Historia e padëgjuar e atletit kosovar që la gjurmë në sportin shqiptar
Esat Kryeziu, atleti nga Rogana e Kamenicës që theu të gjitha rekordet kombëtare në hedhjen e shtizës në Shqipëri.
Nga Isak N. Bilalli
Ditë më parë, në moshën 90-vjecare ndërroi jetë Esat Kryeziu – legjenda e sportit shqiptar ne disiplinën- hedhje shtize. Ne prani të shumë figurave publike të sportit dhe jo vetëm , në Durrës me nderime të veçanta u përcoll në banesën e fundit rekordmeni dhe sportisti legjendar i cili përfaqësoi Republikën e Shqipërisë ne mënyrën më të dinjitetshme të mundshme. Gazetari Durrsak Bujar Qesja, në postimin e tij lidhur me figurën e Esatit e paraqet të ndjerin- një nga emrat që ngriti në piedestalin më të lartë, Durrësin dhe Shqipërinë në arenën ndërkombëtare duke e përshkruar ditën e funeralit te tij një dite zie që pllakosi vetëm heshtje e përulësi ndaj veprës se tij. Publicisti Qesja për me shumë u shpreh “Ka ditë kur qytetet nuk flasin. Kur rrugët duken më të gjata, kur deti sikur hesht dhe era nuk sjell zhurmë, por kujtime. Sot është një nga ato ditë për Durrësin. Një ditë e rëndë, një ditë që mbart dhimbje, por edhe një krenari të thellë që nuk shuhet” për ditën kur ju dha lamtumira e fundit Esat Kryeziut.
Padyshim që emri i Esatit ngelet një nga emrat më të spikatur të atletikës shqiptare i cili me punën e tij ekselente e ngriti Shqipërinë ne nivelet më të larta të përgatitjes profesionale të përfaqësimit duke u bërë rekordmen absolut i Shqipërisë dhe për dekada sportist i pazëvendësueshëm.
Kush ishte Esat Kryeziu rekordmeni i atletikës shqiptare?
Historia e Esat Kryeziut, është historia e një familje Kosovare me origjine nga Anamorava që arriti të zhvendosej në vitin 1948 nga Rogana e Kamenicës në Ballaj të Kavajës, duke sjellë me vete traditën, karakterin dhe qëndresën Kosovare por edhe shpirtin sportdashës që e arriti te nxjerre në sipërfaqe me talentin e tij. Ai ishte vetem12 vjeç kur arriti në Kavajë dhe më pas vendosen si familje në zonën e plazhit në Durrës.
Një talent unik që shpërtheu krejt papritur.
Spartakiada Kombëtare e vitit 1959, mbetet një moment kyç, në të cilën djaloshi nga Kosova vendosi të sfidohej. Pa stërvitje, pa përgatitje specifike, pa përvojë, por vetëm me dëshirë dhe forcë natyrore, ai arriti te stoliset me vendin e tretë. Kjo nuk ishte rastësi, por një sinjali i qartë i një potenciali të jashtëzakonshëm. Ne këtë kompeticion, Roganasi Kryeziu u pikas nga trajneri Idriz Çinari, i cili e kuptoi menjëherë se kishte përpara një atlet të rrallë, që kërkonte të gdhendej me punë, disiplinë e përkushtim. Me pak fjalë Esati i kishte te gjitha parametrat që kërkonte trajneri Çinari. Provoi disa disiplina, gjyle, disk, trehapësh, por shtiza ishte ajo që i përkiste për t’u bere pjese e historisë se kësaj disipline sportive. I ndjeri, punën profesionale e vazhdoi me Rruf Kazazin, një nga figurat emblematike të atletikës durrsake. Me punë të përbashkët, me përkushtim dhe me disiplinë, Esati filloi të shpërthente. Rekordet e mëparshme nisën të binin njëra pas tjetrës. Durrësi filloi të fliste për të. Shqipëria filloi ta njihte.
