Hitzfeld lavdëron Behramin
Kombëtarja e Zvicrës falë shqiptarëve është kualifikuar në Kampionatin Botëror -Brazili 2014. Kombëtare që ka në petkun e saj shqiptarët, si: Valon Behrami, Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka, Admir Mehmedi, Blerim Xhemaili dhe Pajtim Kasami.
Përzgjedhësi i kombëtares së Zvicrës, Ottmar Hitzfeld, shpreh fjalë të jashtëzakonshme për mesfushorin e Napolit, Valon Behrami. Ai tha se Behrami është një futbollistë luftarakë dhe i palodhshëm në fushë.
“Valoni ka bërë përparime të jashtëzakonshme dhe më pëlqen shumë ta shoh duke luajtur, vrapuar e luftuar. Është një makinë, duket se nuk lodhet kurrë. Është lojtar me zemër të madhe. Në Shqipëri, ku i ka rrënjët, shumë njerëz ishin të mllefosur sepse e kishte zgjedhur Zvicrën. Ai e ka një karakter të fortë: luan me Zvicrën, por nuk e mohon origjinën. Së bashku e kemi arritur kualifikimin për Kampionatin Botëror në Tiranë”, ka thënë përzgjedhësi zviceran.
Ai më tej për portalin ‘Il Mattino’ thotë se Behrami është një profesionist i madh. “Behrami është një profesionist i madh, jemi të njohuri për gjendjen e tij pas lëndimit. Nëse vendos të luajë kundër Kroacisë, do të ishte i mirëseardhur. Nëse vendos të largohet nga Napoli, asnjë problem, sepse kemi nevojë për Behramin më të mirë në Kampionatin Botëror”, tha Hitzfeld.
Zvicra është në grupin E me Francën, Ekuadorin e Hondurasin. Ndeshjen e parë do të luajë me 15 qershor kundër Ekuadorit.
