(2LONLINE) -Jam rritur duke dëgjuar fjalinë “Hiqja gajlen, Jasharit!”,dhe sot akoma nuk e kam të qartë kush ka qenë ky farë Jashari, a çfarë gajlesh ka pas ! Por, një e kam kuptuar, se kur thuhet “Hiqja gajlen Jasharit!”, jep të kuptohet “bëre shkel e shko, që të mos mund thotkush se s`e ke kryer,…!”
Fjalinë “Hiqja gajlen Jasharit!”, ma kujtoi një vendim i MASHT-it në të cilin shkruante: “Asnjë mësimdhënës në shkolla fillore dhe të mesme pas tri vjetësh nuk do të këtë të drejtë të japë mësim nëse nuk e ka të përfunduar masterin në fakultetet përkatëse. Ministria e Arsimit në bashkëpunim më Bashkimin Evropian, synon që brenda tre vjetësh të investojë mbi 800 mijë euro në Universitetin e Prishtinës, për përgatitjen e mësimdhënësve në kuadër të projektit TEMPUS “Modernizimi i Shkollimit të Mësimdhënësve në Universitetin e Prishtinës-Med@UP”…!”
Thash më vete: sa interesante, kjo farë ministrie e ardhur nga hëna, marsi a kushedi nga, do t`i bëjë të gjithë mësimdhënësit Msc…! Përndryshe, po të ishte ministri që jeton dhe vepron në tokë nuk do ta projektonte një gjë të tillë. Ani sa interesante, thuhet në bashkëpunim me BE-në, thuajse s`kanë pas çfarë më të vlefshme, më të dobishme e më të domosdoshme të bashkëpunojnë !
Sot , në shumicën e shkollave fillore e të mesme të ulëta të Republikës së Kosovës, procesi edukativo- arsimor zhvillohet sikur pas Luftës së Dytë Botërore. Me përjashtim të shkollave të reja, inventarit të ri aty këtu, dërrasave e shkumsave me ngjyra,…! Ndërsa, në anën tjetër familjet tona janë shumë herë më të përparuara dhe më të avancuara. Vështirë të gjesh familje pa kompjuter e internet , TV. kabllor me mbi 100 programe televizive… Dhe shtrohet pyetja: çka është më atraktive për ta, shkolla apo shtëpia ? Cila është dashuria e tyre për shkollën? Çka e bënë shkollën atraktive për ta? Pajisjet – mjetet e konkretizimit apo diplomat e mësimdhënësve,…?! Përjashtim bënë Komuna e Hanit të Elezit, ku mësimdhënësit janë furnizuar me laptop e CD të teksteve mësimore, klasat me projektor, që s`ka dyshim se shkolla është bërë atraktive për nxënës, mësimdhënës e komunitet.
Këtu shtrohet pyetja; Pse nuk bashkëpunon MASHT me Kryetarin e Komunës së Hanit të Elezit Z.Rufki Suma dhe bashkërisht të implementohet në gjithë Kosovën ky projekt?
A ka mundësi të implementohet ky projekt edhe në komunat tjera dhe sa do të ishte kostoja e këtij projekti?
Apo; Cili është roli i projektit TEMPUS “Modernizimi i Shkollimit të Mësimdhënësve në Universitetin e Prishtinës-Med@UP?
Si do të modernizohen mësimdhënësit 40-50 vjeçar?
E shumë, e shumë pyetje tjera!
Nëse ky modernizim përfshinë eksperimentin që në këtë rast do të ishin mësimdhënësit e shkollave fillore dhe të mesme të ulëta dhe eksperimentuesin që nënkupton mësimdhënësit universitarë, kjo është diçka tjetër ! Vetëm duhet t`u tregohet palës së eksperimentuar se duhet të rrinë mirë, të ushqehen apo të mos ushqehen një kohë, t`u bëhet me dije për kundërindikacionet eventuale, etj.!
Mësimdhënësit modernizimin e shkollimit e kuptojnë me mësues të mirë, pedagogë, çofshin edhe normalistët e asaj kohe, por punëtorë e të vyeshëm, jo përtac, imitatorë e falsifikatorë, njerëz që për punën e tyre thirren në diploma e jo në rezultate,…! Por, mos harroni zotëri të MASHT-it, se eksperimentet bëhen me minj e bretkosa, jo me njerëz !
Të kujtojmë projektin e ECDL (European Computer Driving Licence), të cilën e kanë ndjekur një numër shumë i madh i mësimdhënësve. Në shumë shkolla u dërguan edhe kompjuter e laptop që s`u përdorën kurrë, sepse mësimdhënësit nuk dinin të punonin. Prandaj, avancimi sa për t`u avancuar është falco dhe i dështuar. Kemi plotë shembuj, madje të profesorëve eminent, edhe në UP edhe në ato private, të cilët kanë mësuar nga mësimdhënësit pa shkollë të plotë fillore, të mesme… por që me punën, kreativitetin, përkushtimin i kanë dhënë jetë mësimdhënies. Sepse fundja , mësimdhënia nuk është një punë e thjeshtë, por është art të cilin shkolla mund ta ndihmoj dhe perfeksionoj, por jo në këtë mënyrë, sepse çdo gjë e ka afatin dhe kohën e saj !
Ato 800 mijë euro, bënë t`u shpërndahen miqve e jaranëve të diplomuar, magjistruar e doktoruar në këtë mënyrë , sepse edhe ashtu janë bërë mjaftë! Le të shkojnë edhe në shkollimin dhe avancimin e atyre që kanë mbaruar shkolla të larta dyvjeçare e që kurrë s`kanë pasur rastin të punojnë, dhe nëse deri tash ua kemi shkelur te drejtat, duke mos u krijuar mundësi punësimi,të mos ua shkelim ato të drejta edhe në vazhdim shkollimi ose rikualifikim. Njëjtë vlen edhe për trevjeçarët (baçelor) në fakultete teknike etj, që kanë mbetur as me shkollë e as pa të, që nuk ka profile të masterit në Kosovë …!
Prandaj, nëse Qeveria është pajtuar me këtë vendim të Ministrisë së Arsimit, Kuvendi i Republikës do të duhej t`a thoshte fjalën e vet…!
Deri kur do të bëjmë detyrat e të tjerëve, pa qenë të bindur se ato detyra neve na ndihmojnë diçka, ose përfitojmë diç nga ato?
Deri kur do t`dëgjojmë frazat, po thonë, duhet?
Deri kur do t`luajmë vallen e djajve?
Me shpresë së dikush do ta lexojë këtë shkrim dhe nga muhabetet të arrijë deri në MASHT, e ata të zbresin në tokë dhe esëll të mendojnë që shkollën t`a bëjnë atraktive për nxënës e jo për mësimdhënës, sepse mësimdhënësit janë të vetëdijshëm , por nxënësit derisa ta kuptojnë rëndësinë e shkollimit, dro se mund t`u ikën treni ! Faik KonIca thotë:”Si e kemi arsimin sot, do ta kemi kombin nesër!” E nesër s`do mend se do të kemi plot Msc e Dr, por ama s`do të kemi ekspert të asnjë fushe ! Apo, “Hiqja gajlen, Jasharit!”
Fundja, njerëzit e bënë shkollën e jo shkolla njerëzit!
/Nehat RAMADANI/
Autori është mësimdhënës në Shkollën fillore e të mesme të ulët “Rexhep Elmazi”- Gjilan