Historia jonë do të shkruhet drejtë vetëm sa ne e vlerësojmë drejtë të kaluarën tonë!

Historia jonë do të shkruhet drejtë vetëm sa ne e vlerësojmë drejtë të kaluarën tonë!

Në 30 vjetorin e Deklaratës Kushtetuese të 2 korrikut 1990, po vazhdon vlerësimi deklarativ i suitës sonë politike, sikur edhe në përvjetorët paraprak.

Shkruan: Faton BISLIMI    

Se delegatët e Kuvendit të Kosovës të asaj kohe kishin rrezikuar edhe jetën e tyre, e të familjeve të tyre, për t’u vënë në ballë të kërkesës historike, të drejtë, e kombëtare të shqiptarëve të Kosovës për mëvetësi e liri; se Deklarata Kushtetuese që ata miratuan nën tutelën okupatore serbe ishte pararendëse e Deklaratës së Pavarësisë së 17 shkurtit 2008; se frymëzimi kombëtar që ky akt i dha popullit të Kosovës ishte substancial; dhe se akti në fjalë u bë gurëthemel i shtetësisë së Kosovës dhe vlerë e patejkalueshme në analet juridike ndërkombëtare kundrejtë përpjekjeve heroike të popullit tonë për liri e pavarësi — janë tanimë fakte që nuk mund asnjëherë as të mohohen e as të anashkalohen!

Andaj, në këtë 30 vjetor, do të ishte mirë që Kuvendi i Republikës së Kosovës, nëse nuk e ka bërë deri më tani, të ndërmarrë dy veprime të nevojshme për të institucionalizuar këtë segment të veçantë të historisë sonë kombëtare:

— të miratojë një Rezolutë për njohjen e vlerës historike dhe juridike të Deklaratës Kushtetuese të 2 korrikut 1990;

— të inicojë nismën legjislative për të njohur kontributin vetmohues të Delegatëve të Kuvendit të Kosovës që asokohe miratuan Deklaratën Kushtetuese, duke iu ndarë atyre një lloj pensioni suplementar, sado modest që do të ishte për nga shuma e tij.

Historia jonë do shkruhet drejtë vetëm sa ne e vlerësojme drejtë të kaluarën tonë! /2LONLINE.com/

Ky artikull nuk pasqyron qëndrim editorial të redaksisë! Për më tepër, ju lutem lexoni kushtet e përdorimit.

KOMENTE