Hosteni
Shkruan: Femi HALIMI
(2L ONLINE) – Në këtë kohë, falë teknologjisë, shpikjeve dhe produkteve teknike dhe të punës, jeta njerëzore është bërë shumë e lehtë.
Më kujtohet ajo kohë, para pesëdhjetë vjetëve kur duhej të bënim një qerre dru për shitje dhe gjithë natën tre –katë vetë punonim që para mëngjesit të bënim qerren gati me dru dhe të niseshim për të zbritë atje –këtu poshtë në fushë, deri në qytet. Nata edhe e verës është e ftohtë dhe sidomos para mëngjesit shpirti flen vetë. Udhëtimi deri në qytet zgjaste deri në mesditë thuajase. Pastaj duhej pritë deri të shiteshin drutë, ose nëse nuk shiteshin, të shkarkoheshin tek ndokush i njohshëm në oborr dhe mezi dikur të hynim mbrenda te i njohshmi dhe të buanim. Të nesërmën pastaj gjithçka prej fillimit…Nisheshim ose, me vezë e pula para mëngjesi, këmbë, e arrinim në Preshevë a Kumanovë në mesditë; pritnim sa shitnim atë që kishim për të shitur dhe si blenim shpejt diçka harq e gjëra personale, menjëherë ktheheshim prapa e në shtëpi, e mbërrinim ka mesi i natës.
Njerëzit ato kohë udhëtonin këmbë, e punonin me qe, me lopë, me kuaj të mbrehur në qerre me dy rrotë, derisa dualën qerret me katër rrotë “të Preshevës”!…Mundi ishte i madh, udhëtimi në qerre e këmbë gjithë ditën dhe kush nuk e bënte llaf këtë punë. Me paratë që merreshin nga shitja e druve bëhej harqi për shtëpi për një o dy muaj. Të gjithë ishin të lumtur dhe një dritë fytyrës vërehej tek secili. Sjelljet ishin njerëzore dhe pritja fisnike. Buka piqej me qerep e saq, pran oxhakut me flakën deri në qiell, derisa pastaj dualën shporetët e zinjë dhe shpejt pas tyre këta me emajl. Të gjithë kishin dhe secilli ishte mbret në hise të vet. Pemët bënin thyet e kopshtijet det. Edhe bagëtia kanë qenë të urta dhe nuk bënin dëm, sikur dinin si njerëzit. Qentë në zinxhirë qerresh si luaj lehnin rëndë dhe tregonin shtëpitë në kamje dhe në mirësi. Thuhej se “–si është qeni –i tillë është edhe i zoti i shtëpisë” dhe se si janë dyert e oborrit, -i tillë është edhe i zoti i shtëpisë…
Kur ndokush vinte kështu musafir, gëzimi ishte i madh. Atëherë kur shihnin se po vinte daja për shembull, ai që e hetonte nga larg dajën, thërriste me zë të gjithë të tjerët dhe u tregonte, e mandej të gjithë nganin dhe i dilnin para. Të gjithë të qeshur, të dashur, të gëzuar! Jetohej me gëzim e me afërsi njerëzore. Njerëzit kështu ishin të afërtë, të kuptueshëm, të mëshirshëm, të dhembshëm, ngushëllues. Ndaj atij që ishte në hall, mblidheshin të gjithë dhe ia bënin qaren dhe miku që vinte në derë me hall nuk lëshohej pa ndihmuar. Të moçmit ishin në rend në krye dhe të rinjtë në radhë anash, me hijeshi. Flisnin të gjithë, të gjithë e kishin rendin e vet dhe rendi e radha ishin ligj ashtu vetvetiu. Musafiri kishte fjalën dhe të gjithë e përcillnin me njerëzi. Duhani pihej sert e ndërroheshin kutitë rend e rend, me llaf e kuvend. Kush nuk sëmurej nga duhani se ishin të ushqyeshëm njerëzit. Bylmeti është direku i shpirtit thonin dhe yndyra tra. Tash, -pa përmendja yndyrën dikujtë se. Kështu në këtë kohën tonë një musafir tek miku flet për kreatinën, kolesterolin, hemoglobinën, për kufizimin në ushqim,…e i zoti i shtëpisë i thotë: “-Vallahi nuk i kemi asnjanën prej qe’tyne çka pi lypë, -po ha bre bir, çka ka qëllue!”…
