DYLON

Hiri i Aleksandrisë: Poezia që e fitoi vendin e tretë

Hiri i Aleksandrisë: Poezia që e fitoi vendin e tretë
Avatar photo Redaksia

Manifestimi kombëtar i kulturës, FLAKA E JANARIT/2026
Nga konkursi anonim letrar – Poezia që e fitoi vendin e tretë

Lundrim KRASNIQI

EkoHigjiena

Hiri i ALEKSANDRISË
Iu përgjërova babait me dënesë
“Më merr edhe mua në atë skëterrë!”
“Jo,” më tha, “s’është vend për ty,
Nuk dihet se çfarë mund të prekësh atje.”

Por unë u betova: “Nuk do të prek asgjë!”
Lëshoi pe, me sytë nga shtëpia:
“Eja, se për mua atje nuk është ferr,
Atje është hiri i shpirtit tem.”

Fytyrat tona, të molisura nga lufta,
Nisën të shndritnin në mes të gërmadhave.
Frika rrinte brenda, por gëzimi lulëzonte,
Veç fjalët e babait, jehonë në vesh:
“Mos aty! Mos atë! Mos e prek!”

Pamje apokalipsi, kafshë të ngordhura rrugës,
Buka e papjekur kishte mbetur pranë oxhakut.
Ah, ato dredhëza të kuqe në kopsht,
Që s’i kishte prekur dora e njeriut…
Kanë kaluar tridhjetë vjet e unë ende i mbjell,
Por shijen e asaj dite më nuk e gjej.

Prapë jehona: “Mos aty! Mos atë!”
Kur pashë diçka të verdhë, vezulluese.
“A është limon, baba?” thirra me gëzim,
Te televizori i thyer në mes të oborrit.
“Mos!” – bërtiti ai, e zëri iu drodh,

“S’është limon, bir, është minë!”
Hymë brenda. Vetëm një gjë kishte shpëtuar,
Një pajisje e fshehur nën shkallë.
“Me këtë,” tha babai, me sytë plot shpresë,
Do ta shohim Evropën e Amerikën, bir.

Sytë i mbante lart, te kati i dytë,
Aty ku rrinte dikur deri në orët e vona.
M’u kujtua zhurma “qak-qak” e makinës së shkrimit,
Melodia që më vinte në gjumë si piano pa tela.

Ngjitëm shkallët. Hiri ishte deri në gju,
Shumë më i lartë se në çdo shtëpi tjetër.
Aty ishte kopshti i mendjes, ishte bota vetë.
Sot nuk më dhimbset Aleksandri i Madh,
Por ajo “Aleksandri” e vogël që u dogj në shtëpi.

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.