Dominim i plotë me rekorde dhe emër që nuk zëvendësohet.
Nga viti 1964 deri në vitin 1974, emri i Esat Kryeziut ishte sinonim i fitores. Nuk ishte thjeshtë kampion, por krijoi standard. Dhjetë vite radhazi në vendin e parë. Një dominim që nuk vjen rastësisht. Theu 12 rekorde kombëtare, nga 55 metra e çoi shtizën në 64 metra. Çdo rekord ishte betejë me veten, sfidë për të kaluar kufijtë personal.
Më të veçantë e bën fakti, se këto arritje erdhën në kushte të vështira. Me mjete jo cilësore, me mungesë metodike stërvitjeje, me pak mbështetje shkencore.
Për punën e tij ai me merite vlerësohet me shumë çmime të kohës si “Mjeshtër i Madh”, “Nder i Atletikës Shqiptare”, kampion i padiskutueshëm dhe mirënjohje të ndryshme ndër vite nga Federata Shqiptare e Atletikes. Mbi të gjitha, Esati u vlerësua si një qytetar i respektuar, Kosovari që ndërtoi karriere sportive duke e nderuar dhe ngritur flamurin shqiptar në nivelet ndërkombëtare. Ai ishte një njeri që e ndërtoi jetën me djersë, me punë, me ndershmëri dhe me një dashuri të pashoqe për sportin duke u bere kampion absolut dhe një nga themeluesit e gjeneratës së artë të atletikës shqiptare.
Nga një kampion në udhërrëfyes i shkëlqyer.
Esati nuk u largua kurrë nga sporti. Edhe pasi la garat, qëndroi pranë shtizës për dekada. Punoi si trajner, si këshillues, si njeri që jepte përvojën pa kursyer asgjë nga vetja. Ishte ndër ata që spikatën Enver Mysjen, trajnerin që më pas do të formonte një kampione bote si Mirela Manjani. Nxënësi i tij, Nevruz Sheshi, kaloi kufirin e 64 metrave, duke treguar se puna e Esatit nuk ishte e përkohshme. Ishte një vazhdimësi.
Esat Kryeziu la pas vete 12 rekorde me 10 vite to plota dominim absolut. la një histori, që do të rrëfehet brez pas brezi, por mbi të gjitha, la diçka më të madhe, një shembull si jetohet me ndershmëri dhe vlera të larta humane. Nga historia e Esatit mësohet se si punohet me përkushtim si arrihet madhështia pa humbur thjeshtësinë. Ai ishte një njeri i gërshetoi vlerat njerëzore me ato profesionale duke u bërë i dashur nga të gjithë dhe me të gjithë .
Ndërtoi një familje me bashkëshorten Vera Spahiu po ashtu me origjine nga Gjilani. Familje e thjeshtë, me rrënjë Kosovare e mbushur me dashuri, respekt dhe vlera. Dy vajza dhe një djalë, trashëgimia e tij më e shtrenjtë. Vetëm pas viteve ’90 me hapjen e kufijve Esati arriti të rikthehet dhe të vizitoje vendlindjen duke rivënë kontakt me familjarët në Roganë, Gjilan e Kamenicë gjë që e beri të ndjehej i plotësuar në aspektin shpirtëror si bir i Kosovës të cilin fakt shpeshherë e përsëriste duke ia dedikuar suksesin dhe arritjet e tija vendit te tij mëmë, Kosovës.
Ishte baba, bashkëshort, gjysh, mbeti shok dhe mik i betuar për te gjithë. Një njeri që nuk ndryshoi kurrë nga fama. Qëndroi i njëjtë, i thjeshtë, i drejtë, i ndershëm.
R.I.P. Kampion Esat Kryeziu, qe përfaqësove edhe Kosovën ne kohërat më të vështira kur shqiptarët jetonin të ndarë nga njeri tjetri.