Kurrë nuk ndodhte që musafirit ti lëshohej ndonjë fjalë ndryshe ngasa ishte ligji i odës dhe ndejës. Kurrë nuk ka ndodhë që njeriut në konak ti kundërshtohet, dyshohet, ndryshohet e pështillet fjala e thënia. Çka flitej, flitej me zë e plot dhe drejt para të gjithëve. Nuk kishte të folme plotësuese në vesh dhe përqeshje e përsëdytje. Ishte shëndet edhe sjellja…E ajo, atëherë, ishte e thjeshtë, e natyrshme, me bekim. As hoxhës s’ia kthente kush llafin po të gjithë e merrnin me rend pëpr darkë…Nuk kishte vjedhje dhe dyertë rrinin qelë gjithë kohën për mot të mirë. As ruante kush koshet e hambarët dhe arat nuk kishin rojtarë. Rrobat tereshin nëpër pemë, e mbi gardhiqe, pa i prekë kurrë kush. Nuk kishte dorë hajnie dhe nuk dinte kush për këtë. Kurse kur prente dikush me rend kafshët për dimër, u ndante gjithë shtëpive nga një pjesë të mirë. Punohej me mbarësi -dhe kishte mbarësi. Për këtë Perëndia krijoi njeriun, -që të qeverisë botën, gjithë gjallesat e tokës, -me mëshirë, drejtësi e mbarësi.
Kush punonte rrallë në punë të shtetit atokohë, në punë shkonte këmbë -në shi, furtunë, borë, ftoht. Nuk kishte të ndalur as ikje nga detyra. Nuk kishte pushime mjekësore dhe nuk kishte ankesa. Nuk bëhej politikë dhe nuk përgojohej qeveria e bota sikur tani, sepse jovetëm se nuk guxonin, por as ishte kjo kështu në ndërdije të njerëzve. Shkollat punonin me vrull, kuzhinë kishte çdonjëra dhe ngrohje me dru për gjithë kohën. Rrogat e mësuesve ishin të mira dhe mësuesit udhëtonin me kilometra anekënd vendit, banonin në shkolla o nëpër njerëz, -se atëherë rerspekti për mësuesit ishte i jashtëzakonshëm. Gratë shtyheshin sekush po bënte punët më shumë e më shpejt dhe bekonin ardhësin me besim se një i ardhur në shtëpi e në konak ishte i dërguar nga vetë Zoti, për bekim dhe jetë. Kush kupton tash këto!?…Një dorë nusje kur lypej për një mësues ishte punë e madhe dhe shtyheshin se kush t’ia jepte mësuesit qikën…Kurse në shkolla kishte disciplinë dhe nuk hetohej se kishte njeri të gjallë brenda…
Lavërtari lavronte gjithë ditën dhe kafshët e zgjedhës disaherë i lironte në kullosë e ujë, me pushim edhe për to edhe për vete. Mbi të gjitha në dorë tok me dorëzën e pllugut mbante hostenin. Hosteni ishte një shkop rreth gjysmë metre paksa sikur hotllagi dhe në dy anët kishte maja hekuri. Me hosten lavërtari therrte kafshët kur ngecnin e lodheshin, porse hostenin e shtynte në kofshën e kafshës me dorë të vet. Kështu edhe kur therrte kafshët, i therrte aq sa therrte edhe veten. Kjo ishte për drejtësinë…Drejtësia! -Heh!…
