/2L ONLINE/ – Derisa jashtë është protestuar nga punëtorët e Ecohigjienës, Kuvendi brenda në seancën e saj ka larguar pikën e rendit të ditës, që ka të bëjë me Ecohigjienën, për një seancë tjetër, me arsyetimin që të gjitha palët të jenë sa më të përgatitura për t’u gjetur një zgjidhje për ta tejkaluar situatën në atë kompani, me një zgjidhje të qëndrueshme.
Sahit Abaz nga PDK-ja, për shkak të situatës emergjente, tha se në takimin joformal të Grupeve të Këshilltarëve, PDK nuk është pajtuar që kjo pikë e rendit ditës të shtyhet, por veç nëse shtyhet dhe nëse ka nevojë për rinegocim, PDK do të mbështetë këtë, por gjërat duhet të afatizohen sepse ky problem nuk është i sotshëm, është më i thellë më i gjatë dhe kërkon zgjidhje emergjente.
“Gjilani është shndërruar në imazh të protestave dhe një qytet i protestave tregon për një qeverisje të keqe. Por, ne jemi të interesuar për zgjidhjen e problemeve, andaj kërkojmë të afatizohet dita e saktë kur do të flitet, dëgjohet, e rekomandohet për rastin e Ecohigjienës, ka thënë Abazi.
Ai tha se sot është dashtë së paku të dëgjohet ndonjë përfaqësues i Ecohigjienës.
Fehmi Sylejmani anëtar i Kuvendit nga Vetëvendosje ka kërkuar një komision hetimor për Ecohigjienë, i përbërë nga anëtarët e Kuvendit, por që udhëhiqet nga opozita për të verifikuar të gjitha marrëveshjet, të gjitha dokumentet që kanë të bëjnë me këtë kompani, nëse ka Ecohigjiena probleme me komunë, apo me partnerin privat.
Avdyl Aliu i LDK-së kërkoi të vazhdohet tutje me seancë. Ai tha se sa i përket Ecohigjienës, le të shtyhet pika në seancë tjetër të veçantë sepse, siç tha ai, po mundohen me i deaktivizue “do bomba” që janë kurdisur më herët. Ai tha tutje se duhet me i dhënë kohë edhe kryetarit të komunës që të punoj edhe të gjendet një zgjidhje e qëndrueshme për Ecohigjienë.
Selami Xhemajli nga AAK-ja tha para kuvendarëve se bisedimet që është duke i zhvilluar kryetari, me aksionarët, me partnerin privat për gjetjen e një moduli për të tejkalua situatën dhe gjetjen e zgjidhjes adekuate do të duhej dhënë kohë. Presim kryetarin me ardhë me propozime konkrete për zgjidhjen e çështjes së Ecohigjinës andaj vlen të shtyhet për një seancë të jashtëzakonshme për Ecohigjienë, për t’i dhënë mundësi të kryhen bisedimet dhe të kemi rekomandime konkrete për seancë që të merren vendime.
Riad Rashiti nga PDK, tha se projekti i partneritetit publiko privat i Ecogjienës është përkrahur në atë kohë nga të gjitha subjektet politike andaj ka kërkuar nga nga shefi i Grupit të LDK-së të ketë kujdes me të shprehurit, kur përmend “bomba të kurdisura”, sepse qytetari mund të keqkuptojë. Rashiti tha se edhe sot beson se të gjithë janë bashkë, për një zgjidhje të problemeve, atyre reale, në Kompaninë Ecohigjinea, për të cilat tha se mund të bëhet lehtë e shpejtë.
Isa Agushi (LDK) tha se pika që ka të bëjë me Ecohigjiena nuk duhet të hiqej, së paku, të njoftohen nga komisioni i aksionarëve se çfarë po ndodh atje, por nëse bëhet atëherë të precizohet, të vendoset për datë fikse të seancës së jashtëzakonshme për këtë pikë.
Edhe Ibish Ibishi nga AAK-ja tha se nuk është dashtë të shtyhet pika e rendit ditës që ka të bëjë me Ecohigjienën, por të diskutohej, por nëse veç në një takim të shefave të grupeve parlamentare qenka vendosur me u shty, le të shtyhet por të dihet dita e saktë e seancës së Jashtëzakonshme.
Me 19 vota pro, një votë kundër, e të tjerët abstenime, është hequr nga rendi i ditës pika që ka të bëjë me Ecohigjienën. /2L ONLINE/