DYLON

Historia e Gjilanit e përmbledhur në një libër

Avatar photo Redaksia

/2L ONLINE/ – Botim serioz, i veçantë dhe i shkruar me shumë besnikëri, puna e autorit Aliriza Selmani është kolosale, nëpërmjet të të cilës ai ndriçon objekte e monumente, është i thellë në shpjegimin e fenomeneve dhe nuk është vetëm një përshkrues i thjeshtë, por bënë krahasime të thella e të thuktë dhe ndriçon të kaluarën e Gjilanit me rrethinë, ka thënë prof. Dr. Daut Bislimi.

Abetare për historinë e Gjilanit, kështu është vlerësuar libri “Gjilani qendër e Anamoravës nga themelimi deri në gjysmën e parë të shekullit XX”, i autorit Aliriza Selmani, i cili është promovuar këtë të shtunë në ndërtesën e Teatrit të Qytetit në Gjilan i mbeshtetur dhe financuar nga kryetari i Komunes, Lutfi Haziri.

EkoHigjiena

Me kete rast, Valentina Bunjaku – Rexhepi, kryesuese e Asamblesë Komunale, ne emer te kryetarit Haziri, ka thënë se duke ditur vlerat që ka ky libër, komuna e ka përkrahur botimin e tij, ndersa per studentet eshte material me rendesi gjate studimeve te tyre. Ajo ka thënë se ky libër mbush një boshllëk në historinë e Gjilanit. Ajo këtë libër e ka cilësuar botim serioz, të veçantë dhe të shkruar me shumë besnikëri, kurse punën e autorit e ka cilësuar kolosale.

Kurse, Daut Bislimi, recenzent i librit ka thene se nëpërmjet ketij ndriçohen objekte e monumente, është i thellë në shpjegimin e fenomeneve dhe nuk është vetëm një përshkrues i thjeshtë, por bënë krahasime të thella e të thuktë dhe ndriçon të kaluarën e Gjilanit me rrethinë.

“Aliriza Selmani bëri një vepër të afërt, të duhur e të mirëpritur. Një botim serioz dhe i pari i tillë me këso përmbajtje”, ka thënë Daut Bislimi.

Adem Murati, ka folur për biografinë e autorit, për të cilin tha se gjithmonë në punimet dhe veprat e tija ka pasur një qëndrim të drejtë sa i përket çështjes shqiptare. Për Gjilanin dhe të kaluarën e tij foli edhe Enver Gjinolli, njëri nga pinjollët e familjes Gjinolli, që konsiderohen si themelues të Gjilanit. Ai foli për Konakun e dikurshëm të Gjinollëve që nuk është më, sikurse edhe për shumë monumente që tashti i mungojnë Gjilanit.

Vetë autori Aliriza Selmani, ka theksuar se njeriu gjithmonë i ka borxh vendlindjes së tij, andaj kjo ka qenë arsyeja që i është rrekur punës për të shkruar një libër që flet për të kaluarën e Gjilanit dhe në hartimin e tij është bazuar në intervistat që ka bërë me njerëz në vitet tetëdhjeta, në dokumentet e shumta dhe në bibliografinë e bollshme.

Autori është mbështetur në hulumtimet arkeologjike të bëra, por edhe në dokumentet dhe sidomos në defterët osmane, ku ka të dhëna për popullsinë dhe jetën që zhvillohej në Gjilan e rrethinë. Sipas tij, Gjilani si qytet (kasaba) është themeluar në gjysmën e dytë të shekullit XVIII nga familja feudale e Gjinollëve. Ai flet edhe se si Gjilani me kohë u bë një qendër zejtare, bujqësore e blegtorale, për t’u shndërruar më pas në një nga qendrat kryesore të Kosovës me një rëndësi strategjike, ekonomike e politike, gjë të cilën e përmendin edhe shumë misionarë diplomatikë, udhëpërshkrues e shkencëtar të kohës., që lanë shënime për këtë qytet. Autori trajton edhe aspektin gjeografik, administrativ, onomastik dhe aspekte të tjera, duke përshkuar tërë historinë nëpër të cilën kaloi ky qytet, i cili në fund të shekullit XIX kishte një hapësirë të gjerë me mbi 200 fshatra dhe ku kryqëzoheshin rrugë të rëndësishme me karakter ekonomik dhe strategjik e ushtarak. Ai flet edhe për zhvillimin e tregtisë e zejtarisë, veprimtarinë ekonomike, zhvillimin urban, atë kulturor, arkitekturën e shtëpive, objekteve të kultit, haneve, të objekteve, të infrastrukturës rrugore, të rrugëve të shtruara me kalldrëm dhe të infrastrukturës tjetër, e cila tashti i mungon këtij qytetit. Autori flet edhe për arsimin , për shkollat e dikurshme, për Gjilanin në periudha të ndryshme, për atë se si dukej në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, gjatë dhe pas Revolucionit Xhonturk, për kohën kur u shtrua çështja e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, gjatë kohës së luftërave për çlirim e për këtë territor deri në gjysmën e parë të shekullit XX. /2L ONLINE/



Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.