Vendimi për faljen e borxheve që qytetarët dhe bizneset kanë ndaj shtetit, është marrë mbi arsyeshmërinë që në Kosovë në vitin 2008 kanë ndodhur ndryshime të mëdha strukturore, ndryshime kapitale.
“Ne po mendojmë që të bëjmë një prerje në atë kohë dhe të kemi një fillim të ri. Falja e borxheve do t’i ndihmojë qytetarët dhe bizneset për një fillim të mbarë”, thotë ndër të tjera në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ministri i Financave, Avdullah Hoti.
Sipas tij, është themeluar një komision ndërministror, i cili do të verifikojë borxhet dhe do të propozojë para qeverisë formën ligjore se si të procedohet më tutje. Ky vendim është marrë mbi arsyeshmërinë që në Kosovë në vitin 2008 kanë ndodhur ndryshime të mëdha strukturore në shoqëri, është shpallur pavarësia, është aprovuar Kushtetuta e re, janë larguar ligjet e UNMIK-ut, kemi filluar me ligje të shtetit të ri. Pra, është një ndryshim kapital që ka ndodhur në shtetin e Kosovës, dhe ne po mendojmë që të bëmë një prerje në atë kohë dhe të kemi një fillim të ri.