Sylë Hoxha, pranon se nuk është bërë mjaft nga prokuroria në luftimin e kësaj dukurie.
Sylë Hoxha ka theksuar për Radio Kosovën se nuk ka numër të mjaftueshëm të prokurorëve.
Po bëhen më shumë se një vit që kur është miratuar Plani Strategjik për zgjidhjen e lëndëve të korrupsionit. Me gjithë afatet, detyrat e obligimet, nuk ka rezultate të mira, pranon kryeprokurori Sylë Hoxha.
“Edhe pse nuk jemi të kënaqur me zbatimin e atij plani strategjik por megjithatë kemi pasur rezultate në shumicën e prokurorive, por si tërësi nuk jemi të kënaqur edhe ne si zyre e krye-prokurorit të shtetit me këto rezultate.”
Kritika ndaj prokurorisë për mostrajtim të lëndëve ka pasur vazhdimisht nga Agjencia Kundër Korrupsion, së fundi edhe nga kryetari i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti. Por, Hoxha nuk pajtohet më këto kritika.
“Unë ju thash edhe për lëndët e Prishtinës, të kryetarit të Komunës së Prishtinës edhe të lëndëve anti-korrupsion që vinë si kallëzime penale, këto lëndë të kësaj natyre janë me prioritet.”
Kryeprokurori Hoxha thotë se megjithëqë lëndët trajtohen me prioritet, vonesat ndodhin për shkak të mungesës së prokurorëve.
“Sigurisht në mungesë të prokurorëve apo edhe të natyrës së lëndëve, marrin kohë pak më tepër, përndryshe të gjitha këto lëndë janë në punë e sipër. Nuk ka neglizhencë, sepse janë me prioritet.”
Hoxha tha se sistemit Prokurorial të Kosovës për momentin i duhen rreth 200 prokurorë, ndërsa aktualisht i ka 140 prokurorë.