…-Mbreti David e mësoi birin e vet Salomonin për këto punë të jetës dhe i përkushtoi gjithë mësimin në një gjë: e mira duhej të dihej dhe të ruhej. Nuk bën të përbuzet e të nëpërkëmbet, sepse ka një ndëshkim në fund për këtë dhe se njerëzit vetë prejnë fatin e vet gjithsecili. Kështu Salomoni pas të atit, nganjëherë linte rrobat e mbretit dhe vishte mantelin e shtektarit, ngjeshte brezin, mbathte sandalet dhe merrte shkopin e dilte tinëz e ia mbante andej –këndej vendit. Hynte e dilte nëpër vendbanime, buante, rrinte me njerëz, bisedonte dhe shihte e dëgjonte çka ishin punët. Kështu Salomoni shihte bijtë e popullit të tij si shgrryheshin në teprime të mirash, në shtretër prej fildishi ditë e natë, me mishra e me verë, e pije dehëse, dhe që me mëngjes. Që me mëngjes nxirrnin nga ahuret qetë, deshtë e cjepët më të majmë, i prenin e i hanin, me këngë e vallëzime të hareshme ditë e natë dhe me të gjitha çejfet njerëzore. Që mëtrasheshin nga ushqimet e shumta e ndejat pa mbarim. Ata mbanin shumë gra të popullit e të të tjerëve rreth vetes dhe lavdëroheshin deri në qiell për këtë. Ndiqnin lypësit kur ua behnin në portat, që kërkonin një pjesë bukë a miell për fëmijtë e uritur dhe i përqeshnin me përbuzje…Salomoni pa një qytet të rrethuar me rrethim të hekurtë për vdekje nga armiku dhe pa dorëzimin që po shkonter ta bënte komandanti i kështjellës -anise edhe me dorëzim të gjithë armiku do ti vritëte, -por pastaj mbreti pa si një skamnor i mençur me një dredhi shpëtoi qytetin, por që…pastaj kush nuk u kujtua për të…Njëherë Salomoni kur ishte në teren me ushtrinë, shkoi vetë në një majë mali, tek një kasolle e vetme. Hyri brenda tek një familje në skamje të skajshme. Salomoni e pyeti plakun e shtëpisë se a kishin marrë ndihmat e mbretit dhe plaku nuk e kuptoi. Salomoni e pyeti se a kishin ardhë njerëzit e mbretit tek ai ndonjëherë dhe plaku sërish nuk e kuptoi. Salomoni pastaj thuhet se hoq një qese plot argjend dhe ia la plakut dhe iu falënderua për këtë lajm të mirë e të duhur shumë. Mbreti mandej zbriti thuhet poshtë në Shtab dhe kryekomandantëve e intendantëve u hoq gradat e titujt sepse pa se e kishin gënjyer gjithë kohën dhe se ndihmat për skamnorët i kishin marrë për vete…Por, ai ishte Salomoni –biri i Davidit! Ishte mbreti më i madh, më i pasur dhe më i dijshëm nga gjithë mbretërit që kishte pasur bota ndonjëherë. Po Salomoni ishte edhe i zgjedhur dhe i thirrur i Zotit Perëndi nga njerëzit dhe i shpërblyer nga Perëndia për drejtësinë dhe angazhimin e tij të pashoq, për mirësinë, dhembjen, mëshirën dhe ngushëllimin për gjithsecilin në nevojë. Këto thoshte ai kërkon Perëndia ynë, -e jo ceremonitë, të shtunat, hënat e reja, holokaustet, therrjen e kafshëve, tymin e temjanin, -pa vepra besimi dhe pa njerëzi. Mbreti la fjalë të urta sikur i ati i tij dhe mësoi për këtë që gjithë brezet njertëzore i brenë:
“Mosbesimi dhe përbuzja prishin njeriun, heqin bekimet dhe njeriu bëhet i humbur. Njerëzit kështu”, si tha mbreti i madh, -“janë në këtë botë në një lajthitje të rëndë. Kur vuajnë janë të drejtë dhe kur forcohen e drejtohen, lajthitin dhe prishen. Sikur skamja e fatkeqësia i pastrojnë nga të këqijat dhe kamja e mirëqenia i shkatërrojnë.”
Ndryshe nuk mund të jetë, kur shihet edhe tani se sa më mirë të rregullohen e drejtohen, njerëzit jo se nuk falënderohen, por përgazen e prishen dhe humbin njerëzinë. Është pikëyetje se çka të bëhet me këtë dhe se a duhet njerëzit të vuajnë dhe në vuajtje të jenë fisnikë, apo të kamen dhe të kënaqen, po fill pastaj të prishen të tërë dhe mos të mbeten për asgjë…Kështu më bëri njëri të më mëteket të mendojë, kah e dëgjoja si përjargej e shkumbohej për bashkimin kombëtar me çdo kusht dhe si fyente të gjithë të tjerët sepse nuk ishin për këtë, por që e njihja këtë njeri, -që ishte një tregtar dhe që gjithë mallin e merr prej fqinjëve sllavë dhe kurrë prej vëllezërve të vetë matanë. I thashë unë atij, desha s’desha, -se te na ta qesin gjuhën një metër, edhe pa pasë fare!…I thashë se duhet të bëjmë njëherë bashkim tregtar, mandej ekonomik,…e në fund vetvetiu i thashë vjen bashkimi kombëtar! Kështu, i thashë, si ka mundësi të bëhet bashkim kombëtar kur ti me të tjerët bleni mallra vetëm prej Sërbie e Maqedonie, me miliarda, a nga Shqipëria nuk merrni as tre milionë!…Sepse europianët konceptin e kombit, veç gjuhës, teritorit kompakt dhe konstruktit psikologjik të njëjtë e kanë plotësuar edhe me bashkësinë ekonomike dhe interesin e përbashkët. Kështu nëse interesi ynë tregtar e ekonomik është i njëjtë me të serbëve dhe bëjmë një zonë të interesit tregtar, po i bije se ne jemi komb me serbët dhe mos të na mbetet hatri pse na refuzojnë shitjen e patatave atje matanë tek tanët, sepse atje ka interes të brendshëm të shqiptarëve që dallon nga interesi ynë dhe se ata nuk lejojnë të përzihen konceptet këto…
Më kujtohet!… –Hoh, si më kujtohet shpesh ajo kohë e ndejave të gjata nëpër strehimoret ku mblidheshim në ilegalitet dhe ku përveç që bënim planet çka të bënim, pikën më të dashur të bisedave dhe të takimit e kishim rreth lirisë që do të vinte dhe në të cilën besonim!…Hoh!?… Kush do të besonte se liria është më e rëndë se robëria?! Atëherë jo se nuk do të besonte kush, por nuk kishte kush as ta mendonte këtë kështu. Robëria ishte më e rëndë se vdekja, -sepse edhe ka qenë parolla e luftës –“ Më mirë në varr, se në robëri, -më mirë vdekur, se rob”! Po tani, që erdhi liria dhe që u bënë pesëmbëdhjetë vjet e tepër në liri, vaji e ankesat janë në qiell. Ishim në robëri e qëndrohej dhe zëri kujtë si ndihej. Tani në liri, gjithçka u duket mbrapshtë, e rëndë, e padrejtë, e keqpërdorur dhe të gjithë janë kundër të gjithëve në një luftë totale orveliane. Ferma e Kafshëve tani u bë e vërtetë dhe parashikimi i autorit skizofren doli i njëmendët. Për lirinë tani nuk ka kurrfarë ndjenje dhe kush lirinë nuk e blen as për pesë cent. Thjeshtë liria nuk paska vleftë fare dhe puna e saj nuk paska qenë gjë prej gjëje. Lokja rahmetlia thoshte se… “gjoja kur çohen peshë –duhet mi pre, -e mishin mos me ja’u honger”.
–Çështja është se –çka kërkohet nëvend të lirisë dhe çka do të vjen pas saj, e drejtë dhe e mirë për të gjithë?! Nuk di që ka gjë tjetër pas lirisë, pos se liria dhe robëria janë sikur fytyrat e një monedhe në një short fati nëmes dy kundërshtarëve. Kështu ndodhë që monedha kur përhidhet në ajër të bie mbarë dhe më këtë rast dikush fiton, e dikush tjetër humbë. Kjo do të thotë se janë dy palë të kundërta dhe se nuk ka si që për të dy palët monedha e hedhur të bie për të dyjat. Vetë punët janë kështu të bëra në këtë botë: mbarë ose mbrapshtë. Dikush fiton me të mbarën, e dikush me të mbrapshtën.
Ose mbase, vetë hedhësi i monedhës kurdisë fatin për njërën anë, -sepse po shihet se gjithmonë monedha dikujtë të njëjtë gjithmonë i bie mbarë, e dikujtë pokështu të njejtë monedha gjithmonë i bie mbrapshtë!… /2L ONLINE/